• |
ide | kryesore

Shfuqizohet tatimi me 15% për profesionet e lira

Arkiva, Lajme


Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.

Gjykata Kushtetuese vendosi në mënyrë unanime pranimin e çështjes që është brenda juridiksionit të saj dhe rrëzoi diskriminimin e profesionistëve të lirë, duke u bazuar tek argumentet që paraqitën palët paditëse.

Vendimi nga Gjykata Kushtetuese u dha pas 2 ditësh të përfundimit të shqyrtimit të çështjes.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është paditur 4 herë në Kushtetuese.

Shqyrtimi i 3 padive së bashku, e grupit parlamentar të PD-së, të IKM dhe IEKA-s dhe Dhomës Kombëtare të Avokatëve nisi më 18 Qershor dhe përfundoi më seancën e dytë të zhvilluar më 25 Qershor ku u dëgjuan edhe konkluzionet përfundimtare të palëve.

Që në seancën e parë të shqyrtimit të çështjeve me 18 Qershor, me shumicë votash Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullim, me argumentin se çështja do të trajtohet me përparësi.

Në ligj parashikohej se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri 10,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të ardhurave vjetore. Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.

Ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pa mbajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira, duke përfshirë 180 profesione. Po në muajin dhjetor, për shkak të mosarritjes së realizimit të formularit të ri të deklarimit të ardhurave dhe shpenzimeve, hyri në fuqi Akti Normativ që përcaktonte se deklarimet do të bëhen me modelin e vjetër të formularit, por profesionet e lira, do të tatohen sipas normave të reja tatimore që nisën zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

 

 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *