• |
ide | kryesore

Ambasadorët në kurthin e dhunës

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333_19-1.jpeg



Një incident mediatik me ambasadorin gjerman Hemut Hofman është shndërruar në instrument për të parë një qasje të nxituar dhe tejet simpliste që ambasadat kryesore në Tiranë kanë shfaqur ditët e fundit. 

Ambasadori Hofman u gjend "rastësisht" në protestën e opozitës, pikërisht në vendin ku një grup njerzish të pashpresë po tentonin të shkallmonin një bunker betoni me shkopij, dhe ti vinin atij zjarrin e zemërimit. Nuk dihet nëse në ato 5 minuta që ai ka ndejtur në rrugë e ka parë edhe ndonjë xham të thyer, apo ndonjë pllakë të hequr. 
 
Ajo që dihet është se nga disa media periferike opozitare u abuzua me prezencën e tij. Madje keqazi. Ai u paraqit si një mbështetës i opozitës që i përkrahte aktet e njerzve të saj.
 
Dhe ai vendosi të reagojë. E drejta e tij. 
 
Po pyetja që shtrohet është: a mund ti përgjigjet një diplomat një abuzimi me një kundër abuzim? Një kalimi mase me një tjetër tejkalim?
 
Ambasadori i dërgoi të premten në mbrëmje një email mediave ku ai rrëfente se kish mbetur i tronditur nga ajo që kish parë në protestën e opozitës. E natyrisht me sloganin e gatshëm të fabrikuar edhe nga shumë homologë të tij edhe ai nxitoi të dënojë dhunën e demostratës.
 
Po përpara se ti marim të mirëqëna termat që na serviren nga ambasadat e huaja, le të ndalemi pak tek ato: ç'kishte tronditëse aty? Pse ato shkopij që valviteshin në ajër u përshkruan si simbole të dhunës ekstreme?
 
Natyrisht ambasadori i gjerman nuk qe i vetmi që ra në kurthin e ngritur nga propaganda qeveritare për ekzagjerimin e efekteve të dhunës në demostratën e PD-së. 
Menjëherë pas mitingut, ambasada e ShBA-ve i dënoi ato: "akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhen me vlerat demokratike" nënvizoi ajo.
 
Me po të njëjtën shpejtësi reagoi edhe selia e BE së në Tiranë. Retorika kundër demostrimit të forcës u shndërua në kryefjalë të përshkrimit të protestës. 
Dhe më ironikja e të tëra deklaratave ishte fjalia që i paraprinte tërheqjes së veshit për opozitën. Me një naivitet ekstrem thuhej se protestat janë një vlerë e demoktacisë, se e drejta për tu tubuar dhe demostruar është legjitime. Nënteksi i nënndërgjegjjes qe i qartë dhe gati racist: këta qytetarë të dorës së dytë ndoshta mund të privohen edhe nga e drejta për të protestuar.
 
Por pavarësisht nga këto, çështja kryesore e këtij debati të stisur është: pse nga diplomatët e huaj në Tiranë i'u vu kaq shumë theksi akteve të forta të mitingut të opozitës duke anashkaluar mesazhet e tij reale?
 
Kush ishin më të rëndësishme, disa xhama të thyer, disa gurë të hedhur, njollosja e strehës deliranto -korruptive të kryeministrisë, nxirja e fasadave të institucioneve që nga brenda janë shume më të errëta sesa jashtë, apo ato që u thanë në protestë?
 
Duke mos dashur të merren me akuzat e mbështetura në kor nga afro 10 mijë njerëz, me denoncimin e tenderave, koncesioneve, parave për miqtë e kryeministrit, apo kriminelët në parlament, propagandistët e qeverisë, menduan ti mbivendosin atyre denoncimin e akteve të demostruesve. Dhe kështu bënë.
 
Pikërisht në këtë kurth ranë me dashje dhe ambasadorët e Tiranës. 
 
Për disa arsye. E para sepse ende ata nuk janë miqësorë dhe nuk kanë besim tek opozita.
 
E dyta sepse prej 25 vjetësh janë po të njëjtit: idhtarë të stabilitetit përpara demokracisë.
 
E fundit dhe ndoshta më e rëndësishmja, sepse prej një çerek shekulli, në Shqipri, ata e kanë më të thjeshtë të bëhen me pushtetin.
 
I mbani mend? Që nga i famshmi Torkuado Kardili i cili mbështeste qeverinë e Partisë së Punës. Më pas erdhi Rajersoni që ngrinte dy gishtat në tribunat e mitingjeve të PD. Pastaj Paolo Foresti që kërkonte të mbronte Berishën edhe pas mbi 2000 të vrarëve të 1997. Pastaj Limprehti që u bë qesharak më shumë se me preferencat e tij hedoniste, me militimin e tij pro pushtetit të socialistëve. Dhe në fund qe Arvizuja që i tha Berishës "burrë shteti" një kryeministri që vrau katër vetë.
 
Kjo është pra historia që në një farë mënyre na zbërthen dhe të tashmen. Edhe këtë rradhë selitë diplomatike u shfaqën antiopozitare. Jo duke goditur PD, por duke përçudnuar në ekstrem mesazhin e protestës së saj. Sipas propagandës me të cilin atë e serviri Rama.
 
Edhe njëherë ambasadorët ranë në kurthin e pushtetit. 
 
Dhe kjo është puna e tyre. 
 
Por, ajo na bën ne që ti marrim më pak seriozisht fjalët e tyre, dhe të mendojmë vetë më shumë. Sepse edhe ata që janë kundër PD-së, edhe ata që nuk i duan djegjet, xhamat e thyer, qoftë dhe fasadat e fëlliqura që mbulojnë një qeverisje të kalbur, e dinë se mesazhi kryesor i 8 dhjetorit, nuk qe ai i dhunës./ Lapsi.al/