• |
ide | kryesore

Përse do ta përdorë Rama Reformën?

Arkiva, Ide
bejtjaa.jpeg



Në një moment kur Reforma në Drejtësi u shtri ashtu siç duhet në shtratin e Venecias dhe kanë mbetur vetëm disa operacione të vogla, për të patur një trup të shëndetshëm për më tepër me garancinë e institucioneve profesionale europiane, nga kampi i Ramës vijnë zëra si ai ish kryeministrit Pandeli Majko, një figurë qendrore në Partinë Socialiste, por nuk është vetëm ky zë nga ajo anë, për zgjedhje të parakohshme në rast se nuk miratohet reforma në drejtësi.

Apeli i ish-kryeministrit, që zakonisht shquhet për kthjelltësi ndër vite, këtë herë ishte disi i paqartë. E para nuk u mor vesh mirë çfarë kërkon kur Venecia me një seriozitet dhe shpejtësi për t’u admiruar vuri pothuajse të gjitha piketat.

E dyta sërish nuk u mor vesh mirë dhe kujt ja kërkon, pasi pavarësisht nga zigzaget e Partisë Demokratike kjo forcë politike nuk ka dalë kundra kësaj reforme të kornizuar nga Venecia dhe institucionet e profesionalizuara Europiane, ndërkohë që aleati i Partisë Socialiste në qeverisje LSI- ka shkuar dhe më tej jo vetëm duke u shprehur se dhe ato pak mosmarrëveshje që kanë mbetur për t’u zgjidhur mund të zgjidhen po në mënyrë europiane dhe profesionale nga dy institucione adekuate si OBDAT dhe EURALIUS, por ka kërkuar dhe shpejtësi më të madhe në këtë reformë që tashmë e ka dhe pikturën dhe kornizën dhe do veç një përpjekje të vogël për tu varur në mur.

Dhe pyetja mbetet gozhdë, pse pikërisht në këtë moment, kur pikërisht tabloja me gjithë pikturë dhe kornizë po bëhej gati për t’u vënë në mur vinë këto kërkesa, që në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse e shtynë këtë reformë në kalendat greke? Kam dëgjuar shumë teori konspirative këto ditë në lidhje me këtë apel të pamotivuar qartësisht në logjikë të ish-kryeministrit Majko, sikur kjo është një lojë Blushi-Majko për të futur në kurth Edi Ramën që të futet në zgjedhje pikërisht në këtë moment kur kuotat e e tij janë në rënie, etj., etj., por unë jam i prirur si gjithmonë të lexoj politikisht dhe të analizoj po politikisht vetëm ato që thuhen dhe deklarohen publikisht.

E në këtë kuadër e gjitha kjo në mos qoftë “pordhë me rigon” është thjesht një tentativë e vonuar, e papërdorshme më, po gjithsesi e iniciuar si e tillë për të përdorur kauzën e reformës në drejtësi si një kauzë morale për të mbuluar dështimet në qeverisje: Pasi kështu e bërë me konsensus dhe me vulën dhe garancinë e institucioneve europiane, jo vetëm ky është variant më i mirë i reformës në drejtësi që mund t’u serviret shqiptarëve po është dhe variant më i mirë që asnjë nga forcat politike në skenën politike shqiptare të mos marrë kredo dhe kredit politik për vota nga kjo histori.

Parë në këtë kontekst kryeministri Rama, në një qeverisje që po rrëshqet poshtë pothuaj në të gjitha parametrat, në krahasim gjithmonë me vendet e rajonit, (mjafton të bësh këtu një krahasim të thithjes së investimeve të huaja Shqipëri-Maqedoni dhe Shqipëri 2015-2016 me Shqipëri 2013-2014) dhe dhjetëra premtimeve të pambajtura që shumicën e tyre po i shtyn për t’i matur në fund të katër-vjeçarit të mandatit, sheh si të vetmin shteg për rikuperim të ashtëqujturat kauza morale.

Dhe e ashtëqujtura reformë në drejtësi ndoshta për Ramën është një fushë ku morali mund të mbillet akoma, por mendoj se pas vulës së Venecias, fara e moralit nuk mund të mbillet akoma në këtë fushë. E vetmja mundësi që Rama ta ketë seriozisht tezën e zgjedhjeve të parakohshme për shkak të Reformës në Drejtësi është që siç thonë disa zëra afër tij e beson dhe vetë se është reformator i madh e ka qeverisur Shqipërinë shumë më mirë se sa mendojnë disa nga ne dhe si dëshmojnë disa nga treguesit dhe parametrat ekonomikë. Në qoftëse kjo hipotezë është reale, në fakt të gjitha analizat politike bien poshtë dhe me këtë punë është mirë të merren psikologët.

Për momentin, për shqiptarët do ishte mirë të shihnin në mur tablonë e Reformës në Drejtësi aq më tepër kur dhe piktura dhe korniza janë certifikuar nga Institucionet e profesionilazuara europiane. Këtu do duken dhe kush janë reformatorët e vërtetë ata që duan ta varin në mur, apo ata që duan ta hedhin sërish në tokë e ta shkelin me këmbë, me shpresën se do të mbledhin vota morali nga një kauzë që tashmë ka pushuar së qeni kauzë është thjesht një rutinë edhe pse historike./ Syri.net