• |
ide | kryesore

Kosova, nga ankthi i nënshtrimit drejt ankthit të lirisë

Arkiva, Ide
boiken.JPG



Imagjino për një çast një krijesë të madhe dhe të çuditshme që të afrohet ngadalë, dhe ti shtangesh. Ndjenja në ato momente duket si frikë. Por frika ka një objekt, ose veprim, të veçantë ndaj të cilit drejtohet. Si për shembull, frika ndaj vetë krijesës në këtë rast, ose frika nga dhuna. Fakti që ti ndihesh i ngulfatur dhe qëndron i shtangur në vend tregon ankth. Ankthi krijohet nga që ti nuk e di se ç’do të ndodh me ty. Nuk e di nëse krijesa po vjen të të rrëzojë në tokë apo thjeshtë të të kalojë pranë pa bërë gjë. Ankthi është frikë e papërqendruar. Është gjendja ndrydhëse që krijohet nga paparashikueshmëria. Në nivel kolektiv, ankthi është veçanërisht i dallueshëm te popujt që kanë qenë të kolonizuar. Aty ankthi krijohet për shkak të marrëdhënies së dyfishtë me lirinë: ankth nga mungesa e saj, dhe ethe ankthndjellëse nga paparashikueshmëria që ajo sjell. Kështu është edhe Kosova. 
Gjatë viteve 90-të, kur pushtuesi serb të afrohej ti nuk e dije nëse do të të vriste, nëse do të të fuste një shpullë, nëse do të të merrte paratë, nëse do të të arrestonte, nëse do të të ofendonte, apo nëse thjesht do të të kalonte pranë duke të lenë të qetë atë ditë. Kjo e panjohur mbi dhunën ka qenë burim i pandërprerë ankthi që ka prodhur vazhdimisht nënshtrim. Pas kolonizimit gati njëshekullor, për shumë në atë kohë, liria është dukur e pamundshme. Prandaj janë ndërtuar arsyetime racionale nga më të ndryshmet, duke justifikuar pasivitetin në rezistencë. Megjithatë, sot punët kanë ndryshuar. Kosova është shpallur e pavarur dhe qeveriset nga shqipëtarë, një pjesë e të cilëve edhe kanë luftuar kundër pushtuesit serb, por edhe kanë mësuar prej tij mbi efikasitetin e qeverisjes përmes ankthit.
Në këto 15 vjet në Kosovë, pushteti e ka vendosur pronën publike në shënjestrën e shkatërrimit. Nëpër qytete, privatizimi ka lënë fabrikat e braktisura nga punëtorët, e punëtorët në rrugë. Në fshat, gjysma e tokës bujqësore ka mbetur e braktisur. Me dhjetra mijëra shqiptëtarë janë larguar këtë vit sërish nga Kosova. Gjysma e njerëzve janë zhytur në skamje. Shkollat kanë braktisur dijen, spitalet shëndetin, gjykatat drejtësinë. Sakaq, paraja publike e braktisë vazhdimisht arkën e shtetit për të përfunduar në llogaritë private të qeveritarëve që luajnë më shumë rolin e matrapazëve. Pas gjithë kësaj, ky pushtet matrapazësh insiston që ne të jemi të durueshëm ndaj tij dhe ndaj kërkesave të Serbisë për Kosovën, që të mos na braktisin edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Braktisjen nga ndërkombëtarët, qeveritarët dhe mediat e tyre e paraqesin pareshtur si premtimi për ardhjen e ditës së “kiametit”, nëse ne nuk jemi të dëgjueshëm. Në të njëjtën kohë, veten e prezantojnë si shpëtimtarët që do e mbajnë atë ditë të errët me pasoja të paparashikueshme gjithnjë larg nesh, edhe pse përherë në horizont. Kështu përpiqen të mbajnë gjallë ankthin e nënshtrimit pëmes të panjohurës që sjell braktisja, për të ruajtur në fund pushtetin e tyre. Por ndërkombëtarët aktin e braktisjes e kanë kryer pa u larguar, ashtu siç të braktisë një mik edhe pse e sheh përditë. Miqtë tanë ndërkombëtarë kanë shprehur mirëkuptimin e tyre jo vetëm për copëtimin e Kosovës nga brenda si territor, si ekonomi, dhe si administratë, por edhe për ta çuar Prishtinën zyrtare gradualisht në bashkëqeverisje me Beogradin. Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel më 25 gusht mes Kosovës dhe Serbisë kanë hequr çdo dyshim për këtë mirëkuptim. Ndërkombëtarët e kanë braktisur premtimin për të qenë partnerë në ndërtimin e një Kosove të pavarur, sovrane dhe të zhvilluar. Dita e braktisjes nuk është në horizont, braktisja tashmë ka ndodhur e po ndodhë çdo ditë!  
Kjo krizë e gjithanshme ndalet me heqjen e pushtetin matrapaz Mustafa-Thaçi që e ka prodhuar atë. Prandaj, kur përmenden protestat, drithërima përhapen edhe në qeveri. Ata nuk duan që protestat të ndodhin, se ato ngërthejnë brenda tyre potencialin e paparashikueshëm transformues të vetë pushtetit. Dita e “kiametit”, me të cilën përpiqen të përhapin ankth dhe paralizë në popull, është në fakt thjesht dita e rrëzimit të tyre nga pushteti dhe fillimi i daljes nga kriza. Që të mos vijë ajo ditë, dhunës që ndjen Kosova përditë nga politikat e tyre të egra, ata i shtojnë kërcënimin me dhunën policore. Pushteti matrapaz e ka të qartë se protestat ia kujtojnë edhe miqve tanë ndërkombëtarë premtimin e pambajtur ndaj Kosovës. Por i takon njerëzve në Kosovë që së pari t’ia kujtojnë vetes.  
Mendjet kanë filluar të jenë në tension. Anembanë Kosovës po mbahen tubime mobilizuese. Opozita është bashkuar. Me dhjetra mijëra qytetarë po nënshkruajnë atë që po shndërrohet në peticionin më të madh të këtyre 15 viteve në Kosovë, në kundërshtim të qeverisë dhe të marrëveshjeve me Serbinë. Protesta që po përgatitet është krijesa e madhe dhe e çuditshme që i shkakton ankth qeverisë. Ajo është krijesa e rezistencës që po e sjellin në jetë njerëzit e organizuar. Njerëzit që e kanë kuptuar që për Kosovën nuk ka tjetër shpëtim. 
Njerëzit e jashtë organizimit ndihen si të vendosur në mes qeverisë dhe rezistencës, në ankth nga veprimet e të dyja palëve. Nga kjo ndjesi që kanë, një pjesë e tyre po japin lloj-lloj propozimesh të tjera për zgjidhjen e situatës, edhe pse autoritarizmi i pushteti matrapaz i ka treguar disa herë se nuk di të ndalet përveç përball protestave. Ata janë vendosur mes ankthit të nënshtrimit ndaj qeverisë dhe ankthit të organizimit drejt lirisë. Për shkak se të dyja palët i shkaktojnë ankth, padashje edhe i barazojnë. Sigurisht që ata ndihen më të qetë me ankthin e nënshtrimit, me atë edhe janë mësuar. Paparashikueshmëria e së resë që vjen me protesta është e panjohura për ta. Ata duan ta largojnë ankthin dhe këtu e bëjnë gabimin, sepse me veprime që refuzojnë nënshtrimin nuk largohet ankthi por afrohet liria. Liria është si dashuria, të jep ankth dhe gëzim.