• |
ide | kryesore

Pse Panariti dhe Meta duhet të bëjnë publike dosjen e krimit të Patokut

Arkiva, Ide
meta-.jpg



Ministri Panariti dhe shefi i tij Ilir Meta nuk mund të fshihen më si struci. Pas ngjarjes së rëndë të Laçi t ata duhet të dalin dhe të flasin, madje të hapin fletë për fletë dosjen e një tenderi të dyshuar si abuziv, i cili u bë shkak për përleshjen e armatosur mes fiseve Prenga dhe Cali. Dyshimet janë të forta. Ato pretendojnë së në prill të këtij viti, me proceduara të përçudnuara, ministria e Panaritit i ka dhënë tenderin e lagunës së Patokut vëllait të deputetit Prenga. Ajo që nuk thuhet botërisht është fakti se kjo ujdi qe kurdisur si një allishverish mes Ilir Metës dhe deputetit të Laçit, në mënyrë që ky i fundit ta ndihmonte në zgjedhjet lokale për fitoren me çdo kusht të Viktor Tushajt në Lezhë. Ashtu sikurse koha provoi më pas, Ilir Meta i trembej bojkotit që mund ti bënte elektorati socialist. Dhe për këtë filloi të blejë, të rektutojë dhe të bëjë për vete me cdo çmim. Pjesë e këtij çmimi qe edhe laguna e Patokut. Dyshohet se pakti u krye dhe ministria e bujqësisë e shpërbleu deputetin socialist në këmbim të mbështetjes që ai do ti jepte. Këto janë dyshimet dhe ato që përfliten në koridoret e politikës. Ato u bënë të ditura që kur ABC Neës transmetoi një kronikë për tenderin e Lagunës. Peshkataret e saj kërkonin në atë kohë anulimin e tenderit që pati fituar kompania e sapo krijuar e vëllait të deputetit Armando Prenga. Sipas tyre ajo u shpall fituese (pas dy anullimeve të tenderit) edhe pse kishte vetëm dy muaj e regjistruar dhe kishte mangësi të theksuar dokumentacioni.

Për të fashitur këto dyshime që bien mbi LSI-në si një parti që “vjedh Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë” (shprehje e famshme e Ramës) ministri i Bujqësisë Panariti dhe shefi i tij Meta duhet të bëjnë në mënyrë urgjene publike dosjen e tenderit për lagunën e Patokut. Publiku ka të drejtë të mësojë nëse ajo ka qenë një aferë e pisët në funksion të blerjes së zgjedhjeve. Publiku ka të drejtë të informohet për dyshimet se si i rekruton LSI-deputetët e së majtës. Publiku gjithashtu duhet të dijë edhe shkaqet e vërteta sepse kriminaliteti qëndron i lartë në këtë vend. Pikërisht se zyrtarët i përdorin tenderat dhe paratë shtetërore në mënyrë abuzive duke i shpënë njerëzit drejt vetgjyqësisë. Publiku ka të drejtë të dijë se nëse deputetët e fortë të këtij kuvendi nuk janë mëkatarë vetëm për të shkuarën e tyre, por nëse ata veprojnë si të tillë edhe sot.

Për të gjitha këto arsye Edmond Panariti duhet të bëjë urgjent publike dosjen e tenderit të Lagunës. Nëse ai se bën, një gjë e tillë i kërkohet Ilir Metës. Dhe nëse të dy këta zyrtarë të lartë nuk kanë guximin ta hedhin këtë hap, topi mbetet tek Edi Rama. I takon atij të na mbushë mendjen se nuk ka zënë vendin e Berishës në dyshen e të gjatit me të trashin që “vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota’. Përgjegjësia e tij tani nuk është vetëm se ka përzgjedhur një deputet të fortë, por se me filozofinë e tij e la atë të sillet si i tillë edhe me fuqinë e shtetit. (lapsi.al)