• |
ide | kryesore

Tajlanda në alarm: Po na vijnë 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme nga Shqipëria

Arkiva, Lajme, Të fundit
shqipëria



Autoritetet tajlandeze janë angazhuar fuqishëm për të ndaluar hyrjen në vendin e tyre të rreth 100 kontejnerëve që dyshohet se janë të mbushura me mbetje të rrezikshme industriale nga Shqipëria. Lajmi jepet nga e përditshme amerikane “Bloomberg” që citon “Basel Action Network”, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike.

Pak javë më parë ajo paralajmëroi edhe Malajzinë për dërgesat e paligjshme të mbeturinave. Javën e kaluar ajo informoi qeverinë malajzjane se kontejnerët që organizata beson se janë të mbushura me një pluhur potencialisht të dëmshëm po shkonin drejt saj.

Alarmi është dhënë pasi një nga anijet që transportonte kontejnerët nuk është më e dukshme në shërbimet e gjurmimit të vendndodhjes detare. Ajo u zhduk nga radarët kur iu afrua Cape Town në fund të muajit të kaluar pasi “Basel Action Network” tha se njoftoi autoritetet e Afrikës së Jugut për dërgesën.

Zyrtarët tajlandezë thanë se pasi morën informacionin se kontejnerët ishin ngarkuar në anije në Shqipëri në fillim të korrikut. Ata u shprehën se po punojnë me homologët në Shqipëri dhe Singapor, ku anijet do të ankorohen gjatë këtij muaji, për të ndaluar dërgesat.

Bloomberg shkruan se agjencitë përkatëse qeveritare “nuk janë njoftuar dhe nuk kanë dhënë pëlqimin për këto dërgesa”, tha në një email Departamenti i Punëve Industriale të Tajlandës, i cili mbikëqyr menaxhimin ndërkombëtar të mbetjeve. “Aktualisht jemi duke koordinuar dhe monitoruar situatën për të parandaluar këtë trafik të paligjshëm”.

Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë marrë së fundmi një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike, të cilat mund të jenë të mbushura me toksina. Sipas Konventës së Bazelit të Kombeve të Bashkuara, një pakt global i nënshkruar nga shumë ekonomi të zhvilluara, vendet duhet të japin pëlqimin që mbeturinat të shkojnë në vendin e tyre.

Kompania Maersk konfirmoi se dy nga anijet e saj të mallrave po transportojnë kontejnerë me origjinë nga Shqipëria të rezervuara nga një linjë tjetër detare. Sipas saj asnjë nga kontejnerët nuk është deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, ndryshe Maersk tha se “do të kishte refuzuar t’i transportonte ato”. Deklarata u bë nga zëdhënësja Summer Shi në një email.

“Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e këtyre kontejnerëve, Maersk do t’i dorëzojë kontejnerët në linjën e transportit që i ka rezervuar dhe që është përgjegjëse për kontejnerët në fjalë” – tha ajo. Bloomberg tha se nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur se çfarë po transportonin anijet. Kompanitë që eksportojnë dhe marrin këto kontejnerë nuk janë identifikuar. ©LAPSI.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *