• |
ide | kryesore

Emrat e atyre që e mbrojtën krimin (A duhet rihapur dosja e lirimit të Xhuvanit?)

Arkiva, Ide
Kostandin Xhuvani gjykata.jpg



Kush do përgjigjet sot përpara tre prindërve fatkeqë, dhe një qytetari të ndjerë italian, nëse ashtu sikurse dyshon policia, vrasësi i tyre dyshohet të jetë 25 -vjeçari Kostandin Xhuvani? Ngjarja bëhet disa-fish më e dhimbshme, po të mendohet se djali i deputetes, Luiza Xhuvani, ka kryer edhe më parë një vrasje tjetër në shkurt të vitit 2011, ku mbeti i vdekur Alfred Musabelli. Po t'i kthehemi tani dosjes së gjykatës për këtë vrasjeje (e plote ne rrubriken Lajme te Lapsi.al), ajo duket thjeshtë një skandal. Sipas vendimit të marrë nga gjyqtari Gerd Hoxha, ai u dënua vetëm me tre vite burg. Një e treta e këtij dënimi minimal iu fal sepse ai e pranoi krimin. Xhuvani u lehtësua me këtë masë pavarësisht se për tre muaj ai ndejti në arrati dhe u dorëzua vetëm pasi familjarët e tij morën garanci nga prokuroria dhe policia. Një tjetër gjë e dyshimtë e kësaj dosjeje kriminale është edhe fakti se qytetari tjetër, Albi Zela u dënua vetëm me 6 muaj më pak se Xhuvani, thjeshtë se nuk kallezoi krimin. Një skandal më vete që duhet rishikuar. Ashtu siç duhet rishikuar krejtësisht dosja e vendimit nr. 2027 të marrë nën presion. Natyrisht gjykatësi Gerd Hoxha është përgjegjës. Natyrisht po ashtu përgjegjës është edhe prokurori Shpetim Kurti, që ka ngritur akuzën (këtu është luajtur edhe loja politike) dhe ka kërkuar vendim minimal. Madje kur për interesa politike ministri Eduart Halimi, kërkoi rishqyrtimin e kësaj dosjeje, doli vetë kryeprokurorja Ina Rama që tha se këtu po cënohej pavarësia e prokurorisë.

Pra kjo dosje duhet rihapur, sepse tani që u vranë katër vetë, ata që e përpiluan atë dosje mund të thuhet se janë po aq fajtorë sa vrasësi.

Po aq fajtorë janë edhe të tjerët; ata politikanë socialistë që ndërhynë në të gjithë hallkat e drejtësisë, që djali i koleges së tyre të lirohet. Po aq fajtor është edhe Edi Rama, që ende nuk ka folur. Boll të shikohet sot Facebooku i tij për të kuptuar irritimin e njerëzve për ata që ka marrë në mbrojte.

Po aq fajtor është edhe Ilir Meta që bën sot (pikërisht ai) thirrje për barazi përpara ligjit për të gjithë.

Po aq fajtor është sot edhe Sali Berisha, që akuzoi tiumviratin e grushtit të shtetit Ina Rama, Edi Rama, Bamir Topi, për lirimin e Kostandin Xhuvanit. Po të mos harrojmë se ai në atë kohë ishte në pushtet. Bëri një zhurmë politike sikur do fillonte procedim për këtë dosje dhe pastaj kur nuk iu desh më politikisht, as nuk u interesua, për arsyet se si një vrasës dënohet vetëm me dy vite burg.

Të gjithë ata janë fajtorë. Por kryefajtorë janë ata gjyqtarë, që e liruan vrasësin e provuar duke i dhënë mundësinë (nëse akuza provohet) që të kryejë vrasje të tjera.