• |
ide | kryesore

Zgjidhet liderja më e re e Tajlandës, vajza e ish-kryeministrit të rrëzuar nga grushti i shtetit

Lajme, Planet



Parlamenti i Tajlandës ka zgjedhur Paetongtarn Shinawatra, vajzën e manjatit miliarder dhe ish-liderit Thaksin, si kryeministre të vendit.  Në moshën 37-vjeçare, ajo do të jetë kryeministrja më e re e vendit dhe gruaja e dytë në këtë post, pas hallës së saj Yingluck.

Zgjedhja e Paetongtarn Shinawatra vjen vetëm dy ditë pasi ish-kryeministri Srettha Thavisin u shkarkua nga një gjykatë kushtetuese. Të dy janë nga Partia Pheu Thai, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 2023, por formoi një koalicion qeverisës.

Paetongtarn është anëtarja e katërt e klanit Shinawatra që bëhet kryeministre në dy dekadat e fundit. Tre të tjerët, përfshirë babain e saj Thaksin dhe hallën Yingluck, u rrëzuan nga grushtet e shtetit ose vendimet e gjykatës kushtetuese.

Rrethanat e emërimit të Paetongtarn janë një kujtesë e ashpër se sa i kufizuar është fuqia e qeverive të zgjedhura në Tajlandë. Të enjten, Paetongtarn u shpreh se e admironte punën e Srettha dhe mendonte se shkarkimi i tij ishte për të ardhur keq.

“Ne jemi mbledhur këtu sot për t’i treguar njerëzve se jemi të vendosur dhe të gatshëm për ta shtyrë vendin përpara,” u tha ajo gazetarëve të enjten në selinë e partisë së saj, ku u propozua si kandidate për kryeministre.

E shkolluar në shkolla elitare në Tajlandë dhe në universitet në MB, ajo kaloi disa vite duke punuar në grupin e hoteleve Rende të familjes Shinawatra, ku burri i saj shërben si zëvendës shef i investimeve. Ajo iu bashkua Pheu Thai në 2021 dhe u emërua udhëheqëse e partisë në tetor 2023.


2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *