• |
ide | kryesore

Bombat e qeverisë Rama për vitin e ri

Arkiva, Ide
shano1.jpg



Balloni i qeverisë aktuale u ngrit mbi tokën dhe kokat e shqiptarëve në datën 15 Shtator 2013 me mbledhjen e saj të parë me Edi Ramën në timon. Ekonomia shqiptare ishte ngadalësuar prej kohësh- nga 7.2 përqind rritje në 2008, kishte arritur në 1.4 përqind në 2012. Por sidoqoftë në Doing Business 2013, Shqipëria renditej e 85 nga 185 ekonomi të botës. Linte pas Serbinë (86), Kosovën (98), Bosnjen (126). Maqedonisë dhe Malit të Zi u shihnim targën. Raporti i përvitshëm Doing Business është një vlerësim i Bankës Botërore që mat efiçencën e qeverisjes.
 
Për fluturimin e ballonit të qeverisë së re, u tha se ishte mbushur me qëllime të mira dhe me profeci si 300.000 vende të reja pune, shëndetësi falas dhe pasurim të të gjithë shqiptarëve. Është fakt, se që atëhere nga ky ballon i komanduar nga Edi Rama mbi territorin e Shqipërisë, mbi bizneset, mbi xhepat e shumicës së shqiptarëve bien parreshtur bomba. Të mëdha e të vogla.
 
Kjo qeveri fluturimin e vet në kuotë e filloi në 20 tetor 2013 me tritol publik ndaj banesave private në Tiranë dhe më pas në Vlorë. Ky është vetem fillimi tha ministri i Rendit. U pasua nga shtimi i përdorimit të tritolit privat për të larë gjithfarë hesapesh. U rrëmbye serveri i tatimeve me të dhënat e bizneseve nga deputeti i mazhorancës dhe njerëz pranë qeverisë. Frikë ndër qytetarë. Frikë ndër sipërmarrës. FMN i jep Shqipërise 300 milionë euro kredi. Soros financon këshillimin ekonomik të Qeverisë me çuna nga Harward-i. Borxhi publik kërcen në 72% e GDP. Do marrim borxh për të shlyer borxh- parrulla e qeverisë. Moratorium, ndalohen ndërtimet në Republikën e Shqipërisë. Kryeministri do të fusë armë kimike fshehtaz në Shqipëri. Qeveria kërcënon të rishikojë të gjitha konçesionet e dhëna më parë në Shqipëri. Fillon përndjekja e kapitalit. Rriten taksat mbi të ardhurat dhe fitimin me 50 përqind. Tatimi progresiv shpall 12.000 kulakë. Rritet çmimi i karburantit. S’keni parë gjë akoma, tha Kryeministri.
 
Aksion i qeverisë për mbledhjen e faturave të energjisë. Kërcënim i Kryeministrit. Burg! Burg! Burg! Ekonomia shqiptare frenon. Shenjat e frenimit janë kudo. Shqiptarët fillojnë të vrasin veten nga frika. Rritet çmimi i energjisë për shumicën e shqiptarëve dhe sidomos për bizneset. Ndërprerjet e energjisë vazhdojnë sot e kësaj dite. Rriten taksat prapë me 50 përqind. Mbi kursimet e shqiptarëve kësaj here. Rritet përsëri çmimi i karburantit. Qeveria fillon të kthejë pagesat e prapambetura. Aksion kundra mbjelljes së cannabis sativa në Lazarat. Burg! Burg! Burg! Tani cannabis mbillet në gjithë Shqipërinë dhe transportin e drogës me avionë të vegjël tashmë e kontrollon qeveria.
 
Janar 2015 shqiptarët privatë 6.6 përqind më të varfër, shqiptarët publikë 1.2 përqind më të varfër. Konsumi vazhon të bjerë në 2015. Shqiptarët kanë filluar realisht mos kenë para në xhep. Bizneset nuk harxhojnë. Nuk investojnë. I strehojnë paratë në banka. Kreditimi i ekonomisë është në stanjacion prej 2 vjetësh. Por qeveria nga lart thotë se GDP rritet. Habi e madhe!
 
Vjeshtë 2015. Aksion kundër informalitetit. Blitzkrieg! Qeveria me kërbaç kundër biznesit të vogël. Gjoba nga të katër anët. Kontrolle me policë. Burg! Burg! Burg! Për biznesin. Në dy muaj rreth 73.000 shqiptarë humbin punën. Pastaj, në nëntor 2015 Kryeministri thotë që bizneset e vogla nuk do paguajnë taksa. Çoroditje, bipolarizëm fiskal. Arroganca dhe arbitrariteti i qeverisë i pafundëm. Çdo ditë ka nga një skandal. Çdo ditë nga një konçesion. Nacionalizimi i ekonomisë tashmë është kthyer në monopolizimin e saj. Nga një grusht njerëz. 
 
Në fund të vitit 2015 buxhetit të shtetit thuhet se i mungojnë 30 miliardë lekë. Kryeministri bën 2 minuta mbledhje në këmbë tek Doganat dhe pushon ca drejtorë nga puna. Eksportet dhe importet frenojnë pa ndalim, cdo muaj të 2015. Ndërkaq merren 450 milionë Euro borxh në tregun ndërkombëtar. Borxhi mbetet 72% e GDP-së. Besimi i investitorëve ka rënë. Kryeministri iu gërduf kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe i mësoi atij se si luftohet korrupsioni dhe informaliteti. 
 
Rriten taksat për profesionet e lira në 2016- shpallen edhe 5000 kulakë të rinj. Nuk kemi shendetësi falas. Nuk kemi 300.000 vënde pune. Nuk jemi pasuruar. Përkundrazi! Sa herë bie shi përmbytet e gjithë Shqipëria. Vdesin fëmijë nga i ftohti si harabela. Shqiptarët nuk besojnë më qeverinë dhe politikën- rreth 100.000 shqiptarë janë nisur rrugëve të Europës për të kërkuar azil. 200.000 të tjerë aplikojnë për llotarinë amerikane. Parlamenti i mbushur me të inkriminuar, si model suksesi dhe pushteti. Një deputeti i mazhorancës pranon se pa ata nuk vinim dot në pushtet. 
 
Në këto dy vjet nuk ka rritje rrogash. As pensionesh. Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e gjobave të larta dhe burgut për bizneset i propozuar nga qeveria si variant pluralist i Nenit 55 “Për agjitacion propagandë” të Kushtetutës komuniste. Qeveria do ndryshojë përsëri buxhetin 2015 që të justifikojë paafatësinë totale për investime publike dhe vjedhjen në akciza. Transparenca nuk ekziston por në 2015 ka lindur “Ministria e Transparencës.al” që duhet të mbrojë nga e vërteta gjithë veprën e qeverisë. Ndërkohë Kryeministri ka hapur ekspozita me vizatimet e tij në 3 kontinente…
 
Këto janë bombat që më vijnë ndër mend, të cilat kanë rënë mbi Shqiperinë këto dy vjet e tre muaj. Dhe e kanë bërë gropë këtë vend, kanë bërë gropë ekonominë, atë private dhe atë publike. Vetëm në 2015 mungojnë në hesap mbi 1 miliardë Euro si kombinim i evazionit në mallrat e akcizës dhe dëmeve në tendera publike. Kemi dalë jashtë loje. Deri tani jemi humbës në garën me të ardhmen. Ekonomia heziton, ka mosbesim, ka frikë nga qeveria dhe fluturimi i saj mbi kokat tona. Në fakt në Doing Business 2016: Shqipëria renditet e 97 nga 189 vende. Jemi të fundit në rajon. Përveç Maqedonisë (12) dhe Malit të Zi (46) tani i shohim targën edhe Serbisë (59) Kosovës (66) dhe Bosnjës (79).
 
Sikur kjo qeveri, që nga 1 janari 2016 të mos miratojë më asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë konçesion. Sikur kjo qeveri që nesër të iki nga zyrat dhe gjërat të mbeten pa lëvizur, Shqipërisë do t’i duhen 10 vjet të rimarrë veten ekonomikisht dhe institucionalisht. Shoqërisë shqiptare do t’i duhet shumë kohë të dalë edhe nga dyzimi moral që i shkaktoi shpërdorimi i paimagjinueshëm dhe i pajustifikueshëm i besimit të madh që shumë shqiptarë patën tek Edi Rama në 2013. Kjo qeveri duhet të ikë. Balloni i saj që rrotullohet mbi kokat tona duhet të bëjë ulje të detyruar dhe nuk duhet të ngrihet më. Që të fillojmë të dalim nga gropa. Ky është dhe urimi im për 2016.