• |
ide | kryesore

Nga data 1 mars pensionet rriten me 3 %

I pakategorizuar
750x405670330-nn_1487832759-4063376.jpg



Duke filluar nga data 1 mars, rreth 600 mijë vetë do të përfitojnë rritje të pensionit në masën 3 për qind.

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme shtesën për të gjitha kategoritë e pensionistëve në fshat e qytet, të cilat i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Sipas VKM-së, rritjen e përfitojnë jo vetëm pensionet e plota të pleqërisë, por edhe ato të pjesshme, pensionet e reduktuara, të parakohshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, pensionet për vjetërsi shërbimi, pensionet sociale, si në qytet ashtu edhe në fshat. Në të njëjtën masë do të rriten edhe pensionet suplementare për ushtarakët, Policinë e Shtetit, punonjësve të Gardës, Shërbimit Informativ të Shtetit etj. Gjithashtu, vendimi i qeverisë përcakton se rritje do të përfitojnë edhe pensionet të cilat caktohen nga data 1.3.2017 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 28.2.2017, përfshirë edhe këtë datë. 

Një tjetër pikë e rëndësishme e vendimit të djeshëm të qeverisë është edhe vendosja e tavaneve minimale dhe maksimale, për pensionet e përllogaritura deri në datën 31 dhjetor 2014. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast, është fakti se vendosja e pensionit maksimal bëhet deri në këtë datë, pasi sipas skemës së re të pensioneve, që ka hyrë në fuqi në 1 janar 2015, është hequr koncepti i ‘maksimalit’, duke lejuar daljen e pensioneve më të larta. Sipas VKM-së, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit, pensionet e plota familjare (përveç të vetëpunësuarve në bujqësi) si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.3.2016, nuk do të jenë më pak se 13 014 lekë në muaj dhe më shumë se 26 028 lekë në muaj. Ndërkohë që, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, për të vetëpunësuarit në bujqësi, me datë fillimi deri më 31.12.2014, nuk do të jenë më pak se 8 912 lekë në muaj, por jo më shumë se 13 014 lekë në muaj. Gjithashtu, pensionet e parakohshme me datë fillimi nga 1.3.2017 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13 014 lekë në muaj. 

Ndërkaq, përfituesit e pensioneve, me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve të jetë: deri në 14 664 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, deri në 14 164, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare dhe deri në 9 602 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare për të vetëpunësuarit në bujqësi. Kompensimet për të ardhura mujore minimale do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme me datë fillimi nga 1.3.2017 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 14 664 lekë në muaj. 

Sipas vendimit të qeverisë, pas datës 1.3.2017, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 164 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat maksimale arrijnë 26 528 lekë në muaj. Po ashtu, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë më të vogla se 9 802 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 164 lekë në muaj