• |
ide | kryesore

Inflacioni bazë bie në nivelin më të ulët që prej vitit 2021

Arkiva, Lajme, Të fundit
Inflacioni


Inflacioni bazë po vijon rënien dhe tashmë ndodhet në nivelet më të ulëta të tre viteve të fundit.

Sipas informacionit Bankës së Shqipërisë, në muajin maj inflacioni bazë zbriti në 2.33%, nga 3.2% që ishte në fund të vitit të kaluar dhe 5.41% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e inflacionit bazë është më e ulëta që prej tetorit 2021.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Tashmë, inflacioni bazë është shumë afër nivelit të inflacionit të shportës së plotë çmimeve të konsumit, që sipas INSTAT për muajin maj ishte 2.2%.

Rënia e inflacionit bazë është një tregues domethënës për kursin e pritshëm të politikës monetare. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë, së shpejti edhe Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë rikthimin në kahun lehtësues të politikës monetare dhe uljen e normave të interesit. Aktualisht, Shqipëria ka një normë interesi në nivelin 3.25%, ende ndër më të ulëtat në Europë. Forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe pjesërisht çmimet e administruara të energjisë bënë që vala inflacioniste në Shqipëri të ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me vendet e tjera të Europës. Mes të tjerash, kjo mundësoi edhe një shtrëngim më të vogël monetar dhe mbajtjen e normave relativisht të ulëta të interesit.

Lexo më tej: “Parajsa” e kredive të shpejta drejt fundit, po përgatitet rregullore që do të kufizojnë huadhënien 

Tashmë, rënia e inflacionit ka filluar të reflektohet edhe në politikat e bankës qendrore. Në dy muajt e fundit, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për të ndaluar forcimin e mëtejshëm të lekut dhe po e mban kursin e këmbimit të euros pothuajse të fiksuar, pak sipër nivelit të 100 lekëve.

Pas mbledhjes së fundit, në muajin maj, Këshilli Mbikëqyrës shprehej se presionet e brendshme inflacioniste ngeleshin ende shqetësuese dhe se rënie e inflacionit në pjesën e parë të këtij viti i detyroheshin kryesisht uljes së çmimeve të importit. Rritja e pagave gjithashtu dha shenja ngadalësimi në tremujorin e parë të këtij viti, sidomos për sektorin privat.

Rënia e komponentit bazë të inflacionit mund të jetë sinjal që e bën më të afërt shtrirjen e politikave lehtësuese edhe në instrumentin më konvencional, të normave të interesit.

Nga ana tjetër, ekonomia në pjesën e parë të këtij viti po regjistron ritme të larta të rritjes së kreditimit. Për katërmujorin e parë të vitit, kredia e re për ekonominë arriti vlerën e 117 miliardë lekëve, në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në veçanti për monedhën vendase, kredia e re shënoi një rritje shumë më të lartë, me 64%.

Lexo më tej: VOA: Mashtrimi me kreditë në Shqipëri, nga hetimi i prokurorisë tek përgjegjësitë 

Një ulje e normave të interesit mund t’i japë shtysë të mëtejshme kreditimit, por, megjithatë, një rritje e shpejtë e kreditimit nuk është pa rreziqe.

Raporti i kredive me probleme shënoi një rritje të lehtë në muajin prill. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues u rrit në 4.82%, nga 4.64% që kishte qenë për muajin mars. Kjo ishte rritja e parë e raportit të kredive me probleme që prej muajit janar.

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e raportit të kredive me probleme duket të jetë kryesisht efekt i rritjes së normave të interesit në euro. Segmenti ku është vërejtur rritja e kredive me probleme është kryesisht kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme në euro, veçanërisht në segmentin e individëve.

(Grafiku i inflacionit)

Zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë bankare për prona janë vlerësuar me shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, në janar të këtij viti, FMN i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar, të orientuar kryesisht drejt frenimit të ritmeve të kreditimit për pasuri të paluajtshme.

Një rekomandim i posaçëm në këtë drejtim vjen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, që në projektrezolutën e këtij viti i kërkon Bankës së Shqipërisë të monitorojë me kujdes përqendrimin në rritje të kreditimit të lidhur me sektorin e pasurive të paluajtshme, si dhe të nxisë zbatimin e plotë nga bankat të rregullores “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredi dhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”./E.Sh. Monitor 


2 Comments

  1. ore e kuptoni ku jemi apo jo, flitet per kredi me probleme ne masen 4,82%…po po ne masen 4,82% nga 25% qe ishte ne 2013. Pra ne 2013 nje nder kater biznese ishte ne faliment per shkak te ekonomise se dobet te vendit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *