• |
ide | kryesore

Kush kërkon ta shohë Kosovën të mjerë

Arkiva, Ide
petro.jpg



Po t'i lexoni propagandistët opozitarë në Kosovë këto ditë, do të hasni shpesh në një referencë që përsëritet gjithandej pejsazhit medial anti-qeveritar: se Kosova është në top 10 vendet më të mjera në planet. Sipas tyre, Kosova qenka më keq se Gaza palestineze dhe fare pranë Zimbabves me stil dhe standard të jetës. 
Fillimisht eksplodoi Facebooku dhe rrjetet e tjera sociale ndërsa më vonë edhe alamet kryeredaktorë e analistë kosovarë të spektrit politik opozitar njëzëri filluan të pohojnë se punët i kemi aq keq sa jemi në 10 vendet më të prapambetura në mbarë planetin. E tërë java kaloi me përkujtimin se Kosova qenka një vend në top listën e 10 vendeve më të mjera në rruzullin tokësor. Mbi këtë premisë pastaj ndërtohen argumentet tjera se qenka Qeveria e Kosovës ajo që është fajtore për këtë situatë të një mjerimi përtej mjerimit.
Nëse nuk e njihni Kosovën apo nëse e urreni Kosovën (sidomos nëse jeni propagandist qeveritar serb) modeomos se pajtoheni me këtë pohim: Kosova është një vrimë e zezë e korrupsionit, krimit, mjerimit dhe nuk ka shoqe në mbarë Europën dhe është edhe në majë të planetit për nga standardi i keq i jetësës. Prandaj duhet të quhet shtet i dështuar.
Megjithatë ju lus për pak kujdes. Mos besoni gjithcka që lexoni në shtypin kosovar anti- qeveritar dhe në postimet e atyre që më përpara e përshkruajnë Kosovën të zezë që ta nxijnë qeverinë se sa ta shohin Kosovën e bardhë (apo së paku gri) se mos pahiri po ju zbardhet edhe Qeveria në postimet e tyre.
Citati i sipërpërmendur vjen nga revista Business Insider dhe kjo i jep një kredibilitet fillestar pohimit se Kosova qenka vendi më mjeran në botë. Por duhet të dini se lista e cituar është e vjetër ca vite. Nuk e di se pse apo si, por ja që edhe më 2014 po citohet përsëri një listë e cila u citua e stërcitua edhe më herët. Edhe kur u botua për herë të parë, një lexues i vëmendshëm do ta vërente se Business Insider nuk është se ka qenë në Kosovë por thjeshtë ka përdorur një formulë matematikore duke futur të dhënat zyrtare të papunësisë, prodhimit vendor bruto, inflacionit e disa të tjera, për ta nxjerrë Listën zyrtare të mjerimit. Të dhënat e përditësuara statistikore flaisn për një realitet tjetër të Kosovës dhe në listën e fundit të Business Insider, Kosova nuk është as në mes të 30 “vendeve më të mjera”. Sipas listës së botuar më 2014, vendet më të mjera në mbarë rruzullin tokësor janë: Venezuela, Irani, Sernia, Argjentina, Xhamajka, Egjipti, Spanja, Afrika e Jugut, Brazili, Greqia…
Eshtë e qartë se kjo listë e re e Business Insider që gjendet në linkun http://wwww.businessinsider.com/most-miserable-places-in-the-world-2014-4 nuk është edhe aq e mjerë. Aty janë edhe dy shtete të BE-së (Greqia dhe Spanja) ndërsa gjenden edhe shtete që i imagjinojmë të jenë mjaft të hareshme si Brazili apo Afrika e Jugut, që kanë qenë edhe nikoqire të kampionateve botërore të futbollit.
Por mendjet e ndryshkura të pejsazhit medial kosovar nuk dëshirojnë të mendojnë racionalisht e as të lexojnë të dhëna të reja statistikore. Nuk dëshirojnë të dijnë se në Kosovë, përkundër të gjitha ankesave që kemi, çdo qytetar për nivelin e arsimit dhe shëndetësisë apo edhe korrupsonit, ka pasur progres të hatashëm në vitet e fundit. Rindërtimi pas konfliktit, ndërtimi i infrastrukturës, rritja ekonomike, eksplozioni i Internetit e kanë transformuar Kosovën. Kurrë në 100 vitet e fundit, e rrjedhimisht edhe kurrë më herët në histori, Kosova nuk ka qenë më e pasur, me jetëzgjatjen mesatare më të lartë dhe me popullatë më të arsimuar. Problemi është se ne kemi qenë aq ulët në të gjitha parametrat zhvillimorë, kemi qenë me të vërtetë aq të mjerë me shekuj të tërë sa që progresi i sotshëm nuk është i mjaftueshëm për pritjet e një popullatë të tërë që ka pritur e pritur shumë për të parë pak diell. Gjithsesi në Kosovë ka shumë njerëz që jetojnë jetë të mjerë– janë këta humbës të tranzicionit që i gjejmë gjithandej Europës Lindore. Kohërat kanë ndryshuar dhe vlerat e klasës së mesme, prej pushimeve verore e deri tek iPhonët, janë norma minimale që arrihen me numër shumë më të madh të punësimit se sa që Kosova ka sot. Por në vend se të kemi një debat të mirëfilltë për politika zhvillimore, ne kemi ngecur në një vorbull akuzash absurde prej të cilave Kosova nuk sheh hajër. Të themi se kemi jetë më të mjerë se Gaza nuk është empirikisht e saktë, por poashtu edhe e helmon diskursin publik në atë masë sa që ka potencial të mjegullojë krejtësisht rrugën tonë përpara. Ndoshta ky është edhe qëllimi i atyre që insistojnë në teorinë e mjerimit kosovar– të krijojnë tokë të pjellshme për dhunë dhe ndryshime të dhunshme të Qeverisë.
E kjo është e mjerë, më shumë se situata e Kosovës në vitin 2014.
 
*Autori është Zëvendës Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës. Shkrimi nuk përfaqëson mendimin e institucionit dhe në Shqipëri botohet ekskluzivisht në Lapsi.al