• |
ide | kryesore

Radha e Shqipërisë së rinovuar: pa Cikalleshin, Berishën e Gjasulën, Sylvinho ndërton anti-Ukrainën

F1, Sport, Video
Shqipërisë



“Nuk mendoj që ka ndonjë trajner që kënaqet vetëm me një barazim. Ne futemi në fushë për të fituar dhe punojmë vetëm për këtë gjë”. Një shprehje e dëgjuar edhe më parë nga tekniku i kombëtares së Shqipërisë Sylvinho, si për të treguar se synimi është fitorja. Tre pikë që braziliani do të kërkojë t’i marrë në debutimin në transfertën me Ukrainën në Çeki. Një skuadër e rinovuar pas tërheqjeve të Cikalleshit e Gjasulës e me të tjerë që janë një hap larg marrjes së vendimit, por që sërisht ka krijuar paqartësi në përzgjedhje.

Mbetën jashtë emra të rëndësishëm dhe nuk u thirrën disa talente që ndoshta e meritojnë, ndërsa pasi la jashtë për një kohë të gjatë përfaqësuesit e kampionatit shqiptar, çuditërisht Sylvinho u kthye të thërrasë Hadrojin, Spahiun e Zekën. Nuk është Europiani vërtetë, por edhe Nations League është e rëndësishme dhe niveli i kundërshtarëve nuk lejon eksperimente. Sidoqoftë, Sylvinho kërkon t’i japë Shqipërisë debutimin e duhur.

Në të gjitha zgjedhjet do të ketë diskutime, por ajo për të mbajtur në pankinë Arbër Hoxhën, pasi mosaktivizimi i tij u trumpetua si arsyeja përse nuk morëm më shumë pikë në Euro 2024, duket si e destinuar për polemika: “Nuk është e thjeshtë, Arbër Hoxha ende nuk ka nisur një ndeshje si titullar. Në mars e ftuam në Kombëtare, ka luajtur dy miqësore”, tha Sylvinho si paralajmërim për të mos startuar me anësorin e Dinamos.

FORMACIONI I MUNDSHËM KUQEZI

Dëmtimi i kapitenit Gjimshiti para ndeshjeve të kombëtares i ka krijuar shqetësime brazilianit, që ka dilemën për të vënë në krah të Ismajlit një mes Kumbullës e Mihajt. Mbrojtësi i ri i Espanyol nuk ka vazhdimësinë që duhet në të tilla ndeshje, por Mihaj nuk është se ka bërë paraqitje impresionuese kur është thirrur në çështje. Kështu, si Hysaj që me mosprezencën e tij në konferencën zyrtare tregoi se është parakaluar nga Balliu në krahun e djathtë. Në të majtë i sigurtë është Mitaj.

Diga përpara mbrojtjes është e njohur tashmë me boshtin Asllani-Ramadani, ndërsa Laçi duhet të jetë në majën e e trekëndëshit, për të asistuar Bajramin në të majtë e Asanin në të djathtë, në mbështetje të Manajt si qendërsulmues.

Kombëtarja shqiptare udhëtoi të enjten drejt Pragës në kuadër të ndeshjes ndaj Ukrainës, që luhet sonte, në stadiumin “Epet Arena” në orën 20:45. Kuqezinjtë janë në grupin 1 të Ligës B, edhe me Gjeorgjinë e Republikën Çeke, që do të përballen me njëra-tjetrën në Mikheil Meskhi Stadium, në orën 18.00.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *