• |
ide | kryesore

Radikalizmi islamik dhe besnikëria ideologjike e “Vetëvendosjes”

Arkiva, Ide
blerim latifi.jpg



Reagimi i vonuar dhe gjithsesi ndryshe i “ Lëvizjes Vetëvendosje” ndaj arrestimeve të fundit të elementëve të radikalizmit islamik në Kosovë, shumë kujt i shkaktoi habi. “Lëvizja Vetëvendosje” doli me qëndrimin se ekstremizmi islamik nuk është problem në Kosovë, por problem janë ata që po flasin mbi të, mediat, qeveria dhe policia që ka bërë arrestimet.
Nuk ka asgjë për t’u habitur në këtë qëndrim. Duke mbajtur një qëndrim të tillë “Vetëvendosje” vetëm se po respekton me konsekuencë bindjet e saj ideologjike. Në çështjet që kanë të bëjnë me politikën ndërkombëtare dhe religjionin në këtë mes, ata që kujdesen për bindjet ideologjike në këtë subjekt politik duket se gjithmonë kanë ruajtur një linjë të qartë majtiste.
Kjo është në përputhje me ideologjinë themelore të “Vetëvendosjes”, e që është i ashtuquajturi “nacionalizmi i majtë “( Left-wing nationalism).
Dy parime themelore të nacionalizmit të majtë janë vetëvendosja kombëtare dhe anti-imperializmi. Sipas parimit të parë, popujt duhet të jenë ata që vetë vendosin në gjithçka për vetveten. Vetë emri “Vetëvendosje” e përmban në mënyrë eksplicite këtë parim.
Sipas parimit të dytë, në të gjitha konfliktet ndërkombëtare ku përzihen fuqitë e mëdha kemi të bëjmë me përpjekje të tyre për sundim dhe shfrytëzim kolonial të vendeve të dobëta, prandaj rrjedhimisht parimi kërkon që të mbështeten ata që supozohet se përbëjnë palën e dobët, të shfrytëzuarit dhe të shtypurit. Parimi i dytë na thotë se shkaqet e të keqes nuk duhet t’i kërkojmë në xhaminë e Mosulit ku bën thirrje për xhidad khalifi i ISIS-it, por në Uashington, Londër a Paris.
Pothuajse të gjitha politikat e “Vetëvendosjes” derivojnë prej këtyre dy parimeve, në këtë rast edhe trajtimi i problemit të religjionit. E në kuadër të kësaj edhe refuzimi i saj për të mbështetur ligjin për ndalimin e qytetarëve kosovarë që të marrin pjesë në luftëra të huaja. Këto parime shpjegojnë edhe faktin pse kemi marrëdhëniet të ftohta në mes të Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Shikuar në kontekstin global në qarqet e të majtës, sidomos asaj ekstreme, gjithmonë ka ekzistuar një lloj tolerance dhe ndjenje solidariteti ndaj radikalizmit islamik. Kjo mes tjerash shpjegohet edhe me faktin se mendimtarët e majtë gjithmonë kanë qenë të prirë të mendojnë se problemi i religjionit e konflikteve religjioze është vetëm një mistifikim manipulues që bëhet me qëllim për të fshehur konfliktet klasore dhe ekonomike në shoqëri të ndryshme.
Ideologët e “Vetëvendosjes” duket ta kenë përvetësuar në mënyrë krejtësisht dogmatike këtë pikëpamje. Vetë Albin Kurti në një intervistë të para disa muajve në KTV e krahasonte gjendjen në Kosovë me atë në Irak. Sipas tij konfliktet sektariste në Irak janë të nxitura nga vetë sundimtarët kolonialë amerikanë, të cilët, sipas tij, u thonë arabëve merruni dhe grinduni për atë se kush e mbron interpretimin më të drejtë të Kuranit, derisa ne po e marrim naftën tuaj.
Një situatë, me premisa të ngjajshme, sipas Kurtit e kemi në Kosovë: kur po duan të plaçkitin pasuritë e Kosovës përmes privatizimit, në mënyrë që kjo të kalojë në heshtje, sundimtarët kombëtarë e ndërkombëtarë e problematizojnë religjionin. Merruni ju me Irfan Salihun a Shefqet Krasniqin, e ne po e marrim, ta zëmë, Trepçën. Logjikisht kjo do të thotë se vetëvrasësit sektarë dhe terroristët e ISIS-it që po përgjakin Irakun del të mos jenë vrasës, por viktima të një plani kolonialist për të vjedhur naftën e Irakut. Ndërsa këtu në Kosovë tipa si puna e Irfan Salihut a Zekirja Qazimit, nuk janë njerëz që bëjnë thirrje për dhunë dhe intolerancë, por njerëz të manipuluar në kuadër të një plani për të plaçkitur Kosovën. Të tilla janë konsekuencat e të menduarit dogmatik dhe skematik.
Obsesioni dogmatik i të majtës është se për të gjitha të këqijat mbi faqen e dheut fajtor është kapitalizmi liberal, e meqë gardiani i këtij kapitalizmi janë SHBA-të, atëherë del se ato janë pikërisht burimi i të keqës. Në këtë pikë anti-amerikanizmi islamik puqet me anti-amerikanizmin majtist. Pikëprekjet ideologjike pastaj natyrshëm krijojnë edhe ndjenja të solidaritetit reciprok.
Duke qenë robër të kësaj dogme shumë mendimtarë majtist edhe në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë serbe në vitin 1999 u rreshtuan krah Milosheviqit duke menduar se ky i fundit po bën një luftë kundër imperalizmit amerikan derisa po masakronte shqiptarët e Kosovës. Ia vlen të përmenden këtu tre më të njohurit: linguisti amerikan Noam Chomsky, filozofi maoist francez Alain Badiou dhe ish ideologu i lëvizjeve komuniste në Amerikën Latine, francezi Regis Debray. Ky i fundit, madje, në majin e vitit 1999 nën përcjelljen e policisë serbe kishte bërë një vizitë në Kosovë “për t’ia dëshmuar botes perëndimore dhe presidentit francez nga vendi i ngjarjes se në Kosovë nuk po ndodhin krime kundër shqiptarëve”. Rasti i Debray tregon fuqinë e dogmës, fuqi që nganjëherë të verbon dhe nuk të lë t’i shohësh faktet edhe kur i ke para syve.
Si mund të shpjegojmë me skemën e anti-imperialistëve fakte të tilla si intervenimi amerikan në Kosovë për të shpëtuar një popull nga regjimi fashist i Milosheviqit dhe tani intervenimin poashtu amerikan në veriun e Irakut për të shpëtuar një minoritet fetar nga shfarosja prej terroristëve të ISIS-it?
Ndoshta, mund të thonë anti-imperialistët, po na shpëtojnë për të na plaçkitur më pas. Ndoshta shokë anti-imperialistë! Na keni mësuar se imperalistët kurrë nuk mendojnë mirë! Edhe kur bëjnë mirë e bëjnë me hile, prandaj lëreni Milosheviqin ta spastrojë Kosovën nga shqiptarët dhe ISIS-in ta zhdukë nga faqja e dheut një fe më të lashtë se islami e krishterimi. Kauza ka rëndësi, jo jetët njerëzore, apo jo!
(www.gazetaexpress.com)