• |
ide | kryesore

Pse Majko sulmoi LSI-në?

Arkiva, Ide
bushat edit.jpg



Ish- kryeministri socialist Pandeli Majko ka thyer akullin dhe është treguar më i guximshmi ndër kolegët e tij duke shpallur publikisht se partia e tij e ka kundërshtare LSI-në në lidhje me reformën në drejtësi. Klithma e Majkos, se PS është vetëm në këtë proces dhe kërcënimi i tij (se për këtë duhet shkuar drejt zgjedhjeve të reja) është një akt për tu përshëndetur. Jo vetëm sepse ai prej kohësh e shpërfill gjuhën e drunjtë që po qesharakëzon shumë kolegë të partisë së tij, jo vetëm se ai vendos pikat mbi "I" duke theksuar se LSI dhe PD janë shumë më pranë njëra-tjetrës në këtë proces, por mbi të gjitha se ai nuk ka frikë të tregojë me zë të lartë, një gjë që tashmë e kanë kuptuar të gjithë.
Natyrisht përpos këtyre cilësive, qëndrimi i Majkos ka një problem. Ai niset nga premisa sikur në këtë proces socialistët janë në anën e kulluar të historisë. Sikur frika reale e kundërshtarëve të tyre, se Rama mund të kapë drejtësinë nuk qëndron. Sikur paranoja, gjithnjë e vërtetuar këtej pari, se "të huajt" janë të priur të flirtojnë me ata që janë në qeveri, nuk duhet marrë parasysh. Sikur droja se edhe një reformë perfekte, mund të shndërrohet në nul nga një pushtet i koruptuar, nuk duhet përfillur.
Mes dy linjave që janë shfaqur sot, asaj që koalicioni i fshehtë PD-LSI nuk e do reformën pasi ajo mund të çojë pas hekurave krerët e tyre dhe asaj të dytës, që pretendon se ky koalicion i trembet një revanshi të Ramës për qëllime politike, Pandeli Majko nuk ka asnjë dilemë. Ai duket se beson se armiqtë e reformas duan më shumë fatin e tyre politik se Shqipërinë dhe prandaj për të zgjidhur nyjen gordiane me këta "armiq të vendit", ai i propozon zgjedhje të parakohëshme, kongresit të afërm të socialistëve.
Natyrisht këtu nuk është vendi, ti hyjmë debatit nëse është i drejtë qëndrimi i dy herë kryeministrit të krizave, se PS është në kahun moral të kauzës për drejtësinë apo jo. Personalisht unë mendoj, se ka diçka të vërtetë në të dy versionet. Pra edhe në faktin se Berisha dhe Meta nuk duan ta lënë sistemin në duart e amerikanëve duke u frikësuar për fatin e tyre personal, por edhe në faktin se Rama po mundohet ta manipulojë atë për interesat e tij politike. 
Por, në këtë rast kjo ka pak rëndësi. 
Edhe sikur Majko të ketë tërësisht të drejtë, edhe sikur partia e tij të mendojë kokë e këmbë vetëm në interes të Shqipërisë edhe sikur ky debat të jetë thjeshtë bardhë e zi, një ndarje mes socialistëve të mirë dhe koalicionit të djeshëm qeverisës që përfaqëson të keqen, ai sërish ka një problem.
Sepse formula që jep Majko, ajo e zgjedhjeve të parakohëshme, nuk është një zgjidhje.
Sepse pyetja që shtrohet pas saj është: çfarë do të zgjidhin këto zgjedhje? 
Duke qenë se sipas Majkos, PS do të shkojë drej tyre pasi mbeti vetëm për reformën, a do të jetë e detyruar të hyjë vetëm edhe në garën elektorale? A është e gatshme të ndahet nga LSI? Të prishë me të jo vetëm kontratën e qeverisjes, por edhe atë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm? A është në fund të fundit, i aftë Edi Rama, të rrezikojë pushtet për të bërë shtet? 
Pandi Majko e di mirë se e gjitha kjo është një ëndër utopike.
Si njeriu i parë i rëndësishëm në PS, që denoncoi koalicionin e turpshëm të një prillit, si politikani që ka deklaruar vetë se nga qeveria e dogjën qëndrimet që ka mbajtur ndaj Ilir Metës, ai e di që Rama dhe partia e shndërruar në garnizon, nuk ka guximin të ndahet nga vëllai i koruptuar armik. Jo vetëm sepse janë edhe vetë po aq e koruptuar, por se mbi të gjitha: më shumë duan pushtetin sesa Shqipërinë (për të përdorur shprehjen kaq në modë këto ditë).
Sepse Rama do më shumë Ilir Metën sesa reformën në drejtësi.
Pikërisht për këtë, propozimi i Majkos për zgjedhje, nuk është një zgjidhje. 
Ai ka vlerë se e vë mbartësin e tij, në rangun e një politikani që thotë të vërtetën, se i jep atij rastin të distancohet nga metastazat e lsi-zimit që kanë kapluar tërë koalicionin, por ai nuk i ofton rrugedalje, as reformes dhe as një qeverisjeje që do të vazhdojë të zvarritet pas Ilir Metës. /Lapsi.al/