• |
ide | kryesore

Gary Lineker: ‘Fifa më bën për të vjellë dhe Blatter e drejton si diktator

Arkiva, Sport
Gary-Lineker-011.jpg



Gary Lineker thotë se e gjithë historia e korrupsionit brenda Fifa-s e bën për të vjellë dhe se vendimi që Kampionati i ardhshëm Botëror i 2022 të luhet në Katar është thjesht qesharak. Lineker ishte pjesë e delegacionit që loboi për Anglinë si kandidate për zhvillimin e Botërorit 2018, i cili do të zhvillohet tashmë në Rusi dhe thotë se Anglia  nuk duhet të kandidojë më për organizimin e një evenimenti të tillë, nëse e vetmja mënyrë për të fituar është nëpërmjet shkarjes nga rregullat.

Në një intervistë për revistën GQ ish sulmuesi anglez tha: “Isha me David Beckham duke ngrënë një burger një natë para se të jepej vendimi për Katarin. Ishim vënë të gjithë në lëvizje për të marrë sa më shumë mbështetje për Anglinë. Si ne, edhe Princi William dhe David Cameron. I thashë Becks: ‘Ne jemi i vetmi vend që po e bën këtë. E gjithë kjo vjen erë. Kjo punë është e paravendosur.’

“Në fakt, gjithë kjo puna e Fifas të bën për të vjellë. Korrupsioni në nivele kaq të larta vërtet të sëmur nga stomaku.  Sepp Blatter nga ana tjetër e ka drejtuar atë institucion si një diktator i vërtetë dhe rezultati është një gjë pa kuptim.”

I pyetur për vendimin që Kupa e Botës 2022  të luhet në Katar, Lineker, që prej vitesh është tashmë dhe një nga prezantuesit sportivë kryesorë të BBC, u përgjigj: “Qesharake. Nuk jam kundër që Kupa të shkojë në vende të ndryshme të botës, po ndoshta njeriu mendon se ata mund ta dinin që në atë vend vera është tmerrësisht e nxehtë. Edhe mund ta dinin, po kush e thotë! Duhet bërë kujdes se ç’thua. Korrupsioni është… jaaak.”

Lineker sugjeroi se e vetmja mënyrë për të sjellë një ndryshim në Fifa është që vendet “e pastra” ta bojkotojnë Kupën e Botës, por njëkohësisht pranoi se një gjë e tillë nuk do të ndodhte. I pyetur nëse ai e sheh Fifa-n si të korruptuar dhe të paaftë, Lineker tha: “Po dhe më vjen keq që është kështu, sepse ky është një sport kaq popullor dhe për miliona njerëz do të thotë shumë. Nga ana tjetër, Anglia luan shumë drejt e drejt dhe këtë nuk e them si kritikë. Ne duhet të reagojmë për çfarë mendojmë se është e drejtë. E vetmja mënyrë se si gjërat mund të ndryshojnë është që vendet e pastra të ngrihen e të thonë: ‘E di çfarë? Ne nuk marrim pjesë në turnetë sportive të organizuara nga ju.’ Por nuk shoh që kjo të ndodhë. Në lojë tani është shumë më tepër se një ndeshje futbolli.”