• |
ide | kryesore

Dosja “Shoshori”/ Lista me 20 dëshmitarët në procesin e vitit 1974

Arkiva, Dossier
Hysen-Shoshori.jpg



Hysen Shoshori s’ka qenë i denoncuar, por i arrestuar në kushtet e flagrancës. Në faktet e shumta që sjell nga dosja “Shoshori”, studiuesi Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, zbulon jo vetëm rrethanat si ra në prangat e policisë tiranasi rebel që shpërndante traktet antikomuniste në qytet, por edhe emrat e 20 dëshmitarëve që janë përballur me të gjatë procesit gjyqësor, në vitin 1974.

Hysen Shoshori

Në radhët e tyre, përveç dy personave të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë arrestimit, të tjerët rezultojnë se nuk kanë pasur lidhje me çështjen e shpërndarjes së trakteve, por janë thjesht ose shokë pune të të pandehurit, ose qytetarë të zakonshëm që kishin gjetur dhe dorëzuar në polici komunikatat me përmbajtje antikomuniste.

Më poshtë publikojmë të plotë aktakuzën e kumtuar në gjykatë ndaj Hysen Shoshorit dhe listën me emrat e 20 dëshmitarëve që kanë pohuar gjatë procesit kundër tij.

KASTRIOT DERVISHI

AKTAKUZA NË PROCES
“Organet e punëve të brendshme, më datën 29 gusht 1974, ora 21.15, në rrugën “Qemal Stafa” dhe pikërisht në afërsi të klinikës qendrore Tiranë, kapën në flagrancë të pandehurin Hysen Shoshori që shpërndante fletushka me përmbajtje armiqësore. Në kontrollin personal iu gjetën në xhepa edhe 9 copë fletushka të tjera thellësisht armiqësore.

Faksimile e dëshmive nga dosja “Shoshori”Për këtë krim i pandehuri u arrestua dhe nga zhvillimi i hetimeve ka rezultuar se veprimtarinë kundra pushtetit popullor, i pandehuri Hysen Shoshori e ka filluar qysh në vitin 1967 e në vazhdim.
Ky i pandehur duke patur shoqëri me të pandehurin Ramiz Vladi, i ka bërë këtij herë pas herë biseda me karakter armiqësor kundra partisë, pushtetit e udhëheqjes së saj duke thënë se gjoja ky pushtet po bën padrejtësia të mëdha, se gjoja në këtë pushtet po vuan i gjithë populli, nuk ka liri, ka diktaturë,…”

Në këto fletushka armiqësore, i pandehuri Hysen, vjell tërë vrer për partinë, pushtetin dhe udhëheqjen. Bën thirrje për akte terrori dhe për minim e rrëzim të pushtetit popullor. Veprimtaria armiqësore që ka zhvilluar i pandehuri Hysen Shoshori, paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse jo vetëm që ka shprehur me gojë veprimtarinë e tij armiqësore, por me anën e fletushkave që ka shkruar dhe shpërndarë ka synuar të bëjë njerëz të pakënaqur dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për akte terroriste kundër udhëheqjes kryesore të partisë dhe të shtetit si dhe për përmbysjen e pushtetit popullor.

Faksimile e dëshmive nga dosja “Shoshori”Në fletushkat ndërmjet të tjerave i pandehuri Hysen Shoshori ka shkuar:
-“Atdhe, njeriu ka atje ku ka liri jetese, liri fjale, liri pune e të drejta njerëzore prandaj në rast se do ta dish në e do populli këtë parti, të lirojë kufjitë, por jo më shumë se 24 orë”. –

“Katundar, mor trufishek. I punon tokën udhëheqjes për 2 lekë”.

-“Mirë e ka populli zë radhën qysh më 3 të natës për vajguri se vet e kërkoi këtë pushtet që ishte maskue me emrin e socialkomunizmit, por doli pushteti i socialradhizmit”.

-“Partia i shet rrena popullit me lekë me anë të gazetës. Sa e ka çmimin gazeta, aq vlerë kanë lajmet”.

-“Popull, komunizmi i këtyre është në botën tjetër, prandaj mos i barnatosni trutë me politikën e këtyre, mos u tregoni të ligj e frikacakë se ky pushtet sot është e nesër nuk është”.

-“Kërkoni hapjen e kufijve që të shpëtoni ose përmbysjen pa vonesë…se po përhapet komunizmi në Europë”.

DËSHMITARËT KUNDËR SHOSHORIT
Përveç dy personave që kryen arrestimin, personat e tjerë që dolën dëshmitarë nuk kishin lidhje me çështjen e shpërndarjes së trakteve. Ata dëshmonin për njohjen personale me të pandehurin (shokët e punës) dhe për njohjen me traktet e tij (qytetarët e zakonshëm dhe policët). Ja si ndahet grupi i dëshmitarëve:

1-Grupi që e njihte H.Shoshorin në punë:
-Besim H., komandant i uzinës së artilerisë.
-Perlat K., punëtor i uzinës së artilerisë.
-Servet D., zëvendësdrejtor i uzinës së artilerisë.
-Bektash B., shef llogarie i uzinës së artilerisë.
-Isak Gj., mekanik i uzinës së artilerisë.
-Shuaip V., mekanik i uzinës së artilerisë.
-Ismet Dr., inxhinier i uzinës së artilerisë.

2-Qytetarë që kishin gjetur e dorëzuar në polici traktet:
-Vjollca B., ekonomiste, kishte gjetur trakt në vitin 1967 në rrugën “4 Dëshmorët”.
-Polikron P., mësues, kishte gjetur trakt në vitin 1968 në uzinën “Traktori”.
-Ahmet R., berber, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Dervish Hekali”.
-Shpëtim I., axhustator , kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Tefta Tashko”.
-Hysen K., këpucar, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Hasan Vogli”.
-Leonora K., pa punë, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Petro Nini”.
-Nesim D., shofer, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Ibrahim Hasmema”.
-Avni U., magazinier në ushtri, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Hoxhë Vokrri”. -Kolec Gj., mekanik, kishte gjetur trakt në vitin 1969 në rrugën “Bardhok Biba”.
-Lulzim R., nxënës 18-vjeçar, dëshmonte për një njeri të dyshimtë që ndante letra në datën 24.8.1974.
-Isuf R., babai i nxënësit të mësipërm, dëshmonte për një njeri të dyshimtë që ndante letra në datën 24.8.1974.

3-Policë që kishin gjetur traktet nëpër rrugë:
-Xhelal G. Dëshmonte se në vitet 1968-1969 kishte gjetur trakte në rrugën “Formimi i partisë”.
-Nafiz S., ish-polic. Në vitet 1967-1969 kishte gjetur trakte në disa rrugë, si: “Dullë Keta”, “Bajram Curri”, “Çerçiz Topulli”, “Ded Gjo Luli”, “Mahmut Fortuzi” etj.