• |
ide | kryesore

Kur Edi Rama kërcënon Europën

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Tashmë është kthyer në një barsaletë shprehja alla nardndoka e kryeministrit Rama: “Shqiptarët kanë nevojë për Europën njësoj siç Europa ka nevojë për shqiptarët”. Kryeministri po e përdor aq shpesh sa edhe vetë ka harruar për çfarë ka dashur ta përdorë në fillim të herës. Së fundmi, e tha këtë perlë të mendimit të tij politik, në një intervistë me gazetarin Baton Haxhiun, si një lloj paralajmërimi për Europën, e cila duhet të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë sepse përndryshe… Sepse përndryshe, thotë Edi Rama, ajo, Europa, “mund të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorikë”.  
Më pas, kryeministri shqiptar e shtjellon idenë e tij duke nënkuptuar hapur se nëse Bashkimi Europian nuk do t’i pranojë sa më parë shqiptarët brenda tij, atëherë këta do të jenë të detyruar të bashkohen “jo në funksion të Bashkimit Europian, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, por si një reagim ndaj një verbërie apo një pertacie europiane… që të triumfonte me patjeter dhe pa asnjë mundësi të dytë linja e një bashkimi… ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë tërhiq e mos e këput të Europës dhe këtë qasjen tërhiq e mos e këput me njëri- tjetrin”.
Kjo tezë e Edi Ramës do të përkthehej ndryshe si një mesazh ndaj Brukselit, i cili ose duhet t’i pranojë brenda vetes shtete problematike si Shqipëria dhe Kosova ashtu siç janë, ose këto do të provokojnë trazira, do të kërkojnë bashkim, ndryshim kufijsh, shkurt do t’i sjellin andralla gjithë Europës. “Sot Europa ka nevojë për shqiptarët njësoj siç kanë nevojë shqiptarët për Evropën dhe në qoftëse Europa e shikon Ballkanin dhe e shikon zhvillimin në Ballkan si gjëra palidhje me fatet e saj dhe në qoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë se proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon, duhet t'i bashkëngjisë vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtetë që të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorikë”. Ky kërcënim, ndonëse me gjuhën e vizionarit që arrin të kuptojë atë që vetë Europa nuk e kuptuakërka dot vetë, nuk është i panjohur në këto anë. E kanë stërpërdorur shumë liderë ballkanikë, sa herë kanë dështuar të kryejnë “të famshmet detyra të shtëpisë”. Sa herë u është dashur të mbulojnë paaftësinë, korrupsionin, sundimin e një pakice, lidhjet me krimin, mungesën e shtypit të lirë, kompromentimin e shoqërisë civile, krizën ekonomike, varfërinë, papunësinë,  me një fjalë dështimin për të bërë një shtet normal brenda rregullave të demokracisë europiane. Kemi shëmbullin e liderëve në Maqedoni, atyre në Serbi apo edhe të paraardhësit të Edi Ramës në Shqipëri. Ish kryeministri Berisha i shtoi dozat provokuese të “albanofobisë”, të bashkimit të shqiptarëve, të mesazheve të forta patriotike, pikërisht kur qeverisja e tij mbeti në vendnumëro. Nënteksti ishte i qartë: na pranoni siç jemi, ose përndryshe do t’u krijojmë probleme.
Kryeministri Rama i ka hyrë shumë shpejt një politike të tillë. Nëse në një vit e gjysëm qeverisje, ai nuk ka mundur t’u afrohet objektivave të veta dhe kritereve të anëtarësimit në BE, për këtë nuk ka pse fajëson Europën. Ai nuk mund të kërkojë një integrim me pahir ose në të kundërt do të thyejë xhamat me gurë. Nuk është përgjegjësi e Europës pse Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europë, me nivele të lirive në zonat e kuqe, me kriminelë në Parlament dhe të korruptuar në qeveri, me mungesë të investimeve të huaja, me kriminalitet shqetësues dhe krim të organizuar. Sado që Europa të ketë nevojë për shqiptarët, ajo nuk mund të pranojë një shtet ku kryeminstri i jep mend Brukselit dhe nuk ka mend të rregullojë vendin e tij.
Sofizmat e Ramës në thelb nuk janë të panjohura për shqiptarët. Eshtë teksti i ri i një kënge të vjetër që fajin kërkon t’ua lërë të tjerëve, Europës, botës, armiqve të brendshëm e të jashtëm, ekstremistëve dhe qarqeve antishqiptare, që e kanë halë në sy vendin e shqiponjave. Eshtë kënga e hallit sa herë që udhëheqësit tanë përballen me dështimin e tyre. Përdorimi i patriotizmave apo më keq akoma i presioneve nacionaliste si ushqim për të mbushur barkun bosh nga paaftësia qeverisëse, është një taktikë që nuk funksionon. Nëse shqiptarët sot janë ende larg Bashkimit Europian, kjo nuk është për shkak të përtacisë, ekstremizmave apo verbërisë europiane, por të gjendjes në të cilën ndodhen. Këtë gjendje kryeministri Rama nuk mund ta kapërcejë me kërcënimet për bashkim të shqiptarëve në një shtet, por duke bërë detyrën për të cilën është votuar. Kërcënimet e tij, nuk trembin as laraskat sepse mjaftoi një fjali e Konçijançiçit nga Brukseli dhe kryeministri e ndryshoi gjuhën me të cilën foli në Ulqin. Por përpara gjuhës duhet të ndryshojë mendjen, sepse sado që Europa të ketë nevojë për shqiptarët, përsëri rrezikojmë të mbetemi larg saj.
/mapo/