• |
ide | kryesore

E marta e zezë e Edi Ramës

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1).jpg



E marta e kësaj jave ka qenë një nga ditët më të erëta të pushtetit të ri të Edi Ramës. Policia jo vetëm nuk i dha zgjidhje krimit makabër në qendër dhe periferi të kryeqytetit, por ajo liroi pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, Emiliano Shullazin dhe mikun e tij, pavarësisht akuzave të opozitës se po tentohej të mbulohej ngjarja.

Pas skandalit në shëndetësi edhe sistemi arsimor u vu sërish nën dyshime për korrupsion,kur vetë truproja i ministres së arsimit u akuzua se i kërkonte para (3 mijë euro) kandidatëve për t’u punësuar. Pra kjo ngjarje vërtetoi edhe njëherë se rasti i pështirë i Lushnjes, që qelbej erë rryshfet dhe seks të ndyrë, nuk paskësh qenë i vetëm. Viroza e përhapur në të gjithë sistemin nuk zgjidhet as me testime fallco dhe as me portale online për denoncime.

Si të mos maftonin këto edhe një rast i vetëm i një vajze të re që kish denoncuar tek vetë kryeministri, një aferë koruptive, tregoi se kush guxon të mos «bëhet pjesë» pushohet nga puna. Luiza Gjonaj nuk do të jetë më në shërbimn civil, vetëm e vetëm sepse ajo nuk pranoi të vërë firmën e saj (në fakt e vuri por më pas e denoncoi) mbi një aferë korruptive.

Për më tepër, po sot, disa media oline bënë publike një denoncim të prezantuesit Adi Krasta, i cili e akuzonte kryeministrin e vendit për klientelizëm në tregun mediatik në vend dhe për shkatërrimin e televizionit publik i cili si për ironi të fatit mbahet me taksat e shqipëtarëve (të katërta këto histori gjenden në rubrikën lajme të Lapsi.al).

Natyrisht që për të gjitha këto histori, njerzit e qeverisë dhe ata që kurojnë mardhëniet publike të saj, mund ta kenë një përgjigje dhe një kundër argument. Për të gjitha akuzat mund të ngrihet një kundërversion dhe një alibi. Por edhe shumë orë pas publikimeve të tyre, nga pallati i kryeministrisë është heshtur. Me përjashtim të një prononcimi nga selia e PS-së, ku në mënyrë absurde edhe një vit më pas, akuzohej Berisha për gjendjen në të cilën la policinë, sot zyrat e pushtetit janë bërë edhe më memece. Ato u mjaftuan duke i zhdukur këto denoncime nga mediat e mëdha pranë qeverisë dhe vetëm kaq. Ruga që zgjodhën qe rruga e disfatës. Sepse koha ka treguar, që gjatë pushtetit të Berishës, se një qverisje nuk bëhet më e besueshme kur shndëron në memece mediat servile me të. Shqipëria e ka kaluar tashmë këtë fazë.  

Por ripërsëritja e saj tregon një tjetër gjë. Tregon se pushteti ka aritur në atë pikë ku nuk ka më forcë as të krijojë alibi për mëkatet e tij. A ka mbëritur në këtë pikë edhe qeverisja e Ramës? Ndoshta është shpejt të thuhet. Por një gjë mund të pohohet pa frikë. Se kur të vijë koha e bilancit të saj, kjo e martë do të mbahet mend me siguri, si dita kur mëkati i pushtetit, e mbyti fuqinë e tij për ta kundërshtuar qoftë dhe formalisht të keqen.  (lapsi.al)