• |
ide | kryesore

Përse Rama duhet të tregohet i ndryshëm nga liderët nacionalistë të Ballkanit

Arkiva, Ide
BatonHaxhiu.jpeg



Një lodër dhe një pëlhurë çmendi Ballkanin. Një simbolikë parashtroi brishtësinë dhe idiotsinë e Ballkanasve që gjuhën e konfliktit e kanë nën dhëmbë.
Vuçiç bisedoi me Bajden dhe Merkel. Premtoi se do të jetë promotor i stabilitetit në Rajon. Ai ka bërë telefonatë edhe Gruevskit dhe Gjukanovicit për të treguar se janë të rrezikuar nga ideja e Shqipërisë së madhe. Por çka fshihet prapa gjithë kësaj dhe a ka besim Evropa në lidershipin Ballkanik.
Brukseli po e përshkruan Ballkanin me krizë serioze të lidershipit, konkretisht në Maqedoni, Serbi, Bosnjë, Mal të zi. Së fundi ka nxjerr në fokusim Edi Ramën si model të liderit që nuk është i mbështjellë me nacionalizëm primitiv, që s’ka prejardhje me gjuhën e konfliktit dhe me arkaizëm në lidership. 
Lideri maqedonas është figurë shumë problematike për Evropën! I korruptuar, autokrat dhe me ngjyrë të fortë nacionaliste. I rrezikshëm për ta çuar vendin në konflikt dhe i bindur se ka të drejtë në atë që bën.
Mali i Zi ka një lider të fortë, me një kohëzgjatje prej 30 vitesh në pushtet, gati feudal në trajtimin e shtetit dhe në atë që ofron për qytetarët e tij. 
Serbia, ka një lidership të shpërndarë. Kryetari i shtetit, Nikoliç ka një fuqi në partinë e tij dhe ka bërë që një pjesë e Ushtrisë dhe policisë të jetë e ndarë në shpërndarjen e fuqisë politike.
Daçiç ka një strukturë solide në parti dhe ka dominim tek një pjesë e infrastrukturës shtetërore. Ishte i pari që reagoi gjatë përshkallëzimit të ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Vuçiç është model i politikanit që Evropa ka investuar, por me pak fuqi në shtrirjen e autoritetit në një pjesë të policisë dhe Ushtrisë. Rrahja e vëllait të tij tregoi se hallkat në komponentën e sigurisë janë të shpërndara dhe kanë potenciale shkatërruese si në kohën e Gjingjiqit. 
Bosnja është në pikën më të ultë të fuqisë së lidershipit dhe as nuk ka asnjë shpresë për të gjetur liderin e tolerancës që bashkon qytetarët e Bosnjës.
Kosova ka probleme serioze në këtë moment dhe nuk ia vlen të shkruhet për rrjedhën e asaj që do të vijë.
Dhe, këtu na del Berlini dhe ideja e krijimit të një modeli të liderit që nuk është i veshur me nacionalizëm dhe nuk është kontrapunkt i një lideri tjetër nacionalist matanë kufijve.
Dhe natyrisht, Serbia po bën çmos ta dobësoi figurën e Ramës si të tillë.
Fokusimi i sulmeve në figurën e Kryeministrit Rama është e nxitur nga pakënaqësia e qeverisë serbe me rolin udhëheqës që iu dha Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama gjatë samitit rajonal në Berlin. 
Qeveria shqiptare duhet të përqendrohet në menaxhimin e sulmeve ndaj Kryeministrit Rama dhe duhet të mbrojë prestigjin dhe rolin e Republikës së Shqipërisë të spikatur në samitin e Berlinit. 
Strukturat shtetërore të Serbisë konsiderojnë se roli i shtetit lider në rajon i takon Serbisë dhe rrjedhimisht do të duhej të ishte Kryeministri Vuçiç që do të duhej të prezantohej në simbolikën e udhëheqësit rajonal. 
Qëllimi i dytë ishte lënia në hije e pakënaqësive të disa qendrave evropiane me vizitën e Presidentit Putin në Beograd. 
Qëllimi i fushatës së sulmeve kundër Kryeministrit Rama, përfshirë edhe përfshirjen e vëllait të tij dhe përforcimi i këtyre sulmeve nga vetë zyrtarët më të lartë shtetëror, ka për qëllim prezantimin e Kryeministrit Rama si ideator të provokimit me dronin fluturues që bart hartën e Shqipërisë etnike. 
Duhet cekur se qëllimi prapa portretizimit të Kryeministrit Rama si ideator është krijimi i bindjes se Kryeministri Rama është promotor i idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe rrjedhimisht paraqet kërcënim për stabilitetin rajonal. Përzgjedhja e fjalëve se Shqipëria nuk është vend normal dhe se shqiptarët janë njerëz që ushqejnë urrejtje, të thëna nga zyrtarët serbë, po ashtu janë në funksion të këtij qëllimi.  
Përpos fushatës me deklarata publike, për të përforcuar këto teori, zyrtarët serbë janë duke ushqyer diplomatët perëndimorë edhe me idenë se Kryeministri Rama e ka ideuar provokimin me dronin fluturues në mënyrë që të mund të menaxhojë opozitën nacionaliste në Shqipëri që kundërshton vizitën e tij në Beograd. Sipas zyrtarëve serb, Kryeministri Rama ka zgjedhur të luajë me stabilitetin në Serbi dhe rajon për qëllime të konsumit të brendshëm politik në Shqipëri. 
Në takimin me Ambasadorin e BE-së Davenport, por edhe me diplomatë të tjerë, zyrtarët serbë kanë thënë se kuptojnë presionin e opozitës shqiptare, por nuk mund të tolerojnë sjelljet e papërgjegjshme që rrezikojnë stabilitetin rajonal. 
Nuk ka asnjë indikacion konkret se qeveria serbe po përgatit ndonjë provokim apo fyerje për Kryeminstrin Rama gjatë qëndrimit të tij në Beograd. Por, si masë ndëshkuese, qeveria serbe është duke shqyrtuar mundësinë që të mos lejojë vizitën ne luginë të Preshevës dhe kthimin në Shqipëri nëpërmjet pikë kalimeve me Kosovën, të cilat Serbia nuk i konsideron pika kufitare. 
Duhet cekur se në çastin kur në Beograd kanë ateruar mysafirët VIP nga Shqipëria, Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar diplomatët evropianë se në mesin e delegacionit shqiptar ka provokatorë me qëllime për të destablizuar Shqipërinë. Nuk ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për të shpjeguar saktësisht logjikën prapa këtij veprimi apo mbi çfarë baze autoritet serbe kanë bërë këtë denoncim paraprak. Megjithatë, shikuar nga perspektiva post-factum, ky veprim ngre shumë pikëpyetje. 
Megjithkëtë, Rama duhet të shkojë në Beograd. Duhet të shkojë për arsyet që ceka më lart dhe për arsye që do të parashtroj më poshtë.
Vizita Beogradit është në agjendën e Ramës që prej marrjes së detyrës. Është dashur të jetë pjesë e turneut të parë në rajon, që përfshinte vizitat në Malit të Zi, Maqedoni, Kosovë dhe Serbi. 
Vizita e paraparë Serbisë ështyë shtyrë me kërkesën e Beogradit, për shkak të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Pastaj edhe një here tjetër është shtyrë (shkurt 2014) për shkak të zgjedhjeve në Serbi.
Të shtyhet edhe një herë për shkak të një ndeshjeje do të ishte tepër. Do të ishte dorëzim para ekstremizmit. 
Gjithnjë do të ketë forca që janë kundër normalizmit të marrëdhënieve Shqipëri – Serbi. 
A duhet pritur edhe 70 vjet që të krijohen rrethanat normale për vizitë?
Shqipëria, sipas Ramës, është e përcaktuar për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Interesi vital i shtetit është stabiliteti dhe siguria në rajon. Me Serbinë duhet biseduar për arsye se kemi probleme të rënda historike dhe aktuale. 
Ky është kontribut për normalizimin dhe rruga evropiane e Shqipërisë. 
Dialogu mund të jetë i vështirë dhe në rrethana të papërshtatshme, por ideja është se duhen ndryshuar rrethanat. Le të konstatohen mospajtimet edhe për Kosovën dhe gjërat tjera. Por, ama t’i thuhet Serbisë se e ka gabim, se është edhe në interesin e saj që të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe politikën e fqinjësisë së mirë. 
Nëse vizita do anulohet, le ta bëjë këtë Beogradi. 
Aroganca e pushtetarëve serbë vërtet jep pretekst të qasjes armiqësore ndaj Shqiprisë dhe ndaj vetë Kryeministrit Rama, që të shtyjnë të mendosh kundër vizitës. Por le ta thotë Beogradi se ata nuk e duan vizitën në këto rrethana. Ashtu siç thanë se nuk i duan tifozët Shqiptarë. Nuk ka pse Rama të tërhiqet ngta axhenda e tij.
BE dhe aleatët insistojnë që vizita të ndodhë. Nuk ka arsye që të bëhet e kundërta. Është një sfidë për Beogradin, e do apo nuk e do normalizmin e marrëdhënieve me Shqipërinë?
Lekura e Edi Rames do jetë në shitje nga mënyra se si do ta kalojë testin e Beogradit.
(artikulli eshte shkruar per Lapsi.al. Titulli eshte i lapsi.al titulli i origjinalit eshte Lekura e Edi Rames)