• |
ide | kryesore

Sa vlen pendesa e Edi Ramës në ditën e fundit

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Mazhoranca nuk e fshehu as në mbylljen e fushatës elektorale shqetësimin e saj themelor për frikën e një mospjesëmarrje në zgjedhjet e së dielës të një pjese të votuesve që i dhanë asaj fitoren dy vjet më parë. Nëse jo nga një votë proteste, rreziku mund të vijë nga indiferentizmi i votuesve të dikurshëm të së majtës, që sot, pas dy vitesh qeverisje, nuk shohin ndonjë përmirësim të jetës së tyre, përkundrazi. Dy vjet sigurisht që janë pak që një pakënaqësi të shndërrohet në votë zhgënjimi apo proteste, por ajo mund të përkthehet në një ftohje problematike në marrëdhëniet mes qytetarëve dhe atyre që premtuan aq shumë në qershorin e 2013-s. Entuziazmi i ndryshimit, i ndëshkimit të Saliut, i qindramijëra vendeve të punës, i çmimeve të ulëta dhe shërbimeve të larta, duket qartë që ka rënë dhe, gjatë gjithë fushatës, kryeministri Rama nuk gjeti dot një fabul për ta rishpikur atë.
Ftohja e votuesve ishte pikërisht problemi që hasi mazhoranca e majtë në këtë fushatë. Me këtë diagnostifikim në letër, Edi Rama u mundua të gjejë një kurë të përkohshme 30-ditore duke u marrë përsëri me kundërshtarin, por në fund, në mbyllje të fushatës u detyrua të bënte një mea culpa, një pendesë, me shpresë se të vetët do e kuptojnë dhe do ia falin zhgënjimin. ‘Njerëzit prisnin me shumë nga ne, ka familje ku nuk ka asnjë të punësuar në këto dy vjet, varfëria mbetet problem, ka nëna që nuk shtrojnë dot tryezën e bukës për fëmijët e tyre’, tha Rama me tone ndjese në mbyllje të fushatës, duke kërkuar mirëkuptim për pamundësinë e tij për të bërë ndryshimin e duhur në vetëm dy vjet. Kryeministri, i cili e ka parë përditë fikjen e entuziazmit të 2013-s në sytë e atyre që dalin në sheshe, tentoi të paktën të fitojë faljen e tyre, mosndëshkimin me votë në këtë 21 qershor. Ndryshe nga paraardhësi i tij, që në fushata fliste vetëm për suksese edhe kur ato nuk ishin të dukshme, Edi Rama përdori strategjinë e njohur të pranimit të fajit me qëllim faljen dhe dhënien e një mundësie tjetër nga votuesit e tij.
Kjo sjellje, pra pendesa ndaj të vetëve, është një fenomen i ri elektoral. Nuk e ka përdorur as Nano në 2005, që propagandonte vetëm suksese dhe as Berisha në 2013, që zhvilloi po ashtu një fushatë euforike pa tone ndjese për shumë dështime. Rama po e përdor vetëm dy vjet pasi ka ardhur në pushtet, me shpresën se shqiptarëve u mjafton përulja dhe kësisoj falin lehtë. I vetëdijshëm se nuk mund të prodhojë ndonjë çudi në qeverisje, nga ato që mund të ketë patur në kokë para se të ulej në karrigen e kryeministrit, ai kërkon ta neutralizojë votën kundër duke pranuar indirekt dështimin e tij, duke mos ua shitur të paktën shqiptarëve sapunin për djathë. Një kartë që e luajti shumë shpejt, që në përballjen e parë elektorale pas ardhjes në pushtet.
Por Rama ishte deri diku i detyruar ta digjte që tani këtë strategji. Fushata e kundërshtarit, që u fokusua pikërisht te dështimet e qeverisjes së tij, u kujtonte çdo ditë shqiptarëve premtimet fantastike dhe faturat katastrofike, shëndetësinë falas dhe milionat e skandalit me ilaçet, uljen e varfërisë dhe shpenzimet absurde të qeveritarëve. Këtë realitet Rama nuk mund ta mohonte dot deri në fund. Ai u përpoq për katër javë me radhë të bërtiste me të madhe për të mos i besuar PD, se Basha po bënte më kot fushatë kombëtare, se opozita nuk mund të ulte taksat nëse fitonte këto zgjedhje, se “Shqupi” po peshkonte votues budallenj etj., etj. Por dukej qartë që edhe vetë kryeministri nuk ishte i bindur në ato që thoshte. Se anatemimi apo tallja perverse me opozitën e sotme nuk shkaktonte valën euforike të dy viteve më parë, se ishte larg reagimit që ngjallte kur atakonte Berishën- kryeministër në fushatën e 2013-s. Tani opozita nuk është në pushtet dhe sulmi ndaj saj mund të kënaqë një grusht militantësh, por nuk u jep shpresë të zhgënjyerve. Nuk mjafton për t’i bindur ata për faktin se, meqenëse Lulzim Basha nuk po bën opozitën e duhur, ata duhet të amnistojnë qeverisjen abuzive të dy viteve. Rama e fitoi pushtetin duke premtuar ndryshimin dhe jo që ta përdorë atë si zgjidhje për zhgënjimin.
Është shumë e vështirë kur je në pushtet t’i bindësh qytetarët të votojnë për ty, paçka se ti s’ke bërë asgjë, vetëm se kundërshtari është më i keq se ty. Rama këtë e ka ndjerë me siguri gjatë 30 ditëve të fushatës dhe në fund u detyrua të kërkojë ndjesë për gabimet e tij dhe jo defektet e kundërshtarit. Si një mundësi që pendesa ta zbusë zhgënjimin dhe pakënaqësinë dhe ftohjen mos ta shndërrojë në votë kundër. Do të ishte një akt i vlerësueshëm pa dyshim nëse kjo pendesë do të ishte parë jo vetëm me fjalë por edhe me akte. Nëse për shembull, kandidatët e përzgjedhur nga Edi Rama do të ishin nën shenjën e një modeli të ri qeverisjeje. Por Qazim lala i Elbasanit, Vangjushi i Durrësit, Elvisi i Kavajës e disa të tjerë, janë një dëshmi kokëfortë e mospendesës reale. Dhe mbi të gjithë, kandidati i Tiranës që konfirmoi “kongresin e vazhdimësisë”, mungesën e frymëmarrjes përtej hijes së udhëheqësit dhe konsolidimin e politikës populiste, e bëjnë edhe pendesën e fundit të kryeministrit një propagandë elektorale. Falja e Edi Ramës ishte e re për një kryeministër shqiptar, por e vjetër si mungesë sinqeriteti për shkak të akteve që e tradhtojnë atë. Se sa efekt ka patur në marrëdhënien e tij me votuesin, për këtë na duhet dhe një ditë ta provojmë.