• |
ide | kryesore

Slavoj Zhizhek: Auroportret i një burri të vështirë

Arkiva, Planet
image-823820-breitwandaufmacher-vtnk-823820.jpg



 

Filozofi 67-vjeçar, Slavoj Zhizhek, shkruan mbi tundimet e të qenit baba, e të qenit gjithnjë e më shumë agresiv dhe tregon se si shkrimi ia shpëtoi jetën

Në thelb, të gjithë jemi të këqinj, egoistë e të pështirë. Merre torturën si shembull. Po bëhem realist. Nëse do të kisha një vajzë dhe ajo do të kidnapohej – dhe po që se do të hasja në një shok të kidnapuesit – nuk mund të them se nuk do ta torturoja atë person.

Jam bërë më agresiv me kalimin e kohës. Disa thonë se jam më i djathtë, që është absolutisht e pavërtetë. Rreth krizës së refugjatëve, duhet të heqim dorë nga patronizimet si “ata janë njerëz të dashur.” Jo. Ka vrasës mes tyre sikurse ka mes nesh. E majta liberale të ndalon së shkruari çdo gjë të keqe për refugjatët, që rezulton me monopolin e së djathtës në qëndrimin anti-emigrant.

Nuk jam baba i mirë. Ka diçka qesharake në të mbrojturit e dinjitetin tim, të cilës gjë i rezistoj menjëherë. I biri im tinejxher identifikohet me minimin e autoritetit tim. Kur ishte 14 vjeç, isha nervozuar me të dhe pata përdorur një shprehje vulgare nga sllovenishtja: “Ta qiftë qeni nanën.” Ai u përgjigj: “Ka ndodhur tashmë 15 vjet më parë. Kështu linda unë.”

Shoku im më quan më Fidel. Jo për shkak të politikës, por për shkak se flas shumë. E pata vizituar Kubën njëherë dhe sa rrija atje në televizion shfaqet Fidel Castro duke hyrë në një takim teksa thoshte: “Kamaradë, vetëm pesë minuta t’i shqyrtojmë disa gjëra.” Rashë në gjumë, u zgjova pesë orë më vonë dhe ai fliste ende.

E urrej arrogancën e korrektësisë politike. Me shokë të zinj, ndryshe nga korrektësia politike e të bardhëve, unë ndërtoj raporte të vërteta. Si? Me tregime të ndyra dhe me shaka të ndyra. Kur viziton një shtet të huaj, luan lojëra kompjuterike, flet për ushqimin që ta kënda dhe muzikën që dëgjon, por si bëheni shokë me të vërtetë? Shkëmbeni pak turpësi.

E kam të pamundur të kem “one-night stands”. Në qytetin tim, në Lublanë, mund t’u tregojë me saktësi me cilat gra kam fjetur, sepse i kam martuar të gjitha.

Do të ishte horrorr të thuash “E dua ISIS-in”. Por shikoni organizimin e tij me identitetin fluid postmodern. Ekziston një tendencë ‘ilegale’ emancipimi në Islam; një historian i mrekullueshëm musliman i filozofisë kishte nxjerr një teori, ku thoshte se akuinët e kishin keqlexuar Aristotelin nën ndikimin e poetëve islamikë si Avicena, që i hapi rrugë modernitetit, të drejtave të homoseksualëve dhe kështu me radhë.

Prindërit e mi nuk ishin strikt, patronizues po. Nuk i pëlqeja. Të dy vdiqën në spital gjatë asaj nate dhe kur kuptova përmes telefonit mëngjesin e nesërm gjendesha duke punuar para kompjuterit tim të punës. Thashë: “Çdo gjë në rregull? Ok, faleminderit,” dhe vazhdova. U ndjeva tërësisht i ftohtë – diçka nuk shkonte. Nuk po mburrem për atë punë.

Hollywoodi i di të gjitha. Është i obsesionuar me distopinë, si në “Elysium” apo “The Hunger Games”. Me të vërtetë mendoj se këto janë ndër mundësitë e mëdha që do të sjell e ardhmja. Të rinjtë e ditëve të sotme duhet të përgatiten për një katastrofë të madhe, të mendojnë mirë për luftërat e përditshme lokale dhe të mos rrëshqasin në moralizime.

Të shkruarit më shpëtoi jetën. Vite më parë, për shkak të disa tundimeve me dashurinë, isha në një situatë vetëvrasëse për disa javë radhazi. I thashë vetes: “Munden ta vrasë veten, por më duhet ta përfundoj një tekst. Do ta përfundoj së pari, pastaj do të vetëvritem.” Më pastaj ishte edhe një tekst tjetër  – and so on and so on – dhe ja ku jam, ende këtu. /Periskopi/Sh.Gudaqi/

Përkthyer nga “The Guardian”