• |
ide | kryesore

Koncerti i Zdravkos në Tiranë

Arkiva, Ide
ballsor_hoxha.jpg

Në jetën e bukur të mundshme dhe përplot me kënaqësi të le të themi viteve tetëdhjetë, në ish – Jugosllavi, ka pasur njëlloj identifikimi të shqiptarëve kosovarë me “starët” e këtij shteti. 

Ndër “star-ët” më të shkëlqyeshëm ka qenë Zdravko Çoliq, imazhi i tij artistik dhe këngët kanë qenë të lehta, të bukura dhe të pranueshme, ka pasur këngë si “Pusti, pusti modu” (lëre, lëre modën) që injoronin tërësisht rrymat politike të këtij vendi. 

Në rrugë të Prishtinës së këtyre viteve ke mundur të shihje shqiptarë me flokë të rregulluara, me rroba dhe me të folur e mimikë të këtij këngëtari. 

Ka pasur dhe shumë “star-ë” të tjerë që prej Kroacisë e deri te Maqedonia (sot e njohur si ish-republikë e Jugosllavisë).

Zdravko Çoliq ka qenë i njohur si “srcelomac” (në anglishte heartbreaker, ose në shqip zemërthyes, sigurisht i atyre të femrave).

Shqiptarë të zhytur në mirëqenien jugosllave të kombeve dhe kombësive të ish-Jugosllavisë ndiqnin të gjitha bëmat e tij dhe sigurisht thyenin zemrat e vashave shqiptare (dhe serbe) në stilin e këtij “star-i”.

Shpërthimi i asaj që e kemi pësuar të gjithë kosovarët që prej fundit të viteve tetëdhjetë, kishte shkëputur “marrëdhënien” shqiptaro – çoliqiane dhe shumë të rinj të formësuar përmes identifikimit me Zdravko Çoliqin kishin mbetur të mashtruar, të tradhtuar dhe të dyshimtë në universin e ri kosovar, atë të pas 1999-ës.

Po ashtu shenjë identifikimi e të rinjve ka qenë dhe bendi “Bjelo Dugme”, me Goran Bregoviqin. 

Dhe të dy këta së voni kanë rifilluar lidhjen me shqiptarët, megjithëse këtë herë me ata në Shqipëri. Goran Bregoviq aq më shumë mban çelësin (simbolik ) të dhuruar të vetë Tiranës.

Dhe sa herë ndodh kjo “hapja” kozmopolite e tiranasve ndaj muzikës serbe, del në pah konflikti në mes të Tiranës dhe Prishtinës, konflikti socio-kulturor i dy vendeve që tanimë historinë moderne e kanë të ndryshme nga njëra-tjetra, po aq sa e kanë të ngjashme kosovarët me serbët (mendohen këtu zhvillimet kulturore) dhe shqiptarët e Shqipërisë me rusët e Bashkimit Sovjetik.

Muzika e bukur është universale, është strukturë harmonike që flet me të brendshmen tonë dhe vetëm me fjalët e shtuara ajo del në sipërfaqe me përkatësi nacionale dhe etnike.

Ta marrim si shembull një këngëtar tjetër-Genën. Imazhi, mimika, muzika (pra harmonia tingullore) dhe semiotika (e brendshmja) e teksteve të tij, si dhe struktura e teksteve të tij (mënyra si e rrëfen, kryesisht, vuajtjen e tij për ndonjë të dashur) janë qind për qind greke, ndryshon nga greqishtja vetëm kuptimi sipërfaqësor gjuhësor në këngët e tij. Dhe ky këngëtar është një prej më të popullarizuarve në Kosovë. Për kosovarët kjo është njëlloj muzike tërësisht ekzotike dhe në të njëjtën kohë i flet “vuajtjes” kosovare.

Por ja një shembull tjetër paksa më i komplikuar: kënga “Të ka lali shpirt” (nëse nuk e kam gabuar titullin). Besoj se shumë kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, në dëgjimet e para kjo këngë u ka shkaktuar problem në të kuptuarit e tekstit. 

Problemi duke qenë se intonacioni fonetik, mënyra si këndohet, mënyra si shprehet refreni (dhe tërë teksti) është joshqiptare, është tërësisht intonacion i tjetër gjuhe. Apo kënga: “E kuqja” nga Ardian Gaxha dhe vogëlushi. Tërë skema, struktura dhe shprehja muzikore e këtij vogëlushi është turke. Nuk ka të bëjë asgjë me shqipen. Tërë i kënduari i tij është këngëtim turk.

Dhe nuk dua të tingëlloj këtu nacionalist, ose racist. Këta shembuj të mësipërm nuk ceken si diçka për t’u urrejtur ose ndaluar, janë këtu për të trajtuar diçka tjetër. 

Derisa punoja me një antropolog kiliano-belg na kishte rastisur ta dëgjonim Sabri Fejzullahun, dhe ta shihnim në televizion. 

Dhe i njohuri im kishte bërë një pyetje krejt të çuditshme derisa e shikonim Fejzullahun: pse ky këngëtar iranian po këndonte në televizionet kosovare. I ofenduar i kisha treguar se ishte këngëtari shqiptar më modern i Kosovës. Por me njohjen e tij shkencore antropologjike dhe përvojën disavjeçare të të jetuarit në Iran, ai kishte dëshmuar se tërë imazhi i tij dhe muzika ishin kombinim i qindpërqindtë i pop muzikës, ose muzikës moderne iraniane.

Ta marrim një shembull më të guximshëm: Adelina Ismaili është tërësisht identike, në simbolikën dhe veprimin e saj me le të themi Ceca Razhnjatoviqin e Arkanit. 

Sigurisht Ismaili ka të tjera bindje, shumë shpesh nacionaliste shqiptare, ka muzikë origjinale dhe skenografi gjithashtu origjinale. Por shikuar në strukturë, p.sh. duke krahasuar atë që ajo simbolizon, në një zhveshje nga trendët, dukjet sipërfaqësore, ajo ka të njëjtin status dhe simbolikë sociale dhe kulturore me këngëtaren serbe të lartcekur. 

Ka shumë të rinj që kanë filluar të shprehin, thonë, fjalë shqipe me theks amerikan. Apo kombinim të germëzimit shqip me atë amerikan, duke krijuar fjalë të reja. Tërë kjo duke qenë nën ndikim të Hip-Hop-it. Dhe për më shumë është huajtur tërë struktura qeniesuese (p.sh. të qenët i përvujtun nga sistemi, i ndjekur nga sistemi, konsumues i narkotikëve, të trajtuarit e femrës siç është trajtuar femra afroamerikane në shekujt e skllavërisë, të besuarit në revolen personale) e afroamerikanit si mënyrë jetese e kosovarit shqiptar (por jo vetëm këtij sigurisht, është trend global).

Muzika e arrirë ka efekt shndërrimi të vetëdijes së njeriut, dëgjuesit, së paku për kohën e dëgjimit të saj. Ajo e shënjon dëgjuesin, krijon efekt, duke e transformuar atë në një person të ndryshëm prej momentit të dëgjimit të saj. Dua të them muzika nuk ka kufij fizikë, është shënjim që shkrin këta kufij. Dhe të gjithë ata që e dëgjojnë ndoshta nuk duhet marrë si “normal”.

Dhe ndoshta shqiptarët e Shqipërisë nuk janë “normalë”, derisa e dëgjojnë Zdravko Çoliqin në koncert, janë të shkrirë kufijve që kryesisht krijohen nga vuajtja. 

Ndoshta ajo që harrojmë në konfliktin socio-kulturor me Tiranën është izolimi pesëdhjetëvjeçar i tyre, në krahasim me lirinë tonë pesëdhjetëvjeçare. Sipas Rugovës refuzimi estetik (si arritje e lartësuar kulturore) është i mundshëm vetëm pasi të kesh provuar (pranuar se ekziston) atë që e refuzon. Është një proces i tërë, së pari vjen pranimi dhe vetëm pastaj vjen refuzimi. Dhe ndoshta problemi është te kosovarët që nuk lejojnë muzikën të shkrijë muret e krijuar nga vuajtja, ose tanimë kanë arritur të dinë të refuzojnë. Por ajo që përkryhet në të jetuarit emocional, mënyra si e trajtojmë një popull të tërë (atë të Shqipërisë), është ironia, djalli i modernizmit.

Kthehu