• |
ide | kryesore

Çfarë po festojnë Rama dhe Meta?

Arkiva, Ide
images.jpg



Ai ishte aty, por ata nuk e panë! Nuk e shohin asnjëherë. As Kryeministri i vendit; as Kreu i Kuvendit. Nuk e panë as kur u përkulën përpara portretit të tij në Berat; as në varrezat e dëshmorëve në Përmet; as në nderimet në Tiranë. E pa dhe reagoi vetëm Ambasadori Amerikan, një diplomat i zënë në kurth. Një diplomat që detyrohej të ecte përpara portretit të njeriut që ishte armiku më i madh i vendit të tij; politikanit që ka bërë deklaratat më makabre ndaj Amerikës, Britanisë, NATO – s apo Bashkimit Europian. Arkitektit të izolimit shqiptar; të luftës së klasave dhe mbi të gjitha, të njeriut, që masakroi pikërisht ata që luftuan për çlirimin e Tiranës që festohej sot! “Fatkeqësisht fotot e diktatorit Enver Hoxha e njollosën ceremoninë e sotme në nderim të dëshmorëve. Një fyerje për shqiptarët. Aleksandër Arvizu”! Ky ishte mesazhi që ai publikoi sot në tëitter, duke vijuar një paralajmërim që më herët ishte bërë edhe nga Ambasadori i BE dhe ambasadorë të tjerë me ndikim në Shqipëri. Por natyrisht, Arvizu nuk ka si ta dijë se ajo që ndodhi sot ishte një fyrje edhe për ata që realisht morën pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës. Dhe meqenëse Rama dhe Meta nuk dinë t’ja shpjegojnë, nuk e kuptojnë, apo nuk duan ta kuptojnë, po jua freskoj me një dokument: “Nderi ma i math për këtë fitore kaq të shkëlqyeshme i takon s’parit Komandantit të Korp Armatës së Parë, Major Gjeneral Dali Ndreut dhe Komandantit të Divizionit të Parë, Kolonel Mehmet Shehut, bashkë me komisarët e tyre, Hysni Kapo e Kristo Themelko.” Ky është shënimi që gazeta Mundimi bën më 23 nëntor 1944 duke komentuar çlirimin e Tiranës. Rama dhe Meta duhej t’i kishin shpjeguar Ambasadorit se Mehmet Shehu (heroi i luftës së Tiranës siç e kam mësuar unë në shkollë), u vetvra apo u vra 37 vjet pas kësaj beteje. Ai u shpall armik dhe agjent i CIA amerikane, KGB – së Sovjetike dhe UDB – së Jugosllave. Dali Ndreu, u pushkatua bashkë me gruan e tij, edhe ajo luftëtare, Liri Gegën, edhe pse në momentin e pushkatimit gruaja ishte shtatzënë dhe ata prisnin një fëmijë. Kristo Themelko u burgos dhe u internua derisa regjimi komunist ra. Vetëm Hysni Kapo pati një fund të pa trazuar nga ata që Shqipëria i njeh si njerëzit që luftuan për të çliruar Tiranën. Nëse Meta, padyshim sponsori politik i kësaj shëmtie historike, pretendon se po nderonte luftëtarët partizanë, atëherë mund të pyetet fare mirë, përse nuk ishin aty edhe portretet e Shehut, Ndreut, Themelkos dhe Kapos, por vetëm ai i Hoxhës? Nuk ka dyshim që gjithë këta bashkë, kanë përgjegjësinë e tyre të madhe për diktaturën komuniste madje edhe ditët e luftës në Tiranë. Por nëse flitet për luftë, ata kanë qenë aty. Ngritja e portretit të Hoxhës nuk ka lidhje me luftën, por me simbolikën e regjimit komunist që ai përfaaqëson. Me izolimin, luftën ndaj SHBA, Europës, perëndimit dhe demokracisë. Këto fosile të izolimit, ithtarë të Stalinit, janë atje si dëshmia e plotë që kjo klasë politike sot në mazhorancë, nuk distancohet dot nga e shkuara. Ideja e krijimit të një identiteti të majtë duke përdorur foton e diktatorit, nuk është gabim, është akoma më shumë, atentat ndaj demokracisë dhe asaj që të gjithë ne aspirojmë, Bashkimit Europian! Për të mos e zgjatur më shumë dhe i bindur që Rama dhe Meta janë direkt përgjegjës për atë që ka ndodhur dje, kam një pyetje të thjeshtë për ta? Po festojnë fitoren mbi fashizmin apo instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri? Nëse festojnë këtë të fundit, mund të vijojnë me fotot dhe portretet e Enver Hoxhës. Nëse festojnë fitoren mbi fashizmin, atëherë duhet të kujtojnë edhe protagonistët e saj. Po i ndihmoj në këtë rast: Komandant i Brigadës së I – rë ishte Mehmet Shehu. Doli armik dhe u eleminua. I Brigadës së II Beqir Balluku, doli armik dhe e vranë! I së tretës Hulusi Spahiu, doli armik dhe u burgos. I së IV Nexhip Vinçani, doli armik dhe u burgos. I së V fillimisht Abaz Shehu e më pas Shefqet Peçi. Vetëm Peçi mbijetoi. I së VI, Tahir Kadare, doli armik dhe u burgos. I së VII Gjin Marku e më pas Kadri Hoxha, të dy dolën armiq e u burgosën. I së VII Petrit Dume e më pas, Hamit Keçi e Sadik Bekteshi. Të gjithë dolën armiq, i pari u pushkatua, dy të tjerët u burgosën. E kështu e rradhë. Po vijoj me një tjetër statistikë. Nga 13 anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjatë luftës, Mustafa Gjinishi u vra dhe u shpall armik; Koçi Xoxe u pushkatua dhe u shpall armik; Dali Ndreu u pushkatua; Liri Gega u pushkatua; Nako Spiro u vetvra dhe u shpall armik; Bedri Spahiu vuajti 30 vjet burg; Abaz Kupi u arratis dhe u dënua me vdekje në mungesë ndërsa Spiro Moisiu dhe Ramadan Çitaku jetuan thuajse në harresë. Pra më shumë se gjysma u eleminuan nga Hoxha vetë. Nëse Rama dhe Meta fëstojnë 70 vjetorin e luftës, a nuk e ndjejnë që përmes fotove të Hoxhës fyejnë dy herë ata që qenë protagonistët e luftës. I fyejnë duke mos i përmendur askujt emrin dhe i fyejnë duke ju lartuar portretin e një njeriu që i eleminoi një pas një. Fakti që Rama dhe Meta nuk shohin nuk është argument, as justifikim, është thjeshtë paaftësia e të dyve që të dalin dhe të përballën hapur me të vërtetën. Nëse e duan Hoxhën le ta pranojnë këtë; nëse besojnë se ai s’ka vend aty, ta bëjnë ashtu siç duhet bërë. Dhe t’i japin fund pyetjes, po festojnë betejën ndaj fashizmit, apo instalimin e diktaturës më të frikshme që Europa ka njohur në gjysmën e dytë të shekullit të XX – të!