• |
ide | kryesore

Krimet e opozitës

Arkiva, Ide
arben idrizi.jpg



Në kohën e zgjedhjeve të fundit (lejomani tani e këtu marrëzinë e autoreferencialitetit), shkruaja i bindur sa më s’ka (andaj ende vazhdoj të kem atë bindje), se të votuarit për subjektet politike në garë është një e keqe e paanë. Gjendjen kur, në një demokraci të proklamuar, nuk ke për kë të votosh, në luzmën e aq e aq subjekteve ofertuese, jam i prirë ta përkufizoj si «mjerim i demokracisë». Këtë mjerim e konfirmon edhe vetë qëndrimi i shoqërisë ndaj (atyre) zgjedhjeve. Në ato zgjedhje, kanë marrë pjesë vetëm 50 për qind e votuesve potencialë. Gjysma tjetër, mendoj me plot bindje, ka qenë “pre” e kësaj vetëdijeje, mjerimit të demokracisë: nuk ke për kë të votosh (pavarësisht tërë mbarë atyre subjekteve që kërkojnë votën tënde dhe premtojnë e ofrojnë programin e tyre politik.

Në 50 për qindëshin që ka votuar, ka një prirje të besohet se bëjnë pjesë, mbi të gjitha, votuesit klientelistë (secili subjekt klientelën e vet, ndaj së cilës ka borxhe që duhet t’i lajë posa të vijë në pushtet) dhe tek pas kësaj një pjesë shumë e vogël e votuesve që, megjithatë, e mori dreqi, besojnë dhe shpresojnë se filan subjekti do të ndreqë punë.

Mirëpo, do të na bëhet vërejtje, një përqindje e tillë e pjesëmarrjes në zgjedhje është një sukses goxha i konsiderueshëm. Një pjesëmarrje e tillë dhe organizimi i rregullt i zgjedhjeve e legjitimojnë fituesin dhe s’ka ndonjë gjë për të thënë këtu.

Do të pajtohesha sikur të mos ishte se, megjithatë, kjo nuk është një gjendje e shëndoshë demokratike. Ndoshta, më shkurt, nuk është një gjendje demokratike. Refuzimi për të votuar të keqen dhe jo indiferenca ndaj zgjedhjeve si të tilla tregojnë se kjo nuk është një gjendje e shëndoshë demokratike. Votuesi klientelist është një e keqe e demokracisë. Përmes tij lind dhe përjetësohet tërë ai sistem kompleks që ia vë ndërskamcat e veta të përbindshme qeverisjes së mirë, përgjegjësisë dhe në fund dashurisë ndaj vendit. Votuesi klientelist është shantazh ndaj subjektit që e ka votuar, ashtu siç në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën mënyrë ai subjekt politik është shantazh ndaj votuesit të vet. Është një rreth vicioz i krimit. Në këtë krim “të lejuar”, janë të zhytura të gjitha partitë politike që ishin pjesëmarrëse në zgjedhje dhe tash janë pjesë qoftë të pozitës qoftë të opozitës.

Qëndrimi im i mbrojtur me këmbëngulje ishte se të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje janë të delegjitimuara, secila në mënyrën e vet. LDK, mbi të gjitha për shkak të korrupsionit, papërgjegjësisë, në përgjithësi pra të qeverisjes së keqe, të praktikuar ndër vite, bile edhe në vitet ’90, kur ishin një lëvizje pothuajse gjithëpopullore dhe e kishin kontrollin mbi gjithçka. PDK, jo vetëm për shkak të qeverisjes së keqe në përgjithësi, por edhe për shkak të dyshimeve të rënda të krimeve të ndryshme, vrasjeve e plaçkitjeve e uzurpimeve; madje kishte edhe shërbimin e vet sekret, të cilin në fund na e ka shitur si shërbim shtetëror. Njëjtë AAK, e cila në të vërtetë është kampione e dyshimit se vazhdimisht është marrë me vënie haraçi, detyrim dhe zhvatje dhe, thënë me ironi, qershia mbi tortë: vrasje. Së fundi, dyshohet se eksponentë të saj tentuan edhe të nisin një trazirë të përgjakshme, qëllimi përfundimtar i së cilës ende nuk duhet, në Kumanovë, në një vend fqinj. VV, megjithëse kurrë në pushtet, vatër e dhunës së vazhdueshme ndaj institucioneve të vendit, injoruese e rendit dhe ligjit, e mbështetur në një ideologji të tmerrshme nacionaliste.

Përndryshe, pjesëtarë të PDK dhe AAK-së ishin gjykuar për krime lufte ose pritet të gjykohen së shpejti nga Gjykata Speciale në formim e sipër.

Ja, këto ishin në përgjithësi të këqijat që na ofroheshin t’i votojmë.

Ato zgjedhje në të cilat nuk mund të merrnin pjesë 50 për qind e votuesve refuzues që ta votojnë të keqen, secilën të keqe, i fitoi PDK, kampione e krimit, korrupsionit dhe arrogancës. E megjithatë, i fitoi në mënyrë të pranueshme. Nuk i vodhi si herave të tjera.

A mjaftoi kaq?

Jo.

Që në minutat e parë të shpalljes së fituesit, humbësit u bënë bashkë, në mënyrë krejtësisht banditeske, pa kurrfarë përgjegjësie ndaj vendit, ta pamundësojnë formimin e qeverisë nga fituesi legjitim i tyre. Bënë një bllok opozitar, i cili kërkonte të merrte pushtetin pa i pas fituar zgjedhjet më parë. Thjesht, sepse ashtu donin. I ndanë madje edhe postet. U fyen mes vete si është më së miri: ngase bandat politike ia dinë njëra-tjetrës më mirë se ne pikën e dobët. Dinë kur duhet të fyhen dhe si, dinë kur duhet “ta harrojnë” atë që kanë thënë dhe “të pajtohen”. Së pari, VV “harroi” se e kishte quajtur AAK-në parti haraçi dhe LDK-në parti hajnash. Tytat i kthyen kah PDK dhe e qëlluan në shenjë, siç ajo i qëllonte ata në shenjë.

Po bandat si bandat, kanë interesa. Pas gjashtë muajsh ngërçi politik (dmth ngërçi interesash e përfitimesh), LDK e kuptoi se pushteti është më i mirë se opozita. Dhe kështu skilja e moçme i la me gishta në gojë kalamajtë e çoroditur.

Ai bllokim i formimit të qeverisë ishte një prej skandaleve më të rënda politike. Na la të kuptohej se papërgjegjësia, arroganca, banditizmi do të jenë në fuqi dhe në raste të caktuara, në momente të volitshme, mund të bllokojnë gjithçka, në të njëjtën mënyrë.

***

Ja ai moment, këtyre ditëve. Pas më pak se një vit qeverisje, opozita ka bllokuar jetën institucionale në vend, këtë herë edhe më keq se më parë: duke pamundësuar punën në Kuvendin e Kosovës dhe duke përdorur mjete të ndaluara me ligj (me arsyetimin se marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel janë të dëmshme për vendin).

Ndër to:

E Para: gazi lotsjellës, përdorimi i të cilit, në ambiente të mbyllura dhe gjithsesi nga persona të paautorizuar, është i dënueshëm me ligj.

E dyta: refuzimi për t’u marrë në pyetje nga policia për shkeljet e bëra dhe më pas, edhe më keq, përdorimi i një “autoriteti” (që nuk është i barabartë para ligjit me ne qytetarët e rëndomtë) dhe një turme të dhunshme (që kall gjithçka) për t’i liruar të arrestuarit, çka është një shfuqizim total i institucionit të rendit dhe ligjit në vend.

***

Mendoj se refuzimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një refuzim fashist. Dhe e kundërta, në kushtet dhe rrethanat e krijuara, lejimi i tij është një qëndrim edhe human edhe demokratik.

Nuk dua të mohoj se ka një aspekt që i vështirëson gjërat në përgjithësi e edhe mendimet e qëndrimet si ky imi.

Dua të them, ka një refuzim të ashpër jo vetëm nga shteti serb, por edhe nga vetë serbët e Kosovës për ta pranuar Kosovën si shtetin e tyre, institucionet e tij si institucionet e tyre dhe pra jetën këtu si jetën e tyre. Ky refuzim është më i madh sidomos në veri të vendit. Ky refuzim ishte i pakompromis në të gjitha pjesët e vendit të banuara me serbë, por me kohë ka ardhur duke u zbutur dhe tashmë një pjesë e mirë e tyre veçse kanë filluar të integrohen. Për pjesën tjetër, nevojitet kohë dhe maturi. Aq më tepër që Kosova është në pozicionin kur duhet të durojë dhe të lëshojë pe më tepër.

Kosova është një shtet multietnik. E megjithatë, nuk janë vetëm serbët që refuzojnë ta njohin si shtet (multietnik). Një pjesë e mirë e shqiptarëve më parë do të donin bashkimin me Shqipërinë, refuzojnë himnin dhe simbolet e Kosovës. Një subjekt politik, Vetëvendosje, deri më tani ka qenë më e zëshmja dhe më këmbëngulësja në këtë refuzim.

Por, për mua, ka një shqetësim edhe më serioz: frika e serbëve për të jetuar në Kosovë.

Kur, në vitet ’90, ne kishim frikë dhe shtypeshim nga një regjim serb i instaluar këtu, kishim frikë mbi të gjitha nga një aparat shtetëror dhe më konkretisht nga një uniformë policie që na e nxinte jetën. Pra, objekti ynë i frikës ishte i njohur. Qytetarët serbë të Kosovës, civilë, thjesht e kishin deleguar pushtetin e tyre ta kryente punën. Tani, pushteti në Kosovë nuk e përdor autoritetin e vet dhe uniformën e policisë për t’ua pamundësuar jetën serbëve në Kosovë. Përkundrazi, është i thirrur t’i mbrojë dhe t’i ndihmojë të jetojnë këtu të sigurt. Dhe e bën. E megjithatë, serbët e Kosovës ende kanë frikë të jetojnë të lirë në tërë hapësirat dhe një pjesë e atyre që kanë ikur ditëve të përfundimit të luftës, bashkë me forcat serbe, ose më vonë, refuzojnë të kthehen.

Kanë frikë nga ne, nga secili nga ne, civilët shqiptarë?

Ngase në ditë mund të na teket të përsëritim një 2004-sh dhe t’i djegim bashkë me kishat e tyre?

Ngase ndonjërit, nga patriotizmi i shenjtë, mund t’i teket të shkojë t’i vizitojë bujqit duke punuar në Lipjan ose Babimovc dhe t’i vrasë si qentë e rrugës?

Ngase…

***

E kam përmendur edhe më parë, dhe e kam futur në ‘Libri i dhunës’, si një tregim jo-fiksion.

Më 28 nëntor 1999, një turmë shqiptarësh të Kosovës, si luzmë bletësh, po e festonte rrugëve të Prishtinës Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, vendit tonë fqinj. Në festim e sipër shohin një çift serb në një makinë të tipit Yugo. I identifikojnë lehtë se janë serbë, i nxjerrin zvarrë nga makina, i torturojnë mes rruge dhe në fund i ekzekutojnë duke ua mbushur gojën petarda.

Pse turma shqiptare është kaq mizore?

Në të vërtetë, çdo turmë, e një organizimi shoqëror pothuajse primitiv, është e tillë.

Por, kjo nuk do të thotë se do të doja që kjo turmë t’ia delegojë shtetit dhunën dhe krimin. Dua dhe kërkoj fuqishëm të arrijmë të kemi një shtet që nuk e lejon një turmë të bëjë krime të tilla, as nuk i bën vet.

***

Për këto krime të pas luftës dhe ato të luftës, që ua kemi bërë, ne duhet t’ua japim bashkëqytetarëve tonë serbë Asociacionin.

Për krimet që na i kanë bërë, kurdo që na i kanë bërë, e kemi fituar Shtetin.

***

Kosova është në proces normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë, i kërkuar dhe detyruar nga Bashkimi Europian. Marrëveshjet e arritura janë një obligim nga i cili nuk ka mundësi shmangjeje.

As LDK as PDK nuk janë më pak patriotë as urrejtes të serbëve se opozita. Në nacionalizmin e marrë, në vetvete, janë njëlloj të marrë. Por, kur janë në pushtet, kanë obligime. E kjo megjithatë është një e mirë. Sikur LDK të kishte mbetur ende në opozitë, mbase tani do të ishte duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, kundër Asociacionit.

Shumë anëtarë të LDK-së dhe PDK-së janë shprehur, duke u mbështetur tek ai nacionalizëm i marrë dhe urrejtje, se nuk u pëlqen Asociacioni, por e kanë detyrim nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve.

***

Anëtarët e Vetëvendosje janë pasardhës të nacionalizmit dhe urrejtjes së atyre që sot i quajnë tradhtarë. Tradhtarë do t’i quanin edhe anëtarët e AAK-së (se, në të vërtetë, para pak kohësh, kur nuk ishin në aleancë, i quanin parti të haraçit), më të cilën sot janë në aleancë, e cila, sikur të kishte qenë në pushtet, do ta kishte nënshkruar me të katër duart marrëveshjen.

Edhe parardhesit e saj, lëvizja e armatosur, një pjesë e mirë e asaj që sot përbëjnë PDK-në, i quanin tradhtarë anëtarët e LDK-së, të cilët, në vitet ’90, ishin zotat e paprekshëm të patriotizmit, kujdesit ndaj vendit dhe popullit, qeverisjes. Shumë nga ta i konsideronin tradhëtarë ish udhëheqësit komunistë të Kosovës. Ndoshta edhe do t’ua kishin hequr kokat, siç atyre pretendohet t’u jenë hequr. Duke ndjekur këtë logjikë, a nuk del se Vetëvendosjen do ta pasojë ndonjë lëvizje, e cila do ta konsiderojë tradhtare të idealeve kombëtare a cilavedo?

***

Siç e patë edhe nga shkrimi im më lart, ne ende themi “shqiptarët”, “serbët” dhe “komuniteti RAE”, në vend se të themi thjesht “kosovarët”.

Ky është një tregues se sa skeptikë jemi, që të gjithë ne, gjithnjë nga jozerioziteti dhe papërgjegjësia jonë, karshi vetë fatit tonë, vetë të ardhmes tonë, vetë asaj për të cilën jemi munduar fundi i fundit; karshi mundësisë më të pranueshme për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë dhe në fund mundësisë për të qenë një.

Kur të vijë dita që të gjithë ne, natyrshëm dhe me plot dashuri, t’i referohemi vetes me “kosovarë”, atëherë shteti i Kosovës do të shohë më lehtë dritë të bardhë.

***

Të kthehemi te bllokimi i Kuvendit të Kosovës.

Dua të them një herë e mirë se jo vetëm moralisht dy partitë në pushtet, LDK dhe PDK, me qeverisjet e mëparshme, siç e thamë, dhe me disa veprime të mëvonshme e kanë humbur skajshmërisht legjitimitetin.

Dhe cili është sinjali që japin opozita karshi pozitës në lidhje me respektimin e rendit dhe ligjit?

E njëjta sjellje, e njëjta arrogancë, e njëjta kafshëri. Referenca e parë dhe e fundit: dhuna. Opozita akuzon pozitën për ndikim mbi policinë dhe gjyqësinë (çka është edhe e vërtetë, s’do mend), vetëm se, për një moment, nga ngjarjet e fundit, doli se vetë opozita është më me ndikim: si në filma me gangsterë dhe turma të dala kontrolli (dhe mendsh): liruan një të dyshuar.

Pra, pushteti nuk paska edhe gjithëherë pushtet mbi opozitën.

Skena të tilla flasin për një vend në mjerim të plotë, me një organizim pothuajse primitiv politik dhe ligjor.

Në këtë kontekst, është shqetësues mbi të gjitha ai “autoritet”, i cili qëndron mbi ligjin. Një nga ato autoritete për shembull janë dy nga figurat kryesore të opozitës, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, që të dy të gjykuar për krime lufte e të pagjykuar për të tjera, bile i dyti ende zvarritet nëpër gjyqe për krime ndaj shtetit të vet: korrupsion. E megjithatë, kanë skrupullin të flasin për moral, ligj dhe drejtësi. Këto dy “autoritete” ligji nuk i arrin kur nxisin turmën ta sulmojnë stacionin policor me gur dhe molotov për ta liruar një të dyshuar për shkelje. As kur në Kuvend hedhin gaz lotsjellës dhe bllokojnë punën e tij në mënyrë të dhunshme.

Pra, kemi krim të (o)pozitës.

Ky është shqetësimi i të gjithë qytetarëve të Kosovës, sidomos atyre që nuk kanë votuar të keqen, cilëndo të keqe.

***

Qytetarët, ata që nuk kanë votuar dhe Shoqëria Civile e kanë bërë të qartë: dhuna në Kuvend është e papranueshme, bllokimi është dhunë. Pra, nuk ka protestë qytetare ndaj marrëveshjeve.

Bllokimi do t'i shkaktojë dëme të mëdha politike vendit, kanë thënë ambasadorët e huaj në vend, më i zëshmi ndër ta ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bllokimi do të sjellë dëme ekonomike, ka thënë fuqishëm FMN.

Marrëveshjet ndërkombëtare nuk tërhiqen, kanë thënë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare.

***

Opinioni është skandalizuar nga reagimi fyes i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ndaj një fyerjeje të deputetes Albulena Haxhiu. Skandalizimi është një e mirë, është virtyt. Por, ka lloje të ndryshme skandalizimi. Pasolini thoshte, për shembull, se roli i intelektualit është të shkaktojë skandal. Por, në atë rast, publiku e mirëpret skandalin, përmes të cilit luftohen, ta zëmë, tabutë. Politikanët kosovarë nuk shkaktojnë skandale duke propozuar ide ose zgjidhje problemesh të papranueshme për një shoqëri konservatore. Politikanët kosovarë shkaktojnë skandale duke keqqeverisur, manipuluar, shpërdoruar. Në këtë rast, opinioni skandalizohet. Në kuptimin: tmerrohet, ndihet i turpëruar, i poshtëruar dhe i nëpërkëmbur.

Unë do të doja që Kadri Veseli të zhduket nga skena politike, nëse jo për asgjë tjetër, të paktën për atë sharje. Ama, ju lutem, si mund ta kërkojmë vetëm ikjen e tij, kur në të njëjtën kohë, subjekti i sharjes së tij, Albulena Haxhiu, refuzon t’i përgjigjet thirrjes së organeve të drejtësisë për shkak të dyshimit të përdorimit të mjeteve të ndaluara me ligj? Nuk dua të bëj krahasime cila shkelje është më e rëndë, atë e përcakton tjetërkush, dua të them se asnjëri nuk është i legjitimuar. Që të dy palët janë e njëjta anë e medaljes.

***

Unë, si edhe shumë kolegë të mi nëpër media të ndryshme, kam shkruar vazhdimisht për keqbërësit në politikë, më konkretisht në pushtet. Që të mos i përtmendim të vjetrit, le t’ua kushtojmë ca radhë të rinjve, sidomos atyre të rinjve që po duan të na bindin se po e bëjnë keqbërjen në emrin tonë, për të mirën tonë.

I pari dhe më i rrezikshmi ndër ta është Albin Kurti. Ai dyshohet për hedhje të gazit lotsjellës. Për këtë shkelje, atij i ishte kërkuar të lajmërohet në polici për t’u intervistuar, çka e kishte refuzuar. Policia, nga sa u pa, duket se nuk i ndoqi procedurat e rregullta për ndalimin e tij, nën ndikimin e disa keqbërësve të vjetër në pushtet. Ai ndalim u cilësua, nga një keqbërës i vjetër, Ramush Haradinaj, “kidnapim”. Mirëpo, çfarë ndodhi pas? Ndodhi përçmimi më brutal i rendit dhe ligjit: lirimi i të dyshuarit nga një turmë e çmendur, e cila po digjte stacionin policor. Dështim i papranueshëm.

Pas tij vijnë Donika Kada Bujupi, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, që të gjithë këta të dyshuar për veprën e njëjtë.

***

(O)pozita pra është një shkelje të vazhdueshme të ligjit. (O)pozita është mbi ligjin. Porse, mund të bëhet edhe një dallim i vockël. Derisa të gjithë e dimë se pozita ka në dorë pushtetin dhe mund ta përdorë edhe policinë për ta mbrojtur veten, pra është mbi ligjin, logjikisht do t’i binte se opozita është saktësisht e pambrojtur, pra subjekt me e pavend i ligjit. Ama, jo, nuk qenka ashtu. Mbi ligjin është edhe një keqbërës i marrë si Albin Kurti. Për Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn e dinim. Për keqbërësit në pushtet e dinim.

***

Për mua, dhuna e përdorur në Kuvend nga opozita është krim.

***

Kjo mënyrë banditeske e të vepruarit të opozitës, a mund të lexohet si shpresë për një të ardhme të dëshiruar politike të vendit? Apo, është thjesht një reflektim i thjeshtë dhe i pastër i qeverisjes së keqe, mashtrimit, keqpërdorimeve, dhunës, kaosit, që do të na prisnin me të në pushtet? Ashtu siç na pret e njëjta gjë me këtë pushtet.

***

Struktura politike kosovare është e mjerë. Sa herë që është përfunduar në situata të rënda politike, partitë politike kosovare nuk kanë arritur të vijnë deri te një zgjidhje përmes bashkëbisedimit dhe respektit të ndërsjellë. Prore është nevojitur intervenimi dhe ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar, duke çuar në “pajtime”. Do të thotë, politikani kosovar ka dy probleme esenciale në vete. Një: është i paditur. Dy: është arrogant. E para sjell të dytën. E dyta i fik dritat kur ndriçimi është shpëtimi i vetëm.

***

A duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, për ta votuar të keqen që tani është në pushtet?

A duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, për ta votuar të keqen që tani është në opozitë?

Sepse të keqe tjetër nuk ka në horizont.

Ashtu siç nuk ka një të mirë, një të mirë çfarëdo.

A duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe t’i votojmë këto të këqija, në mënyrë që pasi të fitojë njëra e keqe, të bëhen bllok të këqijat e tjera dhe të mos e lejojnë për disa muaj, a më shumë, ta formojë qeverinë?

Sepse kështu u bë më parë dhe kështu ka shumë gjasa të bëhet prapë.

A duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe t’i votojmë këto të këqija, në mënyrë që pasi ta formojnë qeverinë pas atij bllokimi, ta bllokojnë edhe Kuvendin pas vetëm një viti qeverisjeje, me pretekste të çfarëdoshme, duke përdorur dhunën si mjet të parë dhe të fundit?

Sepse kështu po bëhet tash dhe kështu do të bëhet prapë.

Sido që të vijë puna, ky është mjerimi i demokracisë: ne që duam një shtet ligjor, nuk kemi kë të votojmë.

Ata që duan krimin, korrupsionin, papërgjegjësinë, haraçin, zhvatjen, detyrimin, dhunën, trazirat, kaosin, banditizmin, gazin lotsjellës në Kuvend dhe në rrugë, shishet me molotov ndaj policisë, ata po, kanë kë ta votojnë. Me bollëk.