• |
ide | kryesore

“Pse ra Majko, si u vendos Bashkim Fino kryeministër në 1997”

Arkiva, Dossier
19977777.jpg



Pa dyshim që ajo nuk ishte Shqipëria e re që kishin ëndërruar shqiptarët, qysh se u ngritën për të rrëzuar komunizmin në dhjetor të vitit 1990. Shqipëria ishte në flakë dhe politika duhej të gjente një zgjidhje të menjëhershme.

Dëshmitar i ngjarjeve, gazetari Fred Abrahams, na tregon në librin e tij të sapobotuar “Shqipëria e re” (Botimet “Dudaj”) prapaskenat e bisedimeve mes pozitës së djathtë, me në krye Sali Berishën, në atë kohë President i vendit, dhe opozitës së majtë, me kryenegociator Rexhep Meidani.

Ndërsa Jugu kishte dalë tërësisht jashtë kontrollit, në Tiranë krerët e partive më të mëdha politike po kërkonin të gjenin gjuhën e përbashkët. Pikërisht për këtë çështje kishte mbërritur në kryeqytetin shqiptar, si i dërguar i OSBE-së, Franz Vranitzky, i cili sapo kishte dorëzuar postin e kancelarit të Austrisë.

Me një mendim pozitiv për Berishën, ai i kërkoi këtij të fundit të shpallte zgjedhje të reja dhe krijimin e një qeverie teknike. Pas disa raundesh bisedimesh, më në fund Berisha shpalli përpara mediave “Alternativën e Pajtimit Kombëtar”, duke shpallur zgjedhje të reja brenda pak muajsh dhe krijimin e një qeverie teknike.

Për të ngritur këtë të fundit, kërkoheshin të tjera bisedime. Abrahams na tregon se përse ranë disa nga alternativat e socialistëve dhe si u arrit tek emri i Bashkim Finos. Telefonata e Meidanit, Dokles dhe Berishës me Finon.

FRED ABRAHAMS

Ndërsa kaosi përfshiu Përmetin, udhëheqësit e opozitës u kthyen në Presidencë për një raund tjetër bisedimesh.

Ata u mblodhën në një sallë në katin e parë dhe u ulën rreth një tryeze të madhe. Pas dhjetë minutash u hap dera dhe Berisha hyri brenda, me trupin drejt dhe me pamje euforike.

Ai përplasi dorën në tryezë.

“Nga kjo sallë, le të deklarojmë sot së bashku atë që i duhet Shqipërisë më shumë se kurdoherë: platformën e pajtimit kombëtar!”, shpalli ai.

Opozita dhe anëtarët e pranishëm të PD-së u tronditën.

Berisha vazhdoi: “Alternativa e pajtimit kombëtar është alternativa më e mirë, më fisnikja, prandaj unë ju ftoj juve, përfaqësuesve të partive politike kryesore të vendit, ftoj shqiptarët kudo që janë, ta përshëndesim këtë alternativë me zemër të hapur në një moment kur vendi ka nevojë për këtë mbështetje më shumë se kurdoherë”.

Kamerat e televizionit regjistronin skenën. Kamera kishte pasur edhe në dy takimet e mëparshme, por opozitës i kishin thënë që ishin për arkivat. Ky takim po transmetohej drejtpërdrejt në të gjithë vendin.

I ulur në krye të tryezës, Berisha lexoi nga propozimi i tij, që e kishte shkruajtur me dorën e vet: amnisti e përgjithshme, qeveri e pajtimit kombëtar, dhe zgjedhje brenda dy muajve.

Zyrtarët e opozitës dhe të PD-së mbanin shënim si në ethe, duke u munduar të kapnin pikat. Siç kishte bërë Ramiz Alia para shtatë vjetësh, Berisha ia kishte marrë në kthesë opozitës.

E befasuar nga kthesa e papritur, opozita prapëseprapë e mirëpriti marrëveshjen.

Me ndryshime të vogla, rreth orës 16:00 ajo firmosi marrëveshjen me nëntë pika. Anëtarët e partive kapërcyen bulevardin për në “Rogner” dhe i dhanë shtypit intervista fitimtare.

Përsëri, njeriu më kritik ishte Fatos Lubonja, të cilin e pashë se si e kërdisi opozitën me qortime për hyrjen në bisedime pa Komitetet e Shpëtimit. Ai besonte se marrëveshja i jepte rrugëdalje Berishës nën rrethim.

Udhëheqësit e moderuar të PD-së e kishin braktisur partinë, tha ai, dhe Berisha kishte vetëm një ekip me njerëzit më besnikë, si Genc Pollo, Tritan Shehu, Bashkim Gazidede dhe Agim Shehu.

Me më shumë rezistencë, ai do të largohej. Duke mbajtur në kokë një kapele bezhë bejsbolli, që kishte mbishkrimin e çuditshëm “Nog”, ai i tha një grumbulli gazetarësh se situata ishte si në filma, dhe se Shqipëria do të shpëtonte vetëm “kur personazhi i keq të ketë vdekur”.

Pas një pauze të shkurtër, ai shtoi: “Në kuptimin metaforik”. Opozita argumentoi se marrëveshja ishte e nevojshme për të shmangur luftën civile.

“Në atë kohë, ajo ishte e nevojshme për të shmangur konfliktin”, reflektoi Rexhep Meidani, udhëheqësi i PS-së që shpejt do të zinte kolltukun presidencial të Berishës.

Namik Dokle ishte dakord. “Po të ishim munduar ta hidhnim Berishën në humnerë, ai do të kishte marrë me vete Shqipërinë”, më tha ai në vitin 2002, në zyrën e tij të kryetarit të Kuvendit.

Pasi rruga drejt zgjidhjes politike ishte ndriçuar, gazetarët e kërcënuar dhe politikanët e opozitës dolën me kujdes nga vendet ku ishin fshehur. Nga ana tjetër, unë takova Ylli Rakipin, kryeredaktor i gazetës “Albania”, fanatike pro- Berishës, e cila kishte vjellë helm për vite të tëra.

“Tani do të shtypim të vërtetën”, më tha ai. Por “rebelët” anembanë Jugut nuk pranuan të ndalonin. Komitetet e Shpëtimit ranë dakord që kishte nevojë për zgjedhje të reja, por tërbimin e tyre do ta qetësonte vetëm heqja e Berishës.

Duke dështuar të kërkonte dorëheqjen e tij, thanë ata, opozita kishte dështuar. Në selinë e PD-së në Tiranë, unë pashë një turmë njerëzish që po prisnin të merrnin armë. Sipas tyre, rebelët ishin agjentë të Enver Hoxhës dhe grekë irredentistë.

“Po të vijnë në Tiranë, ne do të luftojmë”, më tha një burrë. “Berisha po tregohet tepër i butë”, tha një tjetër.

* * *

Marrëveshja e 9 marsit krijoi atë që u quajt me emër madhështor “Qeveria e Pajtimit Kombëtar”. Berisha duhej të emëronte kryeministrin dhe opozita të emëronte zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Brendshëm.

Askush nga socialistët nuk e donte detyrën e palume e të rrezikshme të kontrollit të policisë. Duke mos pasur vullnetarë, krerët e PS-së zgjodhën personin më të ri në udhëheqjen e partisë, njëzetenëntëvjeçarin me fytyrë prej çuni me emrin Pandeli Majko.

Rexhep Meidani dhe Majkoja u takuan me Berishën për të diskutuar postet e tjera. Vetëm gjatë atij takimi, më treguan veç nga njëritjetri Meidani dhe Majkoja, i njoftoi ata Berisha se kishte ndërruar mendje për shpërndarjen e posteve.

Kryeministrin, në vend të demokratëve, duhej ta emëronin socialistët, deklaroi ai. I trazuar, por tepër i vendosur për ta mbajtur procesin në lëvizje, Meidani ra dakord.

Mu aty, ai u kthye drejt kolegut të tij riosh dhe propozoi si kryeministër Majkon. “Unë mbeta krejt i befasuar”, më tregoi Majkoja.

“Por nuk reagova”. Dy burrat u larguan nga zyra e Berishës për t’u konsultuar me udhëheqjen e PS-së rreth ndryshimit. Partia ra dakord që Majkoja, aktivist i rinisë komuniste dhe student gjatë demonstratave të viteve 1990-1991, të ishte kryeministri i saj.

Por kur rifilluan bisedimet, zyrtarët e PD-së thanë se Majkoja ishte i papranueshëm si kryeministër, sepse ishte “shumë lart në parti”.

Në vend që të kundërsulmonin, socialistët filluan një kërkim të dëshpëruar. Ata kishin nevojë për një person të aftë të drejtonte qeverinë, të pranueshëm për Berishën, dhe që ndoshta ishte më e vështira, me vullnetin për të pranuar detyrën. Ekonomisti i ri, Arben Malaj, tha “jo”.

Të moderuarin Agim Fagu nuk patën mundësi ta gjenin. Berisha e hodhi poshtë kreun e PS-së të Vlorës, Eduard Alushin. E pezmatuar, udhëheqja e partisë më në fund doli me një emër.

Ai nuk ishte personi më popullor në parti, por ndoshta do të ishte i pranueshëm për Berishën, mendonin socialistët, dhe në atë kohë ishte i papunë. Telefonatën e bëri Rexhep Meidani.

Në Gjirokastrën e largët, tridhjetekatërvjeçari Bashkim Fino ishte në shtëpi duke luajtur tavëll me një shok, kur ra telefoni. Ai ishte i shkurtër, i shëndoshë e me kokë të rrumbullakët, me syze të mëdha e flokë të dendur të zinj.

Meidanit i ishte ngjirur zëri, kështu që ai ia kaloi telefonin Namik Dokles. “Të mora në telefon për të të thënë një gjë”, kujtoi Dokle fjalët e veta.

“Dhe kur ta mbaroj fjalinë, do të mendosh se jam çmendur.

A je gati?”. “Vazhdo”, iu përgjigj Finoja.

“Në këtë moment ti je kryeministër i Shqipërisë”.

Finoja e humbi fare. Ai i kishte ndjekur lajmet në televizion dhe kishte dëgjuar të shtënat në qytet, po përndryshe, ish-kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës ishte jashtë rrethit.

“Pse unë?”, pyeti ai. Sepse Berisha na ka dhënë të drejtën të zgjedhim kryeministrin, shpjegoi Dokle, por nuk pranoi këdo nga udhëheqja e partisë. Ti je personi i duhur për këtë post.

“Unë ngurrova”, më tregoi Finoja vite më vonë. “Secili kishte për të ngurruar në një situatë të tillë”. Meidani doli përsëri në linjë.

Në qoftë se nuk japim një emër brenda tridhjetë minutave, do të humbim të drejtën e emërimit të kryeministrit, tha ai me zë të ngjirur.

Finoja pranoi në mënyrë të kujdesshme, por me një kusht: shoku i tij i vjetër i shkollës, Arben Malaj, duhej të futej gjithashtu në qeveri. Socialistët kontaktuan Berishën për t’i thënë se oferta e tyre finale ishte Finoja.

Komiteti i Shpëtimit i Gjirokastrës nuk qe entuziast për zgjedhjen e socialistëve. Disa njerëz donin që të mbaronte kriza dhe e mirëpritën marrëveshjen politike, por të tjerë menduan se opozita i kishte shitur.

Berisha ishte ende në pushtet dhe disa prej kërkesave të tyre mbeteshin të paplotësuara. Përveç kësaj, ata e njihnin Finon si oportunist që kishte luajtur me të gjitha palët. Si kryetar bashkie i qytetit nga viti 1992 deri në vitin 1996, ai pinte kafe me udhëheqësit e PD-së dhe i dërgonte uiski në burg Fatos Nanos.

Ai ishte socialist, por kishte mbështetur referendumin e Berishës për kushtetutën në vitin 1994. Ai kishte gjithashtu sy të mprehtë për sipërmarrje, duke gëzuar marrëdhënie të mira me sipërmarrësit e qytetit dhe kreun e PD-së së rrethit, që thuhej se importonte naftë nga Greqia.

Akuzat për korrupsion ishin më të shumta se flokët e dendur e të zinj të Finos. Atë natë, shtëpinë e Finos e rrethuan njerëz të armatosur. Disa ishin kundër marrëveshjes.

Disa ishin pro marrëveshjes, por kundër Finos. Disa donin që Finoja të merrte detyrën. Brenda në shtëpi, Finoja priti një telefonatë nga Berisha. “Kemi detyrë të vështirë përpara, por do të punojmë së bashku”, kujtoi Finoja fjalët e presidentit.

“Do të dërgoj helikopter nesër për ty, por ki kujdes se mos e rrëzojnë”. Helikopteri erdhi dhe u largua i sigurt mëngjesin e së nesërmes, duke marrë në Tiranë kryeministrin e ri.

Finoja shkoi përnjëherësh në selinë e Partisë Socialiste e mandej në Presidencë së bashku me Rexhep Meidanin, ku Berisha e emëroi zyrtarisht kryetar të qeverisë. Ai kapërceu bulevardin drejt zyrës së tij të re për të diskutuar për postet qeveritare që mbeteshin.

Sipas marrëveshjes, socialistët morën Ministritë e Financës dhe të Mbrojtjes, kurse demokratët mbajtën Ministrinë e Brendshme, SHIK-un dhe televizionin shtetëror.

“Kishte dy pika kryesore: shmangia e luftës civile dhe arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjet”, kujtoi Finoja. Që të dyja do të ishin detyra vigane.