• |
ide | kryesore

Elvana Gjata sërish në shënjestër të hajdutëve, i grabitën 3000 euro dhe dy telefona

Arkiva, Paparazzi
image.jpeg



Telashet nuk paskan pasur të sosur për Elvana Gjatën gjatë 2015-ës. Një ngjarje që e ka tronditur jo pak artisten shqiptare ka qenë dhe ajo e qershorit, e cila u mbajt e fshehur nga Policia, por është zbuluar së fundi, për shkak të dënimit që gjykata e Tiranës i dha grabitësit Ervin Tahiri.
Në kallëzimin e saj bërë në polici, Elvana Gjata ka pohuar se ka hapur një biznes për shitje fustanësh nusërie në rrugën “Sulejman Delvina”. Rreth orës 18:00, të 22 qershorit, ajo ka qenë në këtë biznes duke u marrë me ndriçimin e katit të dytë me një grup pune. Kur është futur në dyqan, në katin e parë sipër tavolinës, kishte lënë dy celularët e saj, Iphone 6 dhe Samsung edge S6, si dhe çantën e dorës.

Vetë është ngjitur në katin e dytë. Rreth orës 18:30 ajo ka dëgjuar një zhurmë, sikur u mbyll dera në katin e parë. Menjëherë ka zbritur poshtë dhe ka vënë re se dy telefonat e saj mungonin. Ka kontrolluar çantën mbi tavolinë dhe ka konstatuar se i mungonin një shumë prej 3000 eurosh. Ka njoftuar punonjësit e sigurisë së lokalit dhe policinë. Nga hetimi rezultoi se autori ishte Ervin Tahiri, në banesën e të cilit u gjetën 1220 euro dhe portofoli i Elvana Gjatës, i markës “Michael Kors.” Brenda portofolit u gjetën edhe leja e drejtimit në emër të këngëtares si dhe karta e kreditit.

3 vjet e gjysmë burg, me gjykim të shkurtuar duke përfituar ulje me 1/3 e dënimit, Gjykata e Tiranës shpalli fajtor Ervin Tahirin i cili i vodhi këngëtares Elvana Gjata një shumë prej 3000 euro dhe 2 telefonë celularë.

Ngjarja e mbajtur e fshehtë nga Policia zbulohet pas vjedhjes së pak kohëve më parë, kur 4 adoleshentë morën nën kontroll jetën virtuale të artistes, duke iu futur në materialet personale në telefon, përmes emailit.