• |
ide | kryesore

Raporti i ERRU: Bashkimi i ujësjellësve uli kostot operative por 65% e ujit në vend shpërdorohet

Lajme, Të fundit



Bashkimi i ujësjellësve në vend, një reformë që nisi në vitin 2022 dhe ende vijon ka dhënë efektet e para pozitive sipas Entit Rregullator të Ujit. Në raportin e performancës të publikuar nga ERRU vlerësohet se thuajse të gjithë kanë ulur kostot operative dhe të mirëmbajtjes.

“Treguesit financiarë të performancës si Mbulimi i Kostove O&M dhe Totale kanë një rëndësi themelore për qëndrueshmërinë financiare në sektor. Performanca në sektor, për vitin 2023, lidhur me këta tregues, paraqitet e përmirësuar me 10.2% për treguesin e Mbulimit të Kostove O&M dhe me 6.0% për treguesin e Mbulimit të Kostove Totale krahasuar me vitin 2022.

Kostot e Operim & Mirëmbajtjes kanë një rënie me rreth 1.048 miliard lekë ose -9%, që janë kryesisht nga rënia e konsiderueshme e kostove të energjisë elektrike me 1.469 miliard lekë (-38%) dhe gjithë kostot e tjera të operimit të cilat kanë pësuar rënie gjatë vitit 2023, përveç kostove të punës të cilat janë rritur me 13.2 % ose me 646.2 milion lekë” vlerëson ERRU. Rritja e kostove të punës sipas raportit vjen si efekt i rritjes së pagave që nisi qeverisja qendrore.

ERRU vlerëson gjithashtu se pavarësisht përmirësimit që ka sjellë reforma e bashkimit të ujësjellësve treguesi i ujit pa të ardhura mbetet ende problem i konsiderueshëm i sektorit duke kërcënuar kështu qëndrueshmërinë e tij.

“Nivelet e larta të ujit pa të ardhura prej 64.7% mbeten problem serioz brenda sektorit, që kërcënon qëndrueshmërinë e shoqërive rajonale UK dhe atyre ekzistuese. Shoqëritë rajonale duhet të kenë në fokusin e tyre kryesor reduktimin dhe eliminimin e lidhjeve të paligjshme si dhe të humbjeve fizike.

Nga ana tjetër për një vlerësim real të gjendjes së humbjeve dhe të hartimit nga shoqëritë të bilanceve të ujit sa më të sakta, mbetet e një rëndësie të veçantë, financimi dhe instalimi i matësve të mëdhenj të ujit në burim dhe ato individual. tek konsumatorët privat dhe familjarë” thuhet në raport.

Enti nënvizon se bilancet e ujit përcaktojnë gjendjen reale të kërkesës për ujë dhe shërbejnë si bazë për hartimin e planeve për reduktimin e humbjeve dhe mbrojtjen e burimeve nga mbikonsumi i pajustifikuar.

“Si fillim, shoqëritë mund të përqendrohen në trajtimin e humbjeve administrative (komerciale) që bëjnë të mundur rikuperimin e të ardhurave, që për momentin nuk arkëtohen për shkak të konsumit të paligjshëm. Gjithashtu, sa herë që të tentohet rehabilitimi apo shtrimi i ri i rrjetit për reduktimin e humbjeve reale është e nevojshme të gjenden zgjidhje teknike me kosto të përballueshme” thuhet në raport./MONITOR


1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *