• |
ide | kryesore

Kush po e sulmon De Biasin?

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333_19-1.jpeg

Ajo që po ndodh me Gianni de Biasin mund të shndërohet shumë shpejt në një rast ilustrues të mikpritjes së përçudnuar shqiptare. Ne i hapëm derën në këtë vend, e shtruam në sofër, e bëmë me pashaportë shqipëtare, e trajtuam si njërin nga ne, me dashuri dhe respekt, pra shkurt u sollëm me të ashtu si kodet tona morale, shpesh herë hipokrite dhe fallco, e kërkojnë të sillemi me jabanxhijtë që u bie rruga këtyre anëve. 


Mirëpo, sapo statusi i tij ndryshoi, sapo ai u rrethua me aureolën e atij që na ka dhënë më shumë sesa na ka marrë, sapo u ngrit në rangun e atij për të cilin kemi domosdoshmërisht nevojë, duket sikur ndjenja aspak solide e mikptitjes sonë, i la vendin asaj të zilisë.


Përditë e më shumë po shtohen zërat që kërkojnë mes rreshtash largimin e tij. Pa e thënë me gojën plot dhe ballë përballë me publikun, sulmet e kritikëve të italianit janë shtuar papritmas. Dikush i kujton se ai ka qenë një futbollist i vogël, dikush tjetër se nuk ka pasur ndonjë shkëlqim si trajner në vendin e vet, dikush se kualifikimi i Shqipërisë nuk qe vepër e tij por e gjithë grupit (një grupi të ringritur, të ndryshuar,të transormuar në lojë dhe në mentalitet, në erën De Biasi) dikush se fitorja i dedikohet presidentit të FShF-së dhe së fundi dikush tjetër bërtet se qe Shqipëria që e bëri të famshëm De Biasin dhe jo e anasjallta.

Natyrisht mes atyre që dëgjojnë korin e papritur të kritikave ndaj arkitektit të suksesit të të kuqve ka nga ata që kanë mbetur të shtangur. Natyrisht që mes tyre ka dhe nga ata që mendojnë se kjo çështje as nuk duhet zmadhuar, as nuk duhet moralizuar, sepse ajo është para së gjithave, thjeshtë një çështje parash. Sepse ajo nuk ka të bëje as me milkpritjen dhe as me zilinë, por me çmimin e ri të kontratës së De Biasit.

Po, është e vërtetë që furtuna e ngritur tani në gotë është një aferë tregëtare. Madje trajneri i kombëtares mund të "fajësohet" vetë për padurim sepse e hapi atë i pari, fill pas fitores në Armeni duke përmendur togëfjalshin "çështje çmimi". Nga puristët ektremë, nga ata që atë ditë kërkonin ti gëzoheshin tingujve të xhamadanit vija- vija dhe flamurit më të bukur në botë, ky nxitim i teknikut italian mund ta quhet edhe një hap i pamoralshëm. Një "ngritje çmimi" në ditën më ta papërshtatshme për të negociuar. Por kush e njeh botën e futbollit, cinizmin e saj, forcën e parasë dhe ligjësinë e pashkruar se në këtë xhungël fati të vjen vetëm një herë dhe pikërisht atë moment ai duhet kapur nxitimthi, e ka më ta lehtë ta kuptojë trajnerin italian. Ai bëri mrekullinë dhe sipas rregullave të këtij mjedisi ai pret që për këtë gjë të shbërblehet, jo vetëm me sadisfaksionin moral të dekoratave presidenciale dhe kryeministrore.

Në këtë kuptim ai është korrekt. Këtu korrekte nuk është ajo që po ndodh kundër tij. Të kompleksuar nga kërkesa troç e trajnerit profesionist italian, zyrtarët e dorës së dytë të futbollit shqiptar janë përfshirë në një fushatë shqiptaro- ballkanike që kërkon të ulë çmimin e negociatave përmes denigrimit të palës tjetër. Prandaj edhe idiotësitë publike ndaj De Biasit janë shtuar. Ata që e sulmojnë nuk besojnë në kritikat ndaj tij, ata janë të bindur që po bëjnë biznes. Por ky lloj negocimi, i cili i ngjan tregëtarëve amatorë të marketit të lagjes, po lë një shije të keqe. Sepse ai po e shndërron kontratën e re të De Biasit nga një problem mes tij dhe FSHF-së, në një problem moral.

Federata jonë, me mundësitë që ka, edhe mund të mos e kënaqë dot ambicien në rritje të teknikut italian. Fati, rrethanat dhe profesionalizmi i tij mund ta dërgojnë Gani Abazin tonë edhe diku tjetër. Kjo është një çështje marrëveshjeje. Por zyrtarëve tanë të futbollit, gazetarëve dhe njerëzve që i rrethojnë, nuk u falet vetëm një gjë: ulja e meritave dhe denigrimi i një personaliteti fitues. Ata nuk e kanë luksin të tregohen mosmirënjohës me De Biasin. Qoftë duke qëndruar dhe qoftë duke u larguar nga Shqipëria pas Europianit, ai është bërë tashmë pjesë e historisë. Pjesë e ëndrrës, gëzimit dhe triumfit të qindramijëra shqiptarëve. Ndaj jo me të por me imazhin që ai ka lënë pas, askush nuk ka të drejtën të sillet si pazarxhi i rëndomtë. Përndryshe të gjithë bashkë rrezikojmë të japim një shembull më shumë të mikpritjes sonë fallco, e cila është e aftë të tretet përballë interesave meskine. /lapsi.al/

Kthehu