• |
ide | kryesore

A ishte Maria Magdalena gruaja e Jezusit? Kronika e teorive moderne të konspiracionit

Arkiva, Planet
maria_maddalena_illustrazione_di_jan_van_scorel_01.gif



Edhe nëse Mari Magdalena ka qenë nusja e vërtetë e Jezusit – dhe kjo është një NESE e madhe – nuk ka garanci që nga bashkimi të ketë patur fëmijë. Por është një cështje të dhënash historike, që shumë dinjitarë të hershëm të Kishës, nga Shën Pjetri tek Shën Pali, deri tek Papa Grigori i Madh, i shtypën rrymat pro Mari Magdalenës në Krishtërimin e hershëm dhe denigruan rolin e saj. Ata nuk e shihnin veten si komplotues, por si luftëtarë të “ortodoksisë”, në atë që praktikisht ishte një betejë teologjike

Ajo ka patur një rol vetëm kalimtar në dramën e Testamentit të Ri, por Mari Magdalena është shndërruar në yllin e teorive moderne të konspiracionit.

Në rrëfimet e ungjijve për jetën e Jezu Krishtit, Maria (ose Miriam i Magdalës) është gruaja nga Galileja që sheh kryqëzimin e tij, dhe është personi i parë që e sheh pas ringjalljes. Por, në teoritë alternative moderne, Maria është bashkëshortja e Jezusit dhe nëna e fëmijëve të tij, pasardhësit e të cilëve më pas u shpërndanë nëpër Tokë, sidomos në Francë, aty ku sunduan si dinastia Merovingiane. Grali i Shenjtë i Legjendës nuk është më kupa e përdorur nga Jezusi në Darkën e Fundit, por linja e gjakut e Krishtit, e cila është shtrirë nëpër kohëra për të mbërritur, sipas këtyre teorive, tek Sinclair-ët në Skoci, fisnikërinë italiane dhe Princeshën Diana. Ruajtësit e Gralit të Shenjtë janë dy Urdhëra të lashtë: Kalorësit Tempullarë dhe Paria e Sionit. Ndonëse të betuar për të ruajtur fshehtësinë, Tempullarët dhe pjesëtarët e Parisë nuk i kanë rezistuar dëshirës për të lënë pas të dhëna mbi ekzistencën e martesës dhe mëmësisë së Marisë, ku shenja më e famshme është tek piktura e Leonardos, “Darka e fundit”, ku nuk është apostulli Gjon që shfaqet në të djathtë të Jezusit, por Maria, ndërkohë që forma e V-së e krijuar mes të dyve është simboli i feminitetit.

Natyrisht, gjithë sa u përmend më sipër bie ndesh me teologjinë e Kishës Katolike. Për të mbuluar marrëdhënien e Jezusit me Marinë – dhe ruajtur pushtetin e vet – është hedhur teoria se Kisha Katolike s’ka pranuar ungjijtë, në të cilët ajo ishte personazh. Po kështu, sipas kësaj teorie, në Mesjetë Kisha keqinterpretoi me dashje fjalën “Sangreal”, si “Saint Grail” (Grali i Shenjtë), në vend të kuptimit të saktë, “sang real” që do të thotë gjak mbretëror.

Ndonëse romani i Dan Braunit, “Kodi i Da Vincit” ka marrë meritat më të mëdha për zbulimin e komplotit të Mari Magdalenës, në të vërtetë kjo meritë duhet t’i shkojë librit të vitit 1982, “Gjaku i shenjtë, Grali i shenjtë”, me autorë Henri Linkoln, Majkëll Beigënt dhe Ricard Leih. Dhe ky libër, i detyrohet deri në një farë mase romanit “Komploti i kalimit” (1965) me autor Hju Shonfild, ndërkohë që poeti britanik, Robert Greivs kishte spekuluar më herët se Maria ishte bashkëshortja e Jezusit, konkretisht në vitin 1946, tek “Mbreti Jezus”.

Paria e Sionit, fëmijët e Krishtit që sundojnë Golinë, kepërkthimi i “Sangreal”, zbulimi nga Atë Berenger Sonier i Gralit të Shenjtë në Rennes-le-Chateau … janë të gjithë trillime të orkestruara nga një aristokrat i vogël francez, Pier PLantard de Seint Kler, i cili dëshironte që t’i jepte vetes lavdi mbretërore duke krijuar “prova” që ai ishte mbreti i vërtetë i Francës. (Me siguri do të kish bërë një punë shumë më bindëse nëse dokumentat kyc të Mesjetës “të gjetur” në Bibliotekën Kombëtare do të ishin shkruajtur në gjuhën e mesjetës, dhe jo latinishten moderne). Megjithatë, disa aspekte të komplotit mbi Mari Magdalenën kanë rezistuar. Në fillimet e saj, Kisha Katolike i ndaloi dhe dogji ungjijtë që nuk ishin në përputhje me pikëpamjet e saj. Për shkak të zbulimit në vitin 1948, nga ana e një fshatari egjiptian me emrin Mohamed Ali al-Saman, të një koleksioni të djegur tekstesh “gnostikë” në Nag Hamadi, përmbajtja e disa prej këtyre ungjijve të ndaluar tashmë është e njohur. Roli që ata i caktojnë Mari Magdalenës është i debatueshëm. Tek Ungjilli sipas Filipit, Jezusi deklarohet të jetë “partner i Mari Magdalenës, dhe se ai e donte atë më shumë se të gjithë dishepujt e tjerë, dhe shpesh herë e puthte në buzë”. Në greqisht, fjala për “partner” që gjendet në tekstet gnostikë, mund të nënkuptojë gjithashtu “shok”; por qoftë nëse është “nuse”, apo qoftë “shoqe e ngushtë”, është e qartë se në këtë kohë të hershme të Krishtërimit, Mari Magdalena shihej si një figurë shumë e rëndësishme për Krishtin. Madje ka edhe një Ungjill sipas Mari Magdalenës të gjendur në Nag Hamadi. Një incident shumë domethënës në këtë ungjill është konfrontimi mes Mari Magdalenës dhe apostullit Pjetër, ku Pjetri përpiqet ta poshtërojë Marinë për shkak se ajo është grua, por sprapset me vendosmëri nga Jezusi.

Edhe nëse Mari Magdalena ka qenë nusja e vërtetë e Jezusit – dhe kjo është një NESE e madhe – nuk ka garanci që nga bashkimi të ketë patur fëmijë. Por është një cështje të dhënash historike, që shumë dinjitarë të hershëm të Kishës, nga Shën Pjetri tek Shën Pali, deri tek Papa Grigori i Madh, i shtypën rrymat pro Mari Magdalenës në Krishtërimin e hershëm dhe denigruan rolin e saj. Ata nuk e shihnin veten si komplotues, por si luftëtarë të “ortodoksisë”, në atë që praktikisht ishte një betejë teologjike.

Nga “Libri i Madh i Teorive të Komplotit”

Përkthimi: Bota.al