• |
ide | kryesore

Prishtina, notë proteste ndaj Shkupit: Incidenti me Osmanin, provokim i pastër

Arkiva, Lajme, Të fundit



Presidenca e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media për incidentin e ndodhur gjatë ditës së enjte në Aeroportin e Shkupit. Në deklaratë shprehet indinjatë për reagimet që janë bërë nga institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për atë që presidenca e ka cilësuar “propagandë” në mediat atje kundër Republikës së Kosovës.

Presidenca e Kosovës shkruan se në vend se të kërkojnë falje, gjatë të enjtes dhe të premtes, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka mbështetur në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit të Shkupit për të vendosur në skaner edhe telefonin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në reagim thuhet se presidentja Osmani me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar në këshillat që ka marrë nga institucionet e sigurisë. Nga Presidenca e Kosovës shkruajnë se gjatë ditës së sotme edhe Aeroporti i Shkupit por edhe MPB e Maqedonisë së Veriut e kanë pranuar që urdhri për kontroll ishte dhënë nga vetë Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut

“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhet në reagim.

Në reagimin e Presidencës janë hedhur poshtë të gjitha raportimet që pretendojnë se presidentja Osmani s’ka pranuar që ta japë çantën e saj për skanim dhe gjithashtu i kanë cilësuar si skandaloze pretendimet se presidentja Osmani ka pasur diçka të dyshimtë në çantën e saj.

Presidenca e Republikës së Kosovës ka theksuar se situata e ndodhur në Aeroportin e Shkupit s’mund të shpjegohet e as vlerësohet ndryshe, përveç se një provokim i pastër për të shkaktuar incident.

Po sot Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut pas insidentit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë mbrëmë, pas incidentit dhe trajtimit jo dinjitoz që thuhet se iu bë presidentes Osmani.

Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. /LAPSI.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *