• |
ide | kryesore

Dy fjalë kolegëve të Agon Channel: Mos e kaloni masën

Arkiva, Ide
kel demi.jpg



Ditën kur akuza vendosi sekuestron mbi 60 përqind të sipërmarrjes së Francesco Beccheti-t, në rrjete sociale, portale, shtypin e shkuar, mediat elektronike nuk u fsheh ngazëllimi.
Jam i bindur që komentatorët më shumë se sa lëvizjet abuzive bankare të  Beccheti-t po i gëzoheshin faktit se një dorë gazetarësh të shumëmirëpaguar, tashmë do të ktheheshin në bazë te ato pagat që gëzojmë ne, gjindja. Mendoj se kjo ka lidhje me origjinën e gjithsecilit.
Tek e fundit vegjëlia gjithmonë është zilepsur nga më të pasurit, ndaj edhe ata që në muaj marrin paga të zakonshme, shpesh me mjaft vonesë, janë një farë vegjëlie në krahasim me fatin që i ra në derë Sonilës, Bejtes, Adit dhe së fundmi Lubonjës. Kjo duket është kuptuar edhe nga agonistët, të cilët në këtë betejë që ata po e shesin për lirinë e fjalës, pa dyshim që ata po e kryejnë më së shumti për lirinë e pagave të tyre.
Disa nga ata që janë jashtë oborrit të Agon Channel ndoshta nuk kanë çmuar historinë me hije të Beccheti-t, por kanë qenë të joshur nga bujaria e tij për të blerë gazetarë. Mund të ketë pasur edhe qejfprishur që nuk u ra numri në këtë llotari, ndaj sot mund të mendojnë se u ka ardhur dita.
Nejse, tani që shteti ka vendosur të veprojë ndaj sipërmarrësit në fjalë (Rama në “Opinion” u shpreh që po bashkëpunohet me Italinë), duhet pranuar që audienca e Agon Channel është rritur. Shumica dërrmuese e njihte këtë televizion jo nga prodhimi, por nga artikujt që botoheshin në gazeta për këtë përrallë me princ, por pa princeshë.
Unë vetë e kam ndjekur shumë, që kur u hap ky televizion. Me thënë të drejtën e kam përjetuar çeljen e këtij realiteti të ri mediatik me gëzim, sepse erdhi në kohë krize dhe mbi të gjitha i dha mjaft oksigjen tregut tonë në skamje. Kam tentuar ta kuptoj, madje kam patur mysafir në “Shih programin” Alessio Vinci-n që ta shpjegonte në rrjetin publik këtë risi.
Gjithsesi, me rrjedhjen e kohës Agon Channel nuk më ka pëlqyer si televizion. Vija re një megallomani, e cila shtohej dita ditës. Kam marrë pjesë në hapjen zyrtare të kanalit dhe në një episod të një programi, i cili duhet të jetë mbyllur. Pashë televizion të vërtetë vetëm tek “A show” dhe “Hit play”.
Fakti që një drejtues e gjeja edhe në mëngjes, edhe në lajmet kryesore, edhe në fundjavë, më sillte në mendje “Kohët moderne” të Chaplin-it. Nuk më erdhi pas ëndës ajo historia që me punëtorë të lirë shqiptarë, bëhet edhe një televizion tjetër me kosto të lirë në Itali. Nuk di përse këta punonjësit e lirë shqiptarë më ngjanin si raja. Me një fjalë hoqa dorë nga ndjekja ditore.
Kuptohet këto janë konsiderata personale, pasi mund të jem krejtësisht gabim në vlerësim, sepse media nuk është matematikë, por më së shumti shije.
Ju riktheva këtij televizioni, kur mësova punën e Beccheti-t dhe prokurorisë. Nëpërmjet një emisioni të RAI 3 krijova një ide dhe më tej ndoqa programet. Megallomania vazhdon me rritme të larta. Mësova që gazetarët në talk show nuk bëjnë pyetje, por fillimisht komentojnë pastaj pyesin. Po kështu kuptova që të gjitha figurat e këtij televizioni kanë një qëndrim editorial të konsoliduar, të cilin e kanë të nevojshëm ta bëjnë me dije në çdo çast.
Qëndrim editorial ka Sonila, Andi, Lubonja, Saimiri, Gentjani, Artioni dhe Qetësori. Këto ditët e fundit zbulova ndryshimin e logos së stacionit “Je suis Agon free”. Kaq i madh duhet të jetë pathosi sa editorët, me hamëndje po them Sonila dhe Andi, kanë përdorur si kurrë në ndonjë media vendase apo të huaj tre gjuhë për të shprehur një protestë plagjiaturë frymëzuar nga realiteti tragjik i “Charlie” dhe shtypi i lirë. Një farë mutacioni që sipas meje rrezikon të bëhet qesharak.
Unë i respektoj shumë kolegët e Agon Channel që i kam përmendur në këtë shkrim. Me shumë prej tyre kam punuar dhe kam ndarë ditë të mira e të këqija, por nëse është e mundur dëshiroj t’u sugjeroj pak më tepër frena, vetëpërmbajtje. E kuptoj që ata janë të bindur se beteja e tyre është shumë e drejtë, por rrezikojnë të kalojnë masën (në mos e kanë kaluar) dhe mund ta degjenerojnë betejën që me aq zell po e luftojnë.
Kur krijuam Top Channel qysh në ditët e para hasëm me kopracinë e KKRT-së për të na lëshuar sinjal në një territor më të gjerë. Unë atëherë si drejtor lajmesh mbajta një fjalim në televizion që e shita si qëndrim editorial. Fola plot metafora, epitete, në mënyrë patriotike. Qëndrimin tim e kisha të ndershëm, sepse besoja që kisha të drejtë, pasi mendoja që KKRT po i binte në qafë televizionit tim.
Të nesërmen së bashku me pronarin, Dritan Hoxha, shkuam në zyrën e kryetarit të KKRT-së, Sefedin Çela. I folëm shumë ashpër, unë ndoshta pak më shumë, pasi isha më elokuent se pronari. Ai na dëgjoi dhe pasi përfunduam më tha: “Po ti çfarë ke? Pronar i televizionit je?”. Me thënë të drejtën isha një gazetar me ofiq, pagë shumë të mirë, por jo pronari. Kërkonim më shumë territor, sepse dëshironim më shumë zhvillim, pronari të biznesit, unë të publikut. Kjo ngjarje ka nja 13 vjet dhe ndoshta me eksperiencën që kam sot, do e rishihja fjalimin editorial të asaj kohe, ashtu si mendoj që duhen parë ato shamitë e zeza në gojët e gazetarëve, të cilat pak i shkonin edhe opozitës së dikurshme të Edi Ramës.
Mbaj shpresë që kolegët e mi të mendojnë që i shkrojta këto rradhë nisur nga e mira.