• |
ide | kryesore

Siguria gjermane

Arkiva, Sport
gjermania.jpg



Deklarata e ish-futbollistit të Anglisë, Gary Lineker, se “futbolli është lojë në të cilën 22 futbollistë vrapojnë pas topit dhe në fund Gjermania del fituese”, nuk është thënë kot, pasi edhe statistikat tregojnë diçka të tillë.

Kështu, në 13 nga 20 kampionatet botërore, vetëm gjermanët nuk janë eliminuar asnjëherë në çerekfinale.
Përfaqësuesja e Gjermanisë ishte në çerekfinale çdo herë prej vitit 1954 e deri në vitin 1970.

Më pas suksese të tilla Gjermania ka pasur edhe në periudhën nga viti 1986 e deri më sot. Pra nëse llogariten botërorët ku është zhvilluar çerekfinalja klasike, vetëm gjermanët kanë fituar në 13 çerekfinale nga 13 sa janë mbajtur.

Vetëm tri herë kampion

Edhe pse Brazili është pesë herë kampion botëror, Italia katër herë, e Gjermania tre herë (Argjentina e Uruguai nga dy herë, Franca, Spanja e Anglia nga një herë), është e pabesueshme se vetëm Gjermania nuk dështon rëndë dhe është përfaqësuese më stabile se të tjerat.

Pas 13 çerekfinaleve, gjermanët 11 herë arritën në gjysmëfinale, kurse 7 herë në finale të kampionateve botërore. Kjo do të thotë se gjermanët jo rrallë i humbin ndeshjet shumë të rëndësishme, por kjo nuk e zvogëlon mbizotërimin e tyre ndaj të tjerëve në manifestime më të mëdha të futbollit.

Kampionati Botëror në Brazil është në vlugun më të madh. Ndoshta gjermanët nuk do të behën kampionë botëror, por është e qartë se sipas statistikave janë favoritë në duel me Francën. Për dallim nga gjermanët, të cilët në çerekfinale kanë luajtur 13 herë, brazilianët këtë e kanë bërë 11 herë, anglezët 8 herë, kurse argjentinasit 7 herë.

Evropianët, mjeshtër të çerekfinaleve

Nëse merren parasysh çerekfinalet sipas kontinenteve, del se përfaqësueset e Evropës janë pa konkurrencë të denjë. Kjo për faktin se nga 104 çerekfinale, Evropa ka marrë pjesë në 69 të tilla. Suksesin më të madh evropianët e kanë pasur në vitin 1958 në Kampionatin botëror në Suedi dhe 1994 në SHBA, kur kishin nga 7 përfaqësuese në çerekfinale.

Më së paku çerekfinalist evropianët kanë pasur në Botërorin e Afrikës së Jugut, kur kishin vetëm tri përfaqësuese në çerekfinale (Holanda, Gjermania dhe Spanja).

Sa u përket ndeshjeve çerekfinale, atëherë Amerika e Jugut është menjëherë pas Evropës. Deri tash përfaqësueset e këtij kontinenti kanë qenë pjesëmarrëse në 26 çerekfinale. Në përqindje pjesëmarrja e kontinenteve në çerekfinale të botërorëve do të dukej kështu: Evropa 66 për qind, Amerika e Jugut 25 për qind, bota tjetër 9 për qind.

Është interesant se gjatë kampionateve botërore, skuadrat nikoqire shumë shpesh kanë hyrë në çerekfinale, më përjashtim të Zvicrës në vitin 1954, të SHBA (1994), Japoninë dhe Korenë (2002) dhe Afrikës së Jugut (2010).