• |
ide | kryesore

Si shpëtoi Shqipëria në vitin 2004 nga importi i plehrave

I pakategorizuar
Plehrat Nano 1.jpg



Çështja e importit të plehrave nga jashtë Shqipërisë që ka marrë vëmendjen e opinionit publik në vend ditët e fundit nuk është e panjohur për publikun. Në maj të vitit 2004 gazeta “Shekulli” e Koço Kokëdhimës bëri për herë të parë publike negociatat e fshehta mes kryeministrit të atëhershëm Fatos Nano dhe kompanisë italiane “Albaniabeg Ambient”.

Negociatat po shkonin drejt arritjes së një marrëveshje konçensionare, për 28 vjet, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë italiane për ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve të ngurta urbane të qarqeve Tiranë e Durrës. Impianti do të vendosej në Kashar. Por ndërkohë firma italiane kishte si kusht kryesor, që 39% të kapacitetit të saj ta shfrytëzonte për përpunimin e plehrave të importuara nga Italia.

Kjo marrëveshje shkelte ligjin “Për administrin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, që parashikonte në mënyrë të qartë se ndalohej importi i mbeturinave. Me t’u publikuar kjo çështje nisën kundërshtimet e forta të opozitës, shoqërisë civile madje edhe brenda radhëve të kabinetit qeveritar. Pati përplasje mes tre ministrive, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.

Relacioni paraprak që tre ministritë hartuan për t’ia përcjellë mbledhjes së qeverisë ku do të shqyrtohej projektvendimi ishte firmosur vetëm nga ministri Bashkim Fino ndërsa dy ministrat e tjerë Ben Blushi dhe Ethem Ruka nuk e kanë firmosur duke shfaqur rezerva për përmbajtjen e marrëveshjes koncesionare të sipërpërmendur.

Opozita e drejtuar nga Sali Berisha denoncoi marrëveshjen dhe deklaroi se do t’i drejtohej me kallëzim prokurorisë. Ndërkohë në media vazhduan të bëheshin publike detaje të tjera nga plani i Nanos dhe kompanisë italiane. Shpëtim Arbana, këshilltari ekonomik i Nanos ishte gjithashtu edhe përfaqësuesi me prokurë i firmës italine “Albaniabeg Ambient”.

Mobilizim kundër konçensionit famëkeq pati edhe nga shoqëria civile, e cila organizoi një protestë masive ku iu bë thirrje qeverisë të hiqte dorë nga plani për import plehrash në Shqipëri. Por pavarësisht kundërshtive Nano dukej i vendosur. Ai do të deklaronte asokohe se “impianti që do ndërtonte firma italiane ishte një investim mjaft me vlerë” dhe se do të ngrihej pavarëisht kundërshtimeve të qytetarëve dhe opozitës. 

Në protestën masive të 10 qershorit 2004, u hodhën domate e vezë në portretet gjigande të Fatos Nanos dhe Bashkim Finos, dy prej mbrojtësve më të zjarrtë të marrëveshjen konçensionare për 28 vjet mes Shqipërisë dhe firmës italiane. Protesta pati edhe në Perëndim nga studentët shqiptarë, ndërsa reagoi OSBE duke thënë se importi i plehrave është kundër Konventës së Baselit .

Asokohe kompania “Albaniabag Ambient” dorëzoi edhe një kallëzim në Gjykatën e Faktit ndaj botuesit të “Shekullit”, Koço Kokëdhima, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 5 milionë euro për fyerje. Kompania deklaroi se do ta përdorte këtë dëmshpërblim për bamirësi në Shqipëri.  Në mbështetje të marrëveshjes ishte edhe ambasadori italian asokohe në Shqipëri, Attilio Jannuci, i cili pati jo pak replika me botuesin e “Shekullit”.

Por pavarësisht kësaj Koço Kokëdhima ishte i vendosur që me gazetën e tij të kundërshtonte dhe denonconte importin e plehrave nga jashtë vendit. Të njëjtin qëndrim Kokëdhima e ka mbajtur edhe ditët e fundit, kur mazhoranca Rama-Meta kaluan në Kuvend ligjin e ri.

Pas rreth 3 muajsh kundërshtimesh masive që përfshinë mediat, opozitën dhe shoqërinë civile, marrëveshja mes qeverisë “Nano” dhe italianëve nuk kaloi. Më pas në vitin 2005 në pushtet erdhi Sali Berisha dhe për disa vite nuk u fol më për import të plehrave nga jashtë vendit. Qeveria PD-LSI miratoi një ligj që lejonte importin në vitin 2013, ligj të cilin Rama e shfuqizoi sapo erdhi në pushtet.

Ndalimi i importit të plehrave ishte një prej tre vendimeve të para të Ramës në pushtet. Por sot pas tre vitesh, kryeministri ka ndryshuar katërciprisht mendim. Ai vuri në rresht deputetët e tij, bashkë me disa deputetë të LSI-së, për të kaluar në Kuvend ligjin që i hap rrugë importit të plehrave nga jashtë vendit.

Njësoj si në vitin 2004 kur interesat e eko-mafias kishin kapur kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nano, ashtu edhe sot pas 12 vitesh, të njëjtat interesa mafioze blenë  te Rilindja, siç tha deputeti Ben Blushi, ligjin që lejon futjen në Shqipëri të mbetjeve urbane nga jashtë vendit.

/Përgatiti Lapsi.al/