• |
ide | kryesore

iPhone 6, problemet e para

Arkiva, Stil
iphone.jpg



Një javë nga nxjerrja në treg e iOS 8, Apple nxorri dhe update-in e tij të parë të cilin e tërhoqi menjëherë pas ankesave nga përdoruesit për probleme të shumta.  “As sinjal e as TouchID pasi bëra iOS8.0.1 update. Apple e ktheu iPhone-in tim 6  në një iPod.”, shkruan një nga të zhgënjyerit e shumtë në faqe sociale.

iOS 8.0.1 u nxorr në treg për të korrigjuar disa probleme të vogla që ishin vënë re në  iOS 8, por ndryshe nga ç’pritej i ktheu problemet e vogla, në difekte të mëdha që rezultuan në ndërprerje sinjali telefonik dhe mos funksionim të Touch ID – sistemi i njohjes përmes gjurmëve të gishtërinjve që u përdor në iPhone 5s, 6 dhe 6 Plus.  Tërheqja e  iOS 8.0.1 mendohet të jetë e para për Apple, që përmes një zëdhënësi deklaroi: “Kemi marrë raportime për probleme me iOS 8.0.1 update. Raportimet po investigohen intensivisht dhe do t’ju japim informacion për këtë sa më parë që të mundemi. Ndërkohë kemi tërhequr iOS 8.0.1 update.”

Lajmi mbërriti në fund të një jave me zhvillime kontradiktore për Apple. Të hënën, kompania lajmëroi se kishte thyer të gjitha rekordet me hapjen e shitjeve të iPhone 6 dhe 6 Plus gjatë fundjavës, duke shitur me shumë se 10 milionë aparate në vetëm tre ditë. Megithatë, gjatë javës pati shumë raportime nga përdorues të ndryshëm se telefonat e tyre të pajisur me ekran më të madh se modelet paraardhëse dhe një kasë super të hollë alumini, kishin filluar të përthyheshin.

Deri tani Apple nuk ka nxjerrë ndonjë deklaratë në lidhje me këto raportime, por opinioni në komunitetin teknologjik është i ndarë nëse një përgjigje nga Apple është e nevojshme ose jo.   Disa përdorues thonë se  kompania ka detyrim të paktën të paralajmërojë klientët për probleme të mundshme, ndërsa të tjerë thonë se rivalë të Apple, që nga Sony e deri tek HTC kanë hasur më parë probleme të ngjashme, por i kanë trajtuar si raste të keqpërdorimit dhe mos mirëmbajtjes të aparateve nga ana e përdoruesve.