• |
ide | kryesore

Greqi/Zgjedhjet e reja, a do të ketë revolucion të majtë?

I pakategorizuar
siriza.jpg


Deputetët grekë dështuan të hënën për të zgjedhur presidentin e ri të Greqisë, duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të reja më 25 janar. Në këtë datë qytetarët helenë do t’i drejtohen kutive të votimit për të rizgjedhur 300 deputetët që do të përbëjnë parlamentin e ri (Vuli). Koalicioni i së majtës radikale, Siriza, që sipas një sondazhi të fundit të Palmos Analysis shkon deri në 29.9 përqind ka frikësaur tregjet dhe instancat evropiane. Të hënën në sallën e parlamentit të 71 deputetët aktualë të Sirizës e festuan këtë dështim që u hap atyre rrugën drejt pushtetit.

  Po çfarë politike ndjek Siriza ?

I lindur në fillim të viteve 2000 koalicioni i radikalëve të majtë lulëzoi pas krizës së vitit 2008 duke përfituar nga politikat e shtrëngimit të rripit. Disa nga propozimet e tyre janë: 

1.      Një moratorium për borxhet private që njerëzit kanë në banka

2.    Ngritjen e pagës minimale

3.    Anullimin e dy të tretave të borxhit publik

Pas gjashtë vitesh recesion dhe terapie shtrëngimi Siriza po tërheq gjithnjë e më shumë votues. Megjithëse ky vit pati një rritje të lehtë ekonomike përfitimet për 10,8 milionë grekë janë ende të padukshme. Të ardhurat mesatare kanë rënë me 35% që prej vitit 2009 dhe papunësia ka kapur shifrën e 25,7 % në shtator të këtij viti.

  Cilat janë shanset për këto zgjedhje?

Sriza arriti në 26,8 % gjatë garës elektorale të 17 qershorit 2012. Në zgjedhjet evropiane të majt 2014, ajo mbeti në shifrën e 26,7 %. Nëse këto fitore e kanë bërë me krahë, marrja e pushtetit duket ende e vështirë për koalicionin e majtë, sepse fitorja e 151 vendeve ngjan e pamundur sipas sondazheve të deritanishme. Kështu që Siriza mund të jetë e detyruar të shkojë drejt bashkëqeverisjes me parti të tjera. Në Athinë flitet se është gjetur gjuha e përbashkët me një parti tjetër të vogël të së majtës “Dimar”.

 

     Përse Siriza «tremb» tregjet financiare ?

Siriza e ka bërë gjithnjë të ditur se ajo nuk është për daljen nga Eurozona –  shunë friksuesen « Grexit » – por vetëm për rishikimin e politikave të shtrëngimit të rripit dhe sidomos për rinegocimin e memorandumeve. Këto dy marrëveshje kuadër të nënshkruara me trojkën (FMN, bankën evropiane dhe komisionin e BE-së) imponojnë reforma të forta për të siguruar shëndoshjen e financave publike në këmbim të një borxhi prej 240 miliardë eurosh. Por pretendime e Sirizës për ti rishikuar këto marrëveshje kanë trembur tregjet. Vetëm këtë të hënë bursa e Athinës humbi deri në 11% përpara se të mbyllej me -3,9%.

Edhe Komisioni Europian që zakonisht nuk ndërhyn në çeshtjet e brendshme e sheh me sy të keq fitoren e së majtës radikale në Greqi. Disa ditë përpara turit të parë të zgjedhjes së presidentit grek, shefi i komisionit Jean-Claude Juncker, deklaroi se ai nuk e shihte me sy të mirë fitoren e partive radikale në Greqi dhe uroi që në qeverinë e re të janarit të shikonte fytyra të njohura të atyre partive që kanë ndërmarrë reforma për një rritje të qëndrueshme të vendit.

   Kush është Alexis Cipras, lideri i Sirizës ?

Në më pak se dhjetë vjet, Alexis Cipras është shndërruar një një figurë të paanashkalueshme në politikën greke. Ky inxhinier 40 vjeçar, që inspiron të majtën evropiane, ka ardhur në jetë vetëm pak javë pas rrëzimit të diktaturës së kolonelëve, në vitin 1974. Ai ka aderuar fillimisht në gjirin e rinisë komuniste, pikërisht kur në Evropë po binte muri i Berlinit. Por më pas, ai u bë pjesë e një shizme që ndau partinë komuniste greke KKE, e që do të bëhej gjeneza e krijimit të koalicionit Siriza. Cipras u bë fillimisht shefi i të rijve në këtë organizëm të ri politik dhe fitoi popullaritet kur vendosi të kandidojë për bashkinë e Athinës në vitin 2006. Surprizë. Ai do të renditej i treti në këtë garë duke marrë 10% të votave. Dy vjet më pas ngjitja në krye të partisë, pas një gare me rivalin më tradicional Fotis Kouvelis, do ti hapte atij përfundimish dyert e politikës kombëtare.

Që prej kësaj kohe Alexis Cipras nuk ndalon të denoncojë politikat shtrënguese. Ai nuk ka nguruar gjithashtu të sulmojë edhe kancelaren Merkel, e cila në Greqi shihet si sjellësja e shumë prej fatëkeqësive. Në maj të vitit 2012, Ciparas deklaroi në aulën e parlamentit francez gjatë një takimi të organizuar nga partia komuniste: “Greqia është një vend sovran. Nuk i takon zonjës Merkel të vendosë nëse ne mund të bëjmë një referendum apo jo. Ajo është një partnere si gjithë të tjetërt, në një Europë ku nuk ka as pronarë dhe as qiraxhinj”.

Sot Alexis Cipras beson në fitoren e tij. Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të republikës që e çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, ai deklaroi: ‘Populli është i vendosur për ti dhenë fund shtrëngesave dhe memorandumeve. Qeveria e Samarasit, i përket të shkuarës”.

(le Monde/përgatiti Lapsi.al)