• |
ide | kryesore

Djali i presidentit Biden, Hunter pranon fajësinë mbi akuzat për evazion fiskal

Lajme, Planet



Hunter Biden, djali i presidentit të SHBA-së, ka pranuar fajësinë për akuzat për mospagim taksash, pasi u shpall fajtor disa muaj më parë në një tjetër proces nën akuzat për shkelje të ligjit të armëmbajtjes. Djali i presidentit pranoi fajësinë disa orë para se të niste zgjedhja e jurisë që supozohej të shqyrtonte rastin në ngarkim të tij mbi akuza federale për një skemë katërvjeçare për të shmangur pagimin e të paktën 1.4 milionë dollarëve në taksa.

Ky proces zhvillohet në Los Anxhelos. Hunter Biden përballet me akuza federale për një skemë katërvjeçare për të shmangur pagimin e të paktën 1.4 milionë dollarëve në taksa, ndërkohë që ai paguhej miliona dollarë nga biznese të huaja. Ai ishte në sallën e gjyqit me bashkëshorten e tij, Melissa Cohen Biden dhe i rrethuar nga agjentë të Shërbimit Sekret.

Biden u shpreh “fajtor” kur gjykatësi lexoi të 9 akuzat. Masa e dënimit është caktuar të jepet në 16 dhjetor. Gjykatësi Mark Scarsi tha se ai rrezikon deri në 17 vjet burg dhe një gjobë deri në 450 mijë dollarë. Hunter Biden tashmë po përballet me burgim të mundshëm pasi një juri në shtetin Delauer e shpalli fajtor nën akuzat se ai kishte gënjyer në një formular federal të vitit 2018 për blerjen e një arme, që ai e mbajti për 11 ditë.

Fillimisht, ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për evazion fiskal nga viti 2016 deri në 2019 dhe avokatët e tij kishin thënë se do të argumentonin se ai nuk ka vepruar “me dashje” ose me qëllim për të shkelur ligjin, pjesërisht për shkak të varësisë nga droga dhe alkooli.

Vitin e kaluar dështoi një marrëveshje paragjyqësore e Hunter Bidenit me prokurorët, sipas së cilës, ai binte dakord të pranonte fajësinë për shmangie të pagimit të taksave, dhe Departamenti i Drejtësisë, në shkëmbim, nuk do ngrinte akuzën për armëmbajtje pa leje. Marrëveshja nuk u pranua nga gjykatësi, që vuri në dyshim disa aspekte të pazakonta të saj.

Vendimi i tij për të ndryshuar deklarimin mbi çështjen e evazionit fiskal, erdhi pasi gjykatësi lëshoi disa vendime paraprake për mbrojtjen, duke përfshirë refuzimin e dëshmisë nga një ekspert i mbrojtjes mbi varësinë nga droga dhe alkooli. Aktakuza pretendonte se Hunter Biden bënte jetë luksoze duke shkelur ligjin e taksave, duke shpenzuar paratë e tij për të qëndruar në hotele luksoze dhe gjëra të tjera, “me pak fjalë, për gjithçka tjetër veç pagimit të taksave”.

Avokatët e djalit të Presidentit Biden i kishin kërkuar gjyqtarit Scarsi që të mos lejonte prokurorët të nxjerrin në pah detaje të shpenzimeve të tij, duke përfshirë pagesat e bëra për faqe interneti me përmbajtje pornografike. Kjo sipas tyre do të shkatërronte imazhin e tij. Gjykatësi, përmes dokumenteve të gjykatës, njotoi se ai do t’i nën mbajë “kontroll të rreptë” paraqitjen e provave potencialisht të dëmshme.

Nëse do të lejoheshin, prokurorët mund të kishin paraqitur më shumë detaje të marrëveshjeve të zotit Hunter Biden jashtë shtetit. Këto marrëveshje kanë qenë në qendër të hetimeve republikane për familjen Biden. Republikanët shpesh, pa ofruar dëshmi, bëjnë përpjekje t’i lidhin këto marrëveshje me presidentin, duke e akuzuar familjen Biden për një skemë të dyshuar të shitjes së ndikimit në politikën amerikane.

Ekipi i prokurorit të posaçëm ka thënë se dëshiron t’u tregojë anëtarëve të jurisë për punën e zotit Hunter Biden për një biznesmen rumun, i cili sipas tyre, u përpoq të “ndikonte në politikën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara” ndërsa babai i tij Joe Biden ishte nënpresident. Mbrojtja thotë se prokurorët i publikuan detajet në lidhje me punën e Hunter Biden-it për rumunin para fillimit të gjyqit për të nxitur mbulimin mediatik dhe për të ndikuar tek anëtarët e jurisë.

Dhënia e dënimit në gjyqin tjetër ndaj Hunter Bidenit, ku ai u shpall fajtor, është caktuar për më 13 nëntor. Ai mund të dënohet deri në 25 vjet burg, por meqë ky është rasti i parë i shkeljes së ligjit, ka të ngjarë që ai të dënohet me shumë më pak vite burg, ose ta shmangë plotësisht burgun./VOA


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *