• |
ide | kryesore

Fitorja e Donald Trump mban pezull interesat në tregjet ndërkombëtare

Arkiva, Planet
Donald-Trump-fushata-300x174.jpg



Nëse Donald Trump nuk do të kishte fituar zgjedhjet në SHBA, me shumë gjasë Rezerva Federale do të rriste normën e interesit për dollarin (libori) në dhjetor, sipas sinjalizimeve që ishin dhënë më parë. Por fitorja e Donald Trump në garën presidenciale të SHBA-së hedh në pikëpyetje supozimin nëse Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit shpejt.

Tregjet financiare u ligështuan pas fitores së Trump, ku rezervat në dollar nisën të zhvendoseshin drejt arit, duke reflektuar frikën e një pasigurie globale mbi politikat republikane.

Por investitorët kanë qenë të prirë të favorizojnë Trump kundrejt rivales, Hillary Clinton, e cila konsiderohej një kandidat i sigurt në skenën botërore.

Trump ka premtuar se do të rishikojë marrëveshjet e tregtisë ndërkombëtare, që nëse ndodh, është një kërcënim për rimëkëmbjen ekonomike globale. Planet e tij ekonomike bëjnë thirrje për shkurtime masive të taksave që shumë ekonomistë vlerësojnë se do të rritet ndjeshëm deficiti buxhetor në SHBA.

“Kjo ngre shanset që FED nuk do të rishikojë normën e interesit në dhjetor”, tha Mark Zandi, kryeekonomist i analistëve të Moody’s.

Fitorja e tij gjithashtu hedh dyshime mbi të ardhmen e Janet Yellen, kryetare e FED. Trump, më herët e kishte akuzuar Yellen se ka mbajtur norma të ulëta interesi për të ndihmuar presidentin demokrat, Barack Obama, dhe ka treguar se ai mund ta zëvendësojë Yellen, teksa mandati i saj përfundon në janar të vitit 2018.

Trump ka premtuar shkurtime në normat e taksave për individët dhe bizneset, por ekonomistët llogarisin se kjo mund të shtojë 5.3 trilionë dollarë borxhin federal në 10 vite.

Trump ka thënë se politikat e tij do të ndikojnë në rritjen e investimeve dhe në hapjen e 25 milionë vendeve të reja pune.

Por, nga ana tjetër, FED nuk do të përkulet ndaj kritikave dhe do të përcaktojë politikën e bazuar në mandatin e saj për të nxitur punësimin dhe qëndrueshmërinë e çmimeve.

BQE vijon me interes zero

Sipas analistëve, norma e interesit në Eurozonë pritet të jetë 0.00% deri në fund të këtij viti, por, pas vendimit të fundit të ECB, që mbajti të pandryshuar normën e interesit, ata pohojnë se Eurobori do të jetë 0.0% edhe për 12 muajt në vijim, teksa pritet që rritja në nivelin 0.5% do të ndodhë vetëm në 2020, shkruan britanikja ‘The Guardian’.

Banka Qendrore Europiane i la normat e interesit në Eurozonë të pandryshuara, por mbajti derën hapur për refuzim gjatë muajve të ardhshëm të kërkesave të politikanëve për të bërë më shumë për rimëkëmbjen ekonomike të bllokut.

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, ka shpjeguar se normat e interesit të Eurozonës janë tashmë në një rekord të ulët, pasi ECB në mbledhjen e saj të marsit nis zbatimin e një pakete masash lehtësuese. Ajo ka ulur kostot e huamarrjes dhe ka çuar në territor negativ interesat e depozitave në banka. /Monitor