• |
ide | kryesore

AKEP premton studim për të vlerësuar mundësinë e hyrjes në treg të operatorëve celularë virtualë

Lajme, Të fundit


Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që nuk ka ende operatorë virtualë të rrjeteve celulare (MVNO). Kjo çështje është bërë edhe më e ndjeshme me uljen e numrit të operatorëve celularë në vetëm dy të tillë, duke filluar nga viti 2023. Tregu është rikthyer pas 15 vitesh në një strukturë duopol dhe ulja e numrit të operatorëve ka krijuar shqetësime të lidhura me konkurrencën dhe me interesin konsumator.

Në raportin për vitin 2023, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), shprehet se, në përputhje të plotë me legjislacionin dhe aktet rregullatore, do të ndërmarrë një studim të detajuar mbi vlerësimin e mundësive dhe impaktit të hyrjes së MVNO-ve në tregun e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme.

Sigurimi i një kuadri rregullator të favorshëm për hyrjen e MVNO-ve është një prej rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës për AKEP në vitin 2022, në vendimin për lejimin e përqendrimit mes operatorëve ONE dhe Albtelecom.

Në raportin vjetor të vitit 2022, AKEP ishte shprehur se ligji “Për komunikimet elektronike” dhe rregulloret ekzistuese nuk paraqesin asnjë pengesë që operatorët MVNO të ofrojnë shërbime duke përdorur rrjetin e një operatori celular, shërbime të cilat përfshijnë telefoni të lëvizshme, internet, transmetim të dhënash, etj.

AKEP ka marrë dy kërkesa për autorizime si operatorë MVNO qysh në vitin 2018, por qysh atëherë ky proces nuk ka avancuar, për shkak se AKEP kishte kërkuar kohë për të analizuar nëse kuadri ekzistues ligjor dhe rregullator krijonte hapësira për të autorizimin e këtyre operatorëve.

AKEP ka arritur në konkluzionin se ligjërisht nuk ekzistojnë pengesa për licencimin e operatorëve MVNO, por megjithatë deri tani nuk ka zhvillime të reja në një proces të mundshëm të licencimit të operatorëve të këtij lloji. Në vitin 2018, dy operatorët e interesuar për të ofruar shërbime virtuale të telefonisë celulare ishin Neofone dhe Digicom.

Operatorët virtualë nuk kanë një infrastrukturë rrjeti të tyre, por shfrytëzojnë me marrëveshje rrjetin e operatorëve ekzistues të rrjeteve celulare (MNO).

Operatorët MVNO janë të pranishëm në shumicën e tregjeve të telekomunikacioneve në Europë dhe në disa raste pjesa e tregut të tyre operatorëve arrin deri në 15%. Modeli i biznesit të operatorëve MVNO ka spektër mjaft të gjerë.

Disa prej tyre funksionojnë pak a shumë si rishitës të shërbimeve të operatorëve të rrjeteve celulare (MNO), duke i tregtuar këto shërbime me markën e tyre dhe duke ndjekur strategji të veçanta marketingu.

Por, ka edhe operatorë MVNO që zotërojnë një infrastrukturë teknike mbështetëse, që u mundëson t’u japin vlerë të shtuar shërbimeve të ofruara përmes rrjetit të MNO-ve.

Duke qenë se tregu tashmë ka arritur një fazë maturimi, në këtë moment ka shumë pak të ngjarë që të ketë interes nga investitorë të rinj për të ngritur operatorë të mirëfilltë rrjetesh (MNO), sepse kjo do të kërkonte një investim shumë të madh, ndërkohë që përmasa e tregut është e vogël.

Në këto kushte, operatorët MVNO shihen si e vetmja mundësi reale për të shtuar numrin e operatorëve konkurrencën në tregun e shërbimeve celulare me pakicë.

Marrë nga Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *