• |
ide | kryesore

Nevoja e Vuçiç për Sheshelin dhe qeverinë kolaboracioniste të Kosovës

Arkiva, Blog
Boiken-Abazi-320x175.jpg



Më 12 prill, Partia Radikale Serbe, e drejtuar nga Vojislav Sheshel, organizoi një tubim elektoral në veriun e Mitrovicës pa pjesëmarrjen fizike të Sheshelit, i cili iu drejtua turmës përmes një lidhjeje telefonike, duke thënë: “Nuk do ta ndalim kurrë luftën për çlirimin e Kosovës dhe Metohisë”. Tubimi u mbyll me një marsh të pjesëmarrësve që brohorisnin “Kosova është Serbi”. Shesheli nuk mori dot pjesë fizikisht në tubim, pasi qeveria e Kosovës kishte nxjerrë një vendim për ta shpallur atë person të padëshirueshëm në Kosovë dhe këtë e bëri në sinkron me qeverinë e Serbisë, që gjithashtu ka marrë vendim për t’ia kufizuar Sheshelit lëvizjen në vende si Kosova. Ky vendim i njëkohshëm i dy qeverive, në pamje të parë, mund të duket i pakuptueshëm, pa u nxjerrë në sipërfaqe nevoja e dyanshme që fshihet për ekzistencën e të “padëshirueshmit” Sheshel në Beogradin dhe Prishtinën zyrtare.

Ngjarja u paraqit si një fitore nga ana e qeverisë së Kosovës, e cila thuajse u mburr me faktin që arriti ta ndalojë – njëherë përnjëherë – hyrjen e Sheshelit në Kosovë. Ndërkohë, një ditë më herët, më 11 prill, ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiç, vizitoi Kosovën duke folur me krenari për fitoren e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Dhe vetëm pak ditë më herët, më 3 prill, Kryeministri i Serbisë, Vuçiç, vizitoi Kosovën duke mbajtur edhe tubime, ku deklaroi për të disatën herë radhazi atë që është e shkruar edhe në Kushtetutën e Serbisë, se Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Në të dyja vizitat, atë të Daçiçit dhe Vuçiçit, nuk munguan deklaratat dhe brohoritjet “Kosova është Serbi” nga pjesëmarrësit. Atëherë, ku qëndron problemi i dy qeverive me Sheshelin?

Marrëdhënia Vuçiç-Sheshel kuptohet më së miri duke iu kthyer viteve ‘90 për të bërë një analogji me marrëdhënien Millosheviç-Sheshel, atëherë kur Vuçiçi ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, të drejtuar nga Shesheli. Kjo parti, siç tregohet edhe nga raportimet në mediat serbe, është themeluar në vitin 1991 me ndihmën e Jovica Stanishiçit, ish-shefi i Sigurimit Shtetëror. Marrëdhënia Sheshel-Millosheviç karakterizohej nga një bashkëpunim i afërt që mbulohej me goditje të ndërsjella në publik. Millosheviçit i duhej Shesheli, sidomos në marrëdhëniet me jashtë, për t’u paraqitur si udhëheqës më i moderuar. Ndërkohë që Shesheli lëshonte deklarata shoviniste bombastike – si p.sh. “t’ua nxjerrim sytë kroatëve me lugë të ndryshkura”, “boshnjakët nuk ekzistojnë” apo “t’i dëbojmë shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nëmura” – Millosheviçi arrinte njëra pas tjetrës marrëveshje ndërkombëtare që frenonin ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit kundër masakrave të Millosheviçit në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Për këto marrëveshje me ndërkombëtarët, Shesheli e kritikonte Millosheviçin si të paaftë për t’i mbrojtur deri në fund interesat e Serbisë së Madhe, ndërsa Millosheviçi u tregonte ndërkombëtarëve Sheshelin si një kërcënim të vazhdueshëm që mund t’i çonte punët edhe më keq.

Taktika e Millosheviçit për të ruajtur imazhin e vet përmes paraqitjes së Sheshelit si person të “padëshirueshëm”, shkonte aq larg sa në disa raste gjatë viteve ‘90, ai edhe e ka arrestuar dhe liruar menjëherë Sheshelin. Një shembull i kësaj taktike është arrestimi dhe dënimi me dy muaj burg për Sheshelin dhe Tomislav Nikoliçin – atëherë zëvendësi i Sheshelit dhe aktualisht President i Serbisë – në vitin 1995 për organizimin e një tubimi politik pa leje në Komunën e Gjilanit në Kosovë. Por, bashkëpunimi i ngushtë Millosheviç-Sheshel doli hapur dhe arriti kulmin e vet në fund të viteve ’90 përmes koalicionit qeverisës mes partisë së Millosheviçit dhe asaj të Sheshelit gjatë luftës në Kosovë. Në këtë koalicion qeverisës Vuçiç u emërua ministër i Informacionit dhe duhet të ketë nxjerrë mësime të vyera mbi marrëdhënien Millosheviç-Sheshel, që po i risjell në jetë sot që Shesheli është shpallur edhe si i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Vuçiç e ka eliminuar rrezikun nga konkurrentët e tij politikë në Serbi, siç e kishte eliminuar edhe Millosheviçi gjatë viteve ‘90. Partia Progresive Serbe, e drejtuar nga Vuçiçi, ka sot mbi gjysmën e ulëseve në Parlamentin e Serbisë, dhe ndërkohë që Vuçiçi ka shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme që do të mbahen në datën 24 prill, sondazhet tregojnë se përkrahja për të është e qëndrueshme dhe në rritje. Vuçiçi nuk ka nevojë të ketë një opozitë më të fuqishme liberale apo të majtë në Parlament, pasi kjo do ta bënte atë të dukej edhe më shumë si shovinist ultranacionalist. Vuçiçi ka një nevojë të madhe ta ketë Sheshelin në Parlament, dordolecin e ultranacionalizmit serb që tremb të tjerët dhe e bën Vuçiçin të duket racional dhe i moderuar, edhe pse mes të dyve nuk ekziston asnjë dallim thelbësor. Këtë nevojë Vuçiçi do ta përmbushë pikërisht në datën 24 prill, meqë sondazhet e nxjerrin Partinë Radikale Serbe me 6%, vetëm 1 për qind më shumë se pragu i nevojshëm për të hyrë në Parlamentin e Serbisë. E ndërkohë që Vuçiçi ka nevojë për Sheshelin dhe e ndihmon atë të hyjë në Parlament, ai e shpall atë, për momentin, të padëshirueshëm në Kosovë, duke rinisur me këtë rast taktikën e vjetër të Millosheviçit.

Me ndihmën që Vuçiç po i bën Sheshelit për të hyrë në Parlament dhe me kufizimin që i ka vënë për lëvizje të lirë në Kosovë, Vuçiçi përmbush edhe një nevojë urgjente të qeverisë aktuale të Kosovës. Qeveria Mustafa-Thaçi-Veseli është diskredituar krejtësisht në Kosovë, jo vetëm për shkak të korrupsionit, por sidomos për nënshtrimin e saj ndaj planeve ekspansioniste të Vuçiçit në raport me Kosovën. Marrëveshjet e arritura deri më sot me Serbinë kanë qenë të gjitha në favor të Serbisë dhe vetëm për çështje të brendshme të Kosovës. Ato kanë kulmuar me marrëveshjen për “Zajednicën”, që është një hap i sigurt drejt copëtimit të territorit mbi baza etnike dhe shkatërrimit të sovranitetit të Kosovës, duke e shndërruar në një shtet disfunksional si Bosnjë-Hercegovina. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, marrëveshja për “Zajednicën” bie ndesh me 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pavarësisht këtyre shkeljeve të faktuara, qeveria e Kosovës insiston ta mbajë pushtetin dhe ta çojë përpara planin për instalimin e “Zajednicës”. Për ta mbuluar sado pak këtë krim me përmasa historike, qeveria e Kosovës ka nevojë për ekzistencën e Sheshelit, për të projektuar në publik së paku imazhin e një qeverie që kundërshton shovinizmin serb, duke kundërshtuar vetëm dordolecin e këtij shovinizmi.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë të caktuara për në datën 24 prill po përgatitet të mbahen në Kosovë përmes ndërmjetësimit të OSBE-së, e cila vepron në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Fushata elektorale serbe po zhvillohet në Kosovë nga të gjitha partitë serbe, shumica e të cilave (që gëzojnë mbi 90% të përkrahjes së elektoratit) nuk dallojnë aspak për nga qëndrimi mbi mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Të gjitha këto parti, përfshirë ajo e Sheshelit, do të jenë të listuara në fletëvotimin për zgjedhjet parlamentare serbe që do të përdoret në datën 24 prill edhe në Kosovë. Për këtë gjë, qeveria kolaboracioniste e Kosovës refuzon të japë sqarime në publik, ndërkohë që valëvit nëpër media urdhrin për shpalljen e Sheshelit si person të padëshirueshëm.

Shesheli është i dashuri “armik” i Vuçiçit, dhe njëkohësisht i vetmi përfaqësues i politikave zyrtare ekspansioniste të Serbisë që Vuçiçi i lejon qeverisë kolaboracioniste të Kosovës ta shpallë si të padëshirueshëm. Sakaq, Vuçiçi mbetet dirigjenti kryesor dhe i pakontestuar i sistemit autoritar dhe shovinist të rithemeluar në Serbi nga trashëgimtarët politikë të Millosheviçit. Vuçiçi ka nevojë për Sheshelin e “padëshirueshëm” në Parlament, dhe ka nevojë për mbajtjen në pushtet të qeverisë kolaboracioniste të Kosovës, që ka nevojë për ekzistencën e të “padëshirueshmit” Sheshel për të ruajtur pushtetin. Kjo lidhje nevojash perverse mund të thyhet në Kosovë vetëm përmes largimit të qeverisë.