• |
ide | kryesore

Rama, ky banor i “L’isola dei famosi”

-Instant, 1, Arkiva, Ide



Kryeministri Rama është shfaqur të mërkurën në mbrëmje në televizionin Italian “La 7” në një përpjekje për t’a shfrytëzuar këtë mundësi për promovimin e vendit përtej Adriatikut. Në shumë aspekte ia ka arritur. Me një italishte pothuajse perfekte, me batutën të gatshme, me një koncept bashkëbiseduesi prej lideri modern, ai bëri paraqitjen që do të donin të shikonin shumë shqipëtarë. E në këtë kuptim nuk ka asnjë surprizë, sepse deri këtu Rama ishte në rolin e tij: në atë të shitësit perfekt edhe për një produkt të dyshimtë. Ai di ta bëjë mirë këtë dhe të jetë aq bindës në ftesën që i bën investitorëve italianë që të sjellin kapitalet e tyre në Shqipëri, sa gazetarja e “Le invasioni Barbariche” ia ktheu me batutë: “mos i merrni të gjithë, na lini edhe ne ndonjë në Itali” (shiko lajmin dhe videon ne rubrikën Lajme/ lapsi.al).

Për të dhënë idenë se si vendi ka ndryshuar radikalisht, Edi Rama solli tre shembuj në La 7 . I pari ishte ai i një takimi me regjizorion e famshëm Gianni Amelio, me të cilin Rama ka pasur një takim para dy vjetësh. Ai i paskësh deklaruar se mendon të realizojë trajektoren e kundërt të filmit ‘Lamerica”, pra atë të italianëve që vijnë të kërkojnë punë në Itali. Duke folur me statistika, Rama përmendi se tashmë janë mbi 20 mijë qytetarë të përtej Adriatikut që kanë ardhur të punojnë në këto brigje. Dhe së treti ai përdori rastin e yjeve televizivë italianë të Agon Channel që po punësohen në Shqipëri. “Pra tani “Ishulli i të Famshmëve” jemi ne”,  tha kryeministri me një batutë.

Por megjithëse në rolin e promovuesit, ideja për të paraqitur Shqipërinë si “L’isola dei famosi” ku vijnë të punësohen italianë, ku zbarkojnë yjet e RAI-t dhe Mediasetit, ku ka kthyer sytë Cinecita-ja, është një imazh i remë. Shqipëria është së pari atdheu i papunësisë (a nuk fliste Rama deri një vit e gjysmë më parë për një milionë të papunë). Shqipëria është vendi i varfërisë ekstreme dhe diferencave të mëdha. Shqipëria është vendi ku një ivestitor i huaj mund të humbasë pasurinë në gjykata të koruptuara dhe ku duhet të paguaj rryshfet në çdo moment që hedh hapin në zyrat e shtetit.

Prandaj që ta paraqesësh atë si një “Lamerica” kokëposhtë mund të jetë një gjetje tërheqëse për një artist, por nuk mund të jetë kurësesi këndvështrimi realist i një kryeministri. Duke dashur të japë këtë imazh, më shumë sesa Gianni Amelios, Rama rrezikon t’i ngjajë Sali Berishës, që në kulmin e krizës i thoshtë të gjithë botës, se ekonomikisht ne renditemi të dytët pas Gjermanisë.

Por në këtë pasqyrë që Rama bëri për televizionin “La 7” ka edhe diçka të vërtetë. Duke dashur ta paraqesë Tiranën si vendin ku po zbarkojnë të famshmit, kryeministri bëri edhe një gafë nga padija. Me siguri, ai, që nuk njihet për ndonjë ndjekës fanatik i emisioneve të telerealitetit, ka dëgjuar titullin, por nuk e ka parë ndoshta kurrë “L’isola dei Famosi”. Sepse në këtë realityshow, të nisur fillimisht në Rai 2 e më pas në Canale 5, vërtet flitet për yje të famshëm, por ata zbarkojnë në një ishull të shkretë. Fabula e emisionit është mbijetesa e personazheve VIP, që duhet të gjejnë strehë për të futur kokën, zjarr për t’u ngrohur dhe ushqim për të rezistuar. Dhe në këtë xhungël fiton më i forti.

Natyrisht, Edi Rama nuk ka dashur të paraqësë të mërkurën në mbrëmje Shqipërinë si një xhungël të tillë. Por me sensin e batutës, ai është dashuruar pas titullit, pa u interesuar për përmbajtjen. Ka dashur të bëjë efekt, pa njohur brendësinë. Dhe në miniaturë kjo fabul i ngjan fiks asaj që tentoi të bëjë me promovimin e imazhit të Shqipërisë.

Duhet pranuar se ai shërbeu mirë si një vitrinë virtuale e vendit. Dhe për këtë duhet uruar. Por bashkë me këtë i duhet kujtuar gjithashtu se ai është zgjedhur aty ku është, jo si shitësi më i mirë i një Shqipërie virtuale, por si një mundësi më shumë për të bërë më të jetueshme Shqipërinë reale.

(Lapsi.al)