• |
ide | kryesore

Si thyhet Erion Veliaj?

Arkiva, Ide
shamo.jpg



A e ka vërtet kaq të sigurt fitoren Erion Veliaj në Tiranë? Të gjitha shenjat që shohim, sugjerojnë që po. Sondazhet, mbështetja financiare nga ana e biznesit që ndjen i pari aromën e perspektivës së presë në fitime, rreshtimi i mediave në mbështetje apo heshtje karshi kritikave. Por me një vështrim të kujdesshëm do të zbulojmë se këto janë vetëm shenjat që Erion Veliaj dëshiron që ne të shohim.
Përveç tyre, ka edhe një mori sinjalesh të vogla e të parëndësishme në dukje, të cilat sugjerojnë të kundërtën.
Në radhë të parë, sinjali më i sigurt që flet në mos për humbjen e Erion Veliajt, së paku për një pasiguri të tmerrshme të tijën, është pikërisht ky obsession i paparë me padiskutueshmërinë e suksesit. Shikojini me vëmendje të gjitha takimet e Erion Velisë gjatë fushatës.
Më shumë se premtimet dhe sloganet, ajo së cilës ai i mëshon më shumë është PËRSHTYPJA se çdo gjë është në kontroll. Se fitorja është e padiskutueshme. Se është vetëm një formalitet: Këtë e shpreh gjuha e trupit, sforcimi për të lënë përshtypjen e njeriut të shpenguar dhe të sigurt në vetvete. Mëngët e përveshura shkujdesshëm, mimika tepërisht e qeshur dhe gazmore, akrobacitë e kollajshme gojore për çdo pyetje, adresimi me emra, nicknames apo shkurtesa ndaj bashkëbiseduesve për të krijuar idenë e komfortit. Nga një vështrim sociopatik, të gjitha këto janë simptoma të frikshme të një pasigurie që ulëret dhe kërkon të shtypet duke e tepruar në këtë shtypje.
Është vënë re edhe më herët, por ia vlen të përsëritet në një kontekst të ri: fshesa me korrent e Edi Ramës që mblodhi me forcë thithëse në koalicionin mbështetës të Erion Velisë çdo parti a partiçkë me kuç e me maç, nuk është as shenjë sigurie e as shenjë solidariteti dhe dëshire për të ndarë pushtet. 
Gjithashtu, zërat se mbështetja për Erion Velinë në sondazhet paraprake të Partisë Socialiste ishte katastrofike, po konfirmohen nga vrulli me të cilin sot stafi i tij po bombardon publikun me sondazhe të tjera që thonë të kundërtën. Pikërisht ky vrull për t’iu përgjigjur sondazheve me sondazhe, tradhton atë që Erion Veliaj kërkon të ngulisë tek njerëzit. 
Me pak fjalë, edhe pse ngjan në pamje të parë e sigurt, fitorja e Erion Velisë në këto zgjedhje do të ishte në të vërtetë një habi edhe për ata që vënë bast për të. Dhe të mos harrojmë se ky është një bast për të fituar të cilin është bërë rëndshëm hile dhe ndërhyrje.
Pavarësisht sforcimit djersitës të Erion Velisë për të krijuar përshtypjen e një mbështetjeje totale dhe të gjithanshme ndaj tij, në të vërtetë, një analizë e ftohtë të thotë se sot Erion Veliaj është më pa mbështetje se kurrë. Me përjashtim të Edi Ramës dhe rrethit të ngushtë të një skuadre që Erion Veliaj e importoi me vete nga Mjafti dhe më pas nga G99, askush tjetër nuk është i interesuar për fitoren e tij.
T’i marrim me radhë të gjithë faktorët: Në rresht të parë është sigurisht PD-ja, e kundërvënë direkt jo vetëm ndaj Partisë Socialiste, por kryesisht ndaj modelit të Edi Ramës në këtë parti. Të mos harrojmë që Edi Rama dhe Erion Veliaj sollën në Partinë Socialiste një model menaxhimi partiak të kopjuar si me karbon nga partitë e spektrit të djathtë kudo në Europë. Ata sollën modelin e mbështetjes tek sektori privat dhe mbështetja për këtë sektor. Ata sollën modelin e zhdukjes së trashëgimisë socialdemokrate të PS-së, të traditës së saj majtiste duke ofruar një model që më shumë ngjan me destinacionin ku do të duhej të përfundonte Partia Demokratike nëse do të zhvillohej si një parti normale e djathtë. Në një kuptim, rrethi i Edi Ramës i ka vjedhur Partisë Demokratike ideologjinë. Tek PS-ja e Edi Ramës gjejnë sot veten më shumë biznesmenë, ish pronarë dhe ish kulakë se kurdoherë tjetër në Partinë Demokratike në historinë e saj 24 vjeçare. Për këtë arsye, PD sot sipas gjasave do të ishte totalisht e gatshme të investohej në skema të dukshme a të fshehta që do të sillnin thyerjen e grupimit të Ramës dhe Erion Velisë brenda Partisë Socialiste por jo të vetë rivales së tyre historike, vetë Partisë Socialiste.
Së dyti, të painteresuar për fitoren e grupimit të Edi Ramës në PS të përfaqësuar nga Erion Veliaj janë vetë socialistët tradicionalë. Për gjatë kësaj periudhe nga koha kur dalëngadalë Edi Rama shtriu kontrollin e tij mbi partinë, ata kanë qenë klasa e të persekutuave dhe të përndjekurve brenda Partisë Socialiste. Ata sot stigmatizohen nga të ardhurit e rinj, nën zë përçmohen dhe fyhen siç tallet nga adoleshentët e rritur në Tiranë kushëriri i varfër nga fshati që ka ardhur për vizitë në qytet. Këta njerëz ndërkohë kanë mbajtur mbi supe barrën e fitores së fundit socialiste në zgjedhje, papunësinë e gjatë 8 vjeçare në kohën e pushtetit të Saliut, demonstratat, grevat e urisë dhe dhunën policore të cilën sigurisht nuk e njohin “bythë- pambukët” që fituan ofiqet pa i bërë kurrë pis duart. Por këta janë edhe shtresa më e madhe e të zhgënjyerve. Frika e Edi Ramës për të mbajtur pushtetin dhe aleanca e tij me LSI-në, i ka lënë këta njerëz jashtë përfitimeve edhe në dyvjetëshin e qeverisjes së Ramës dhe Velisë. Skemat anglisht të punësimit dhe të pensioneve që serviri për ta gjatë këtij dyvjeçari Erion Veliaj, pas magjepsjes së fillimit, i kanë lënë ata përsëri barkthatë. Këta njerëz, të cilëve u kërkohet të mbështesin dhe sakrifikojnë sërish për të çuar më lart suksesin e grupimit që i përdor dhe i përçmon, janë sigurisht një bast i madh që Erion Veliaj ka vënë me veten, duke e marrë për të mirëqenë mbështetjen e tyre. Një votë ndëshkuese prej tyre mund ta rrëzonte në tapet kanakarin e Edi Ramës.
Së treti, goditja finale, ajo e nok aut-it mund t’i vinte Erion Velisë pikërisht andej nga ai nuk e pret. Nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe pse e gjithë retorika e Ilir Metës sot është ajo e një lakeu vasal të bindur ndaj Edi Ramës dhe urdhërave të tij, ata që e njohin e dinë se ai nuk është nga ata njerëz që e pranon nënshtrimin kaq kollaj. Vetë esenca e LSI-së si një parti skizmatike që dëshiron thjesht dhe vetëm pushtet, është dëshmia e kësaj. Në rrugën e Ilir Metës për pushtet, qëndron sigurisht grupimi i ojq-istëve të Edi Ramës me Erion Velinë si drejtor projekti. Gazeta Integrimi nuk i ka dedikuar as edhe një rresht të vetëm Erion Velisë në asnjë nga numrat e botuar gjatë fushatës. Spotet televizive të LSi-së kujdesen vetëm për shtimin e bereqetit të partisë në zgjedhje dhe e pranojnë me sforco përkatësinë brenda vathës së Edi Ramës. Ilir Meta thotë se i ka lënë pas krahëve thikat që Erion Veliaj i ngulte pas shpine gjatë kohës kur bënte si militant majtist i opozitës që lufton korrupsionin. Por ai e shoqëron këtë me nënqeshjen e tij proverbiale të cilën shqiptarët e njohin aq mirë. Burimet thonë se baza e LSI-së ende nuk e ka marrë direktivën finale për votën e 21 qershorit. Gjithçka është në pritje, nuk dihet në pritje të çfarë. Duket se një operacion i madh është duke u zhvilluar në nëntokë.
Pra, as PD, as baza socialiste dhe as LSI nuk duken mbështetës të sigurt për fitoren e Erion Velisë. Të gjithë këtë boshllëk dhe frikë, është normale që ai do të mundohej ta paraqiste si diçka jo të rëndësishme apo inekzistente. Dhe për këtë përpjekje të tijën flasin sot spotet e tij, flet gjuha e përdorur prej tij në takime, flet inflacioni i sondazheve që shpërndan stafi i tij i ngushtë, artikujt frenetikë të analistëve të blerë prej tij dhe patetizmi maniakal që mbështetësit e tij të paktë tregojnë në fushatat e tyre online me komente, klikime dhe postime që kërkojnë me ngulm të krijojnë idenë e masivitetit që nuk ekziston realisht. E gjithë kjo ngjan me situatën që u krijua në rastin e këngës së Elhaida Danit kur masiviteti online i postimeve dhe like-ve krijoi përshtypjen për shumë komentatorë të huaj se ajo do të merrte minimalisht vendin e dytë në Festivalin Europian. Derisa erdhi dita e konkurrimit real…
Thamë se vetëm një grusht bashkëpunëtorësh janë mbështetësit dhe strategjistët e Erion Velisë, njëlloj siç ishin në kohën e garimit të tij me G99. Përvoja ka treguar se çfarë është i aftë të bëjë ky grupim nëqoftëse nuk ka mbështetjen e një partie të madhe apo ndonjë dore të fshehtë nga ndonjë aleat. Rezultati është një vrimë në ujë, njëlloj si rezultati i G99. Kjo është arsyeja pse Erion Veliaj dhe Edi Rama duan sot me çdo kush të krijojnë si magjistarë iluzionin se e gjithë Partia Socialiste apo LSI është me shpirt me Erion Velinë. 
Ata duan të krijojnë mirazhin e unitetit dhe të mbështetjes së verbër të çdo militanti në dhomën e fshehtë të votimit. Siguri të cilën ata nuk e kanë. Ndaj për këtë arsye, duan që të luajnë me psikologjinë e çdo votuesi, duke bërë lojëra manipulative prestigjatorësh me ta. 
Ata duan t’i thonë çdo votuesi socialist apo LSI-st: mos ki dyshime për Erin. Atë e mbështesin të gjithë, ja shiko në televizor sa bukur i organizon takimet. Nëse mendja jote e prapambetur krijon ndonjë dyshim, atëherë dije se ti do kesh ndonjë problem, se ti je vetëm, pasi të tjerët janë të gjithë kundër teje. A do të funksionojë kjo lojë manipulative psiqike? A do të arrijë stafi i vogël i laptopistëve të Erion Velisë të kompleksojë dhe nënshtrojë shumicën e zgjedhësve shqiptarë? 21 qershori do të na zbulojë çfarë ka ndodhur.