• |
ide | kryesore

Luana Vjollca u përgjigjet kritikave

Arkiva, Paparazzi
luanaaaa.jpg



Ka vetëm pak ditë që ka lansuar surprizën e saj të fundit për fansat. Kësaj here, prezantuesja Luana ka bërë “coverin” e këngës “Try” të Colbie Caillat dhe e ka publikuar në rrjetet sociale. Edhe pse ajo ka treguar se këngën e ka pasion dhe e bën për të kaluar kohën, shumë komentues janë treguar të ashpër me të, duke e fyer për zërin e saj. Natyrisht që, kur bëhet fjalë për një personazh si Luana Vjollca, interesi ka qenë mjaft i madh. Të shumtë kanë qenë miqtë që e kanë komplimentuar moderatoren simpatike për këtë produksion. Nga ana tjetër, ka pasur dhe nga ata kritikë që nuk e kanë pëlqyer. Në “fan page”-n në Facebook, fansat kanë shkruar se Luana nuk di të këndojë dhe se nuk duhet të merret me muzikë.

E kontaktuar nga “Bluetooth”, Luana u përgjigjet kritikave të fansave. “Në faqen time në Facebook kam lansuar “coverin” tim të fundit. Në fakt kishte vetëm pak minuta që ishte lansuar kjo në profilin tim kur nisën të vijnë dhe komentet e para. Ata njerëz që kishin kritikuar nuk kishin marrë mundimin as ta dëgjonin këngën, pasi kishte shumë pak që kishte dalë. Nuk i quaj fansa të mi, por dashakeqë që marrin përsipër të japin opinionin e tyre, apo më mirë të vjellin vrer për diçka që ende s'e njohin”, ka thënë Vjollca.

Ata komentues, Luana i quan “kritikë ndaj gjithçkaje”, pasi sipas saj, ata janë jo vetëm në faqen e saj, por edhe në faqe të tjera – janë po të njëjtët që japin të tilla kritika dashakeqëse.

“Nuk më shqetësojnë të them të vërtetën. Unë muzikën e bëj për pasion dhe do të vazhdoj ta bëj për sa kohë unë ndihem mirë. “Coverin” vendosa ta bëja një mbrëmje që ndihesha disi e mërzitur. U ndjeva më mirë kur këndova dhe mua më pëlqeu shumë. Muzika nuk është puna ime. Nëse do të kishte nga ata që do të më kritikonin për punën time si moderatore, edhe do të ndihesha keq, por më kritikojnë për një pasion timin. Mund të shtoj që jam ndjerë mirë dhe e lumtur nga miqtë dhe fansat e mi që me të vërtetë e kanë dëgjuar këngën dhe e kanë pëlqyer atë”, rrëfen biondja simpatike e “Top Channel”.

Muzika është një pasion i Luanës, por shprehet se në një të ardhme mund ta shikojë dhe me prioritet. “Aktualisht jam mirë në profesionin tim. Kurrë mos thuaj kurrë, por për momentin muzika nuk hyn në planet e mia. Këndoj për pasion dhe do të vazhdoj të këndoj. Ku i dihet, ndoshta një ditë muzika do të ketë prioritet në planet e mia”, mbyll prononcimin e saj, Luana./Bluetooth/