• |
ide | kryesore

Cila eshte semundja e Edi Rames

Arkiva, Ide
10754980-10152425783551479-148206729-n-4891-7650-1.jpeg



Kohë më parë, në Tiranë, po diskutonim me disa gazetarë të atjeshëm raportin interesant në mes të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit. Po më interesonte të dija se cila do të mund të ishte arsyeja kryesore që i lidhte Ramën dhe Thaçin. Çfarë pëlqejnë tek njëri-tjetri, sepse realisht, për arsye të ndryshme, ata do të duhej të mos ishin aq afër njëri-tjetrit. "Edi mendon se Hashimi është shumë i fuqishëm si lider, prandaj e xhelozon në ketë pikë. Kurse Hashimi mendon se Rama është shumë i mençur, prandaj edhe ky e adhuron, e, e xhelozon në pikë". Ketë definicion e dha njëri prej gazetarëve të Shqipërisë, emrin e të cilit nuk po e përmend sepse nuk e dija që do ta citoja. Qeshëm të gjithë të pranishmit, duke e konstatuar së bashku se e kishte gabim edhe Edi për Hashimin, e, edhe Hashimi për Edin. Madje, se sa i fuqishëm ishte Thaçi, po besoj që Edi duhet të jetë bindur javët e fundit. Idoli i tij politik sapo i është nënshtruar kundërshtarit kryesor në politikë, Isa Mustafës. Pra, njëri mit sapo është rrënuar. Hashim Thaçi nuk është më aq i fuqishëm, sa do ta ketë menduar Edi këto 10-15 vitet e fundit.

 
Tash çfarë ka mbetur të dëshmohet, dhe vërtetohet, është vetëm edhe fakti se as Edi Rama, nuk është aq erudit, sa e mendon Hashim Thaçi, e me gjasë edhe një numër i madh i pjesëtarëve të shoqërisë civile, e mediave, në Kosovë, të cilat, siç u pa edhe nga një tryezë e organizuar nga Lëvizja Fol, e kishin pranuar pa kurrfarë problemi ndjenjën e të qenit inferior, madje edhe të paditur, në secilin aspekt përballë Edi Ramës.
 
Nuk ka asnjë dilemë që shqiptarët e Kosovës i kanë pikë të dobët liderët e Shqipërisë. Këtu edhe më tutje ka të tillë që janë në gjendje që të flasin, dhe ta mbrojnë madje publikisht edhe për kasapin më të madh të kësaj pjese të Europës, Enver Hoxhën. Madje ka të tillë që njëkohësisht e adhurojnë edhe Enver Hoxhën, e, edhe Ahmet Zogun. Madje ka të tillë që, në ketë treshe e fusin edhe Sali Berishën. Kjo është një rrëmujë totale, ku arsyeja nuk vihet fare në përdorim. E tash, si duket, i kanë ardhur edhe minutat e Edi Ramës. Ky i fundit, pas performancës së bukur në Beograd, ka depërtuar në zemrat e kosovarëve ashtu siç kishte depërtuar Enver Hoxha me fjalimin e tij pas demonstratave të vitit 1981, ose ashtu siç kishte depërtuar edhe Berisha – me fjalë.
 
Parimisht këtu nuk duket të ketë asgjë të keqe. Që shqiptarët e Kosovës e duan liderin e Shqipërisë, kjo mund të jetë vetëm një gjë e mirë. Thotë më shumë për popullin, sesa për liderin shqiptar. Por rreziku ekziston, sikur edhe herëve të tjera, që këta liderë, të fillojnë të abuzojnë me popullaritetin e tyre tek masat. E posaçërisht duke e konsideruar Prishtinën si një paralagje të varfër të Tiranës, në secilin kuptim të mundshëm te fjalës. Para së gjithash, në aspektin intelektual e kulturor. Dhe artisti Edi Rama, sot, i rrethuar prej një duzine vajzash dhe çunash të kompleksuar, ndihej i plotësuar. Duke e nuhatur një ambient tërësisht të nënshtruar dhe nën këmbët e tij, Rama, gjatë paraqitjes së tij, për shembull, nuk hezitonte të lëshonte, gjoja, batuta, edhe ndaj personave të hendikepuar. Marrë parasysh arrogancën e Ramës, e posaçërisht bindjen e supremacisë përballë të pranishmëve në sallë, që ishin të gatshëm të qeshnin pa kushte ndaj 'batutave' të tij, u frikësova se mos Rama do të shkonte edhe më larg sa ta tallte Agim Vatovcin, pse nuk ishte i gjatë sa gjithë të tjerët, por kishte ngelur i hendikepuar.
 
Tash disa fjalë për artistin Rama, si Kryeministër
 
Anash, të gjitha këto, por për mua është irrituese, e bajate po e po, dëshira e Ramës, që në secilën paraqitje të tij, të insistojë të flasë për 'artin' dhe 'kulturën'. Kinse me kompetencë. Kinse, sipas tij, në këtë lëmi, nuk ka konkurrencë në mesin e politikanëve tjerë. Kinse, ai e dallon të bukurën nga e shëmtuara, gjë të cilën, kinse, politikanët e tjerë shqiptarë nuk e dallojnë. Kinse, ai si Kryeministër, mund të flasë për ketë çështje me njerëzit e artit dhe kulturës, në një nivel tjetër, që politikanët e tjerë as nuk mund ta kuptojnë e as nuk mund ta përcjellin.
 
Është koha e fundit që ai ta tejkalojë ketë përparësi të tij, që tash gradualisht po i kthehet në një defekt serioz. Puna e Kryeministrit do të duhej të ishte shumë më serioze, e më komplekse, sesa planifikimet territoriale dhe planifikimi i shtëpive të shqiptarëve, a planifikimi i plazheve.
 
Tek e fundit, a është kjo puna primare e një Kryeministri të vendit. Plaga më e thellë dhe më e infektuar, e qeverive shqiptare, andej e këndej kufirit, kurrë nuk ka qenë stili i shtëpive që po ndërtojnë qytetarët. Ka qenë krimi dhe korrupsioni. Shoqëritë tona vazhdojnë të janë të prapambetura, jo pse është ngushtuar plazhi në ndonjë pjesë të bregdetit, por pse Kryeministrat, andej e këndej, sot e dje, ishin të rrethuar prej banditëve joideologjikë. Dëshiroj të them që sa herë e dëgjoj Ramën tek e devijon muhabetin kah arti e kultura, ketë e bën më qëllim që të mos e godasë gozhdën mu në kokë – e që është krimi dhe korrupsioni. E që për këto tema asnjë Kryeministër shqiptar, as andej e as këndej, nuk dëshiron të thotë asnjë fjalë të vetme.
 
E patjetër, në fund, dëshiroj t'i kthehem edhe njëherë 15 pikave të Papa Françeskut, të bëra në Curia'në e Kishës Katolike në Vatikan. Këto ishin, ato që Papa i quajti, 15 lëngatat e Kishës. E përmenda edhe para disa ditësh në një shkrim timin për Kishën, e njërën prej pikave, ose sëmundjeve, duhet ta përmend edhe tash. Ishte lëngata e 12 të cilën Papa e quajti: Sëmundja e fytyrës mortore. "Për ata që besojnë, që në mënyrë që të bëhen shumë serioz është e nevojshme që fytyrën e tyre ta vizatojnë me një pamje melankolike dhe të ashpër, dhe t'i trajtojnë të tjerët – posaçërisht ata që i konsiderojnë të parëndësishëm – me rigjiditet, arrogancë dhe vrazhdësi. Në realitet, ashpërsia teatrale dhe pesimizmi steril janë simptome të frikës dhe pasigurisë". I tillë duket Edi Rama. Dhe kjo duket të jetë edhe sëmundja e tij më serioze.