• |
ide | kryesore

Koalicioni i madh: ndëshkim apo shpëtim për grekët?

Arkiva, Planet
greek.jpg



Edhe në anketimet më të fundit para zgjedhjeve, partia e majtë Syriza e Alexis Tsiprasit dhe partia konservatore Nea Demokratia nën drejtimin e ish-presidentit të Parlamentit, Evangelos Meimarakis paraqiten me numër gati të barabartë mbështetësish – megjithëse për Syrizën shpesh thuhet se ka një përparësi të lehtë. Shtatë parti të tjera luftojnë për të hyrë në Parlament. Në këtë mënyrë duket shumë e mundur që as të majtët dhe as konservatorët të mos fitojnë një shumicë absolute në Parlament dhe se do të kenë nevojë për një partner koalicioni, nëse i fitojnë zgjedhjet. Të gjitha partitë në opozitë janë të sigurta: kundërshtarët politikë ecin drejt një koalicioni të madh partiak, për të zbatuar kushtet e kursimeve, për të cilat votuan gjithsesi në Parlament në mes të gushtit. Shefi i konservatorëve, Meimarakis është i hapur për një koalicion të madh dhe tregohet i gatshëm që të heqë edhe dorë nga posti i kryeministrit, po t’i shërbejë kjo formimit të qeverisë së përbashkët.

Për një kohë të gjatë, ish-kryeministri Tsipras pati heshtur për këtë çështje. Në ditët e fundit të fushatë elektorale ai duket se e ka marrë vendimin: një koalicion me konservatorët do të ishte “i panatyrshëm”, deklaroi ai në duelin televiziv të kandidatëve kryesorë të hënën (14.09.). Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Tsipras ka hequr dorë nga sulmet personale kundër kundërshtarëve të tij konservatorë. A do të thotë kjo se koalicioni i madh është i mundur? “Jo, në asnjë mënyrë”, thotë Nikolas Voulelis, drejtor i gazetës liberale të majtë Gazeta e Redaktorëve, i cili konsiderohet si njohës shumë i mirë i jetës së brendshme të Syrizas. “Nëse Syriza do të bënte pas zgjedhjeve më të vërtetë një koalicion me konservatorët, Tsiprasi do të merrte fund. Ditën pasuese, shumica e deputetëve të majtë do të largohej nga grupi parlamentar.”

Shkëmbim replikash në finalen e fushatës elektorale

Sipas gazetës greke, Ethnos, kundërshtarët në zgjedhje në 48 orët e fundit përpiqen të bëjnë për vetë të pavendosurit. Janë 650.000 grekë, që sipas sondazheve nuk kanë vendosur ende. “Të dielën merr fund eksperimenti i Syrizas”, bëri të ditur shefi i opozitës Meimarakis të enjten, në manifestimin e fundit të madh para zgjedhjeve. Edhe shefi i Syrizas, Tsipras e ka ashpërsuar tonin ndaj kundërshtarit, thotë Vouelis në bisedë me DW. Tsiprasi kujton ish-kryeministrin e pafat Antonis Samaras dhe e krahason atë me shefin e ri të konservatorëve. “Ai u thotë: ai që voton për Meimarakis, nuk do të marrë gjë tjetër veçse një Samaras në format të ri. Programi zgjedhor dhe lista e kandidatëve janë hartuar në fund të fundit nga Samarasi.”

Në bazë të anketimeve, shumica e grekëve do ta përshëndeste një koalicion të madh partiak. Por ka edhe rezerva. “Nuk besoj se një koalicion i tillë do të ishte vërtet efektiv dhe do t’i përshpejtonte reformat e nevojshme”, thotë analisti i ekonomisë Kostas Stoupas në bisedë me DW. Argumenti i tij: kjo ka të bëjë me natyrën e partisë Syriza, që bën pa ndërprerje punë partie opozitare, edhe kur qeveris vetë./DW/