• |
ide | kryesore

Përplasja Demaliaj-Dervishi/ “Je bir i një oficeri të Sigurimit dhe ish-anëtar i PPSH”

Arkiva, Dossier
15170837_1143987328982434_1337999120138064176_n.jpg



Publikimi në media nga ish-drejtori i arkivit të ministrisë së brendshme Kastriot Dervishi të një dosjeje mbi motrën e Ismail Kadaresë ka ngjallur reagime të shumta. I fundit ishte një reagim i Ilir Demaliajt që akuzonte Dervishin se ka shpërndarë materiale seleksionuese dhe i ka dhënë aty ku i duheshin atyre që i shërbente për shpërblimin e postit të drejtorit të emëruar partiak”. Nga ana e tij Dervishi thotë se Demaliaj i njohur gjatë kohës së hapjes së ambasadave është bir i një oficeri të ish-Sigurimit të Shtetit dhe anetari të PPSH-së.
REAGIMI I DEMALIAJT
Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk i’a çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë.
Në përgjigje të shkrimit tim në gazetën tuaj , ish drejtori Arshivës se Ministrisë së Brëndëshme, Kastriot Dervishi, ndërmjet të tjerave shkruan, “Demalia është vetëm një shpërndarës dokumentash. Unë (Dervishi) i dal zot vetë çdo materiali dhe askush në botë nuk mund të më përdorë si shpërndarës. Kesisoj Demaliaj le t’i linte “furnitorët” t’i dilnin për zot letrës të debatonin si të donin e sa të donin. Demalia nuk është as studiues e as historian”.
Po mundohem ti përgjigjem sa më shkurt Dervishit, pasi nuk është qëllimi i kësaj përgjigje replikimi me Dervishin, që as e njoh e as i kamë lexuar ndonjë gjë si studiues dhe historian. Si drejtor i Arkivës së MPB më rezulton se ka shpërndarë materiale seleksionuese dhe i ka dhë dhënë aty ku i duheshin atyre që i shërbente për shpërblimin e postit të drejtorit të emëruar partiak, apo dhe gazetës ku ka qenë redaktor, ku dhe mund të ketë pasur pagë suplement në ndihmë të gazetës 55 me materialet Arshvisës MPB si drejtor.
Nuk jamë i qartë se si e përmban ligji arkivave këtë shfrytëzim që na i bën nëpunësi saj duke na bërë historinë me materialet arkivore që disponon si nënpunës dhe, çfarë quhen sekret dhe çfarë janë të deklasifiikuara. Sa i lejohet një drejtori t’i shfrytëzojë ato si studime dhe sa nuk i lejohet një studiuesi jashtë arkivave që ka interes të kërkoj për një kohe apo një çështje në arkiva.
Unë di këtë, që shteti dhe administrata shtetërore, ka funksionuar dhe është administruar si prone private gjatë këtij tranzicioni në shërbim të grupeve të caktuara nga ata që emëroheshin nga partia në shërbim të grupit. Nuk mendoj se Dervishi bën përjashtim në këtë katraurë-shpërdoruese, abuzuese-korruptive të sistemit që është ngritur dhe kanë ngritur Dervishin.
Pra shkurt e qartë, unë ndryshe nga Dervishi nuk jam as shpërndarës dhe as kamë blerë dhe as kamë shitur dokumenta apo kam përfituar nga publikimi i tyre.
Nuk kamë pretenduar që jam historian apo studiues.
Unë jam një njeri i lire.
Botoj një letër, pa e interpretuar, pa e fallsifikuar. Një letër që, sipas vetë shkrimtarit IK, ishte letra më rëndësishme e jetës tij. Sipas Dervishit, dokumenti më i parëndësishëm të cilin e kishte parë përpara 15 vjetësh.
Pas kësaj organizohet një ushtri e tërë duke u munduar të më intimitojë dhe më quajtur si njeri që po sulmoj shkrimtarin I.K.
Letra është publikuar siç është shkruar, pa interpretim. A mund të quhet ky sulm kundër shkrimtarit dhe më tej perëndimit dhe interesave kombëtare apo sulme kundër kulturës shqiptare?!!
Nuk do te merrem në këtë shkrim as me anën teknike, kur një letër është e deklasifikuar apo jo. Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka letra që është mbajtur e fshehur nga shkrimtari I.K, si letra më e rëndësishme e jetës tij prej 37 vjetësh dhe, e parëndësishme për Dervishin që e dinte prej 15 vjetësh dhe e kishte pare disa here, por mendonte se nuk ishte me rëndësi për ta publikuar?!!
Pyetja që lind, përse gjithë ky tërbim i madh për një letër, më të rëndësishmen e jetës për shkrimtarin I.K, sipas vetë pohimit të tij kur del letra që nuk e kishte përmendur kurrrë? Përse e parëndësishme për ish drejorin e Arshivës M.P.B Dervishi që e kishte pare disa herë gjatë 15 vjetëve në një kohë që botohen librat e Sinanit, Kaloçit, që bëjnë fjalë për “Kadarenë e denoncuar” dhe raportet e tij me regjimin?
Nuk pres përgjigje dhe nuk i përgjigjem me as Dervishit as kujt tjetër, të cilët, duan të çvendosin çëshjen në fraza boshte teknike dhe nuk merren me atë që është substanciale, letrën e shkrimtarit si mardhënie me regjimin diktatorial dhe diktatorin.
Garantoj Dervishin, që duhet t’i dijë si ish drejtor i Arkivës MPB, por i ka pare dhe i shikon si të “parëndësishme” këto letra, se ka dhe të tjera, dhe jo vetëm për shkrimtarin I.K, por edhe për emëruesit e Dervishit në postin e drejtorit te A.M.P.B për të fshehur dosje të emëruesve, apo për të hapur dosje të kundërshtarëve për shantazhuar. Gjë të cilën e ka bërë PD-ja e Sali Berishës rregullisht gjatë pushtetit saj. A thua Dervishi te jetë kaq naiv dhe kaq i pandriçuar sa mos ti dijë këto si ish drejtor i arshivës? Si naiv, si sherbëtor i emëruesve te tij në postin e drejtorit si shpërndarës-eleminim dokumentash është i pabesueshëm si studiues në opinionin tim.
Le të merrremi me thelbin e problemit.
Kjo letër është e rëndësishme, dhe jo vetëm kjo, por edhe shumë të tjera, për të kuptuar raportin e shkrimtarit me regjimin dhe operacionin plastik që duam ti bëjmë sot shkrimtarit si njeri që ka qenë kundër regjimit apo vendosjen në nje rrafsh me ata që u persekutuan dhe u torturuan me dhunë fizike dhe psigjike. Nje gjë të tillë mundohet ta bëjë edhe Dume po në të njëtën ditë në Panorama. E cila vendos në nje rrafsh deponimin e Lubonjës në hetuesi, sikur babai e Todi i ka folur për Kadarenë si shkrimtar kundër regjimit, ( gjë që nuk është e vërtetë nga dosja hetimore dhe shpjegimet që jep Lubonja, por e stisur nga vetë Kadareja dhe historianët ne fjalë) me letrën që Ismaili dërgon Enver Hoxhës për të motrën.
Manipulimi dhe gënjeshtrat sot për raportin e intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve me regjimin diktatorial dje dhe regjimin demo(n)kratik sot si vazhdim i kulturës së djeshme, jo vetëm të letrave, jo vetëm të historisë, jo vetëm të politikës, por edhe shoqërisë, ka bërë, që genjeshtra, mashtrimi, vjedhja, abuzimi me pushtetin që çfaqet në të gjitha nivelet e administratës dhe shoqërisë, manipulimi për të simuluar konformizmin dhe shërbimin ndaj pushteteve të së keqes për përfitime personale dhe jo në shërbim të së vërtetës dhe një morali të shëndoshë duke u përplasur dhe luftuar me të keqen, e ka sjellë shoqërinë shqiptare në këtë gjendje ku genjeshtra dhe të gjitha ato që përmenda nuk janë kthyer vetëm në një normë morale, por jane themel i shtetit te gënjeshtrës, -siç shkruan diku Solzhenicien
Meqë jemi në rastin e Ismail Kadaresë, shqiptarët si shoqëri dhe as Ismail Kadare si shkrimtar dhe intelktual nuk e kanë ballafaquar ende sot raportin me të vërtetën me diktaturën. Eshtë kjo arsyeja që Ismail Kadare, jo vetëm dje, por edhe sot, vazhdon konformizmin dhe shërbimin me pushtetin duke përfituar dhe manipuluar me operacionin plastik të portretit të tij sipas situatave dhe jo principeve dhe parmive morale që i takojnë një intelektuali dhe shkrimtari të kalibrit te tij.
Të vendosësh njerëzit që kanë dhënë deklarata bashkëpunimi në kushte dhune fizike psigjike,fizike apo gjatë gjyqit ose përpara dënimit me vite burg apo pushkatimit, në një rrafsh me letrat e Ismail Kadaresë drejtuar diktatorit, gruas së tij, Komitetit Qëndror, për nje rrugë jashtë shtetit, apo privilegje te tjera me pushtetin me shërbimet ndaj pushtetit ashtu si dje dhe sot, siç bën Dervishi në shkrimin e tij, kjo është jo vetëm absurde por edhe e pamoralshme dhe e neveritshme.

Ismail Kadare për raportet e tij me pushtetin diktatorial nuk ka nevojë ti hapen arkivat apo dokumentat. Ai ka veprën e tij letrare, publicistike, poezitë, kritikat dhe përbetimet publike për besnikërinë ndaj partisë dhe diktatorit. Urrejtjen kundër klasave të pëmbysura, klerit katolik, shkrimtarëve te ndaluar të paraluftes, kundër miqve të tij që e kishin ndihmuar dhe pas i ngulte thikën publikisht kur këta shpalleshin armiq.
Kadare vazhdon edhe në liri prej 27 vjetësh si konformist i pushtetit, i pushtetit të së keqes që kanë ngritur gjatë këtij tranzicioni regjimet e socialistëve dhe demokratëve me korrupsionin, shkatërrimin e natyrës, emërimet nepotike dhe të njerëzve që i shërbejnë kësaj të keqeje që quhet qeveri, shpërdorimit parasë publike dhe shtetërore për interesa shërbëtorësh dhe konformistësh për ndërtime muze-shtëpish dhe shtëpish-muze apo falje të tokës publike për shtëpi verimi. Për dhënie fondesh financiare shtërore për publikime dhe rreklama te veprave të socrealizmit. Për emërime t’vajzës ambasadore sa në UNESKO e sa në UN….
A është ky model moral i një letërsie, intelktuali, shkrimtari?
Po e mbyll fundin e këtij shkrimi , me një thënie të martirit Polak të Kishës Katolike që u vra nga komunistët në 1984 Poloni Jerzy Poieluzesko, “Skllavëria jonë vjen nga fakti se i nënshtrohemi sundimit të gënjeshtrës, se nuk i’a çjerrim maskën e nuk protestojmë kundër saj çdo ditë”.

 

REAGIMI I KASTRIOT DERVISHIT
Për Demaliajn dhe “furnitorët” e tij

Lexova sot në median online një tekst kundër meje me nënshkrues Ilir Demaliajn. Pasi debatin për çështjen e letrës së Ismail Kadaresë nuk ka se ku ta çojë më, Demaliaj e ka devijuar përmbajtjen e këtij teksti në çështje personale, duke dalë shumë herë jashtë thelbit të asaj që ka shkaktuar diskutime. Unë nuk jam marrë me Demaliajn, pavarësisht se e kisha fare kollaj këtë gjë, por me thelbin e problemit, me letrën që porositësit ia dhanë për të bërë shpërndarësin, duke i shpjeguar publikut se nuk është asgjë e veçantë, por vijim i një praktike të viteve 1978-1980 me të cilën janë goditur një grup intelektualësh në Tiranë, ndër të cilët edhe motra e Ismail Kadaresë. Letra e reklamuar nuk është e veçuar nga këto ngjarje. Nëse shihet si e shkëputur nga mosdija, përligjet, por kur këmbëngulet edhe pas marrjes së dijes, veprimi nuk është veçse tjetërsim i të vërtetës. Synimi i Demaliajt ishte manipulimi i opinionit publik në mënyrë që ky ta shihte Ismail Kadarenë si keqbërës të motrës së vet, për të ndërtuar perceptimin se kur është kaq i keq me të motrën, imagjino si duhet të ketë qenë me të tjerët.
Publikut (si në qershor 2011) i bëra të ditur praktikën e çështjes, që besoj se as Demaliaj nuk kishte si ta njihte. Konkretisht, i kam rrëzuar Demaliajt dy tezat kryesore që i paraqiste publikut:
1-Letra e Ismail Kadaresë nuk është denoncim, por kërkesë për mosdënim.
2-Dosja në ngarkim të motrës nuk është mbyllur në vitin 1978, por në kohën kur u shkua letra, në vitin 1980.
Demaliaj që as më njohka si studiues e historian, (e si përfundim nuk ka lexuar asnjë libër timin apo të vlerësojë çfarë është studimi historik dhe çfarë është përmbledhja e dokumenteve), më “njohka” në largësi dhe nga mërgimi, si “shpërndarës të materialeve seleksionuese” që i paskam dhënë “atje ku duhej” si shpërblim “për postin partiak të drejtorit” (!). Të gjitha fjalitë dhe përcaktimet, në të gjitha formulimet janë shpifje të Demaliajt e asgjë tjetër. Asgjë e thënë prej tij nuk përputhet me karakterin dhe as me krenarinë time. Krijimtaria ime është publike. Mjafton një çukitje (elektronike) në adresën ëëë.bksh.al ku do të gjesh artikujt nga viti 1999 e deri sot si dhe librat nga viti 2003 e deri sot. Studiues bëhesh, nuk emërohesh. E si të tillë nuk më zhbën as Demaliaj e kushedi kush tjetër pas tij. Çdo përballje e kanë betejë të humbur.
Artikulimi i Demaliajt është i barabartë me qindra letra kundra meje të shkruara nga ish oficerë të Sigurimit (e përsëris, më kanë nderuar se nuk pres lëvdata nga kjo kategori persekutorësh), që ia drejtonin ministrit Saimir Tahiri gjatë vitit 2014, gjë që tregon se është e njëjta prerje dhe teknologji. Për oficerët e Sigurimit, krimet e komunizmit (gjenocidi kundër njerëzimit) që unë kam denoncuar dhe që do t’i denoncoj pa kurrfarë stepje e droje, përbënin “sekret shtetëror”. 
Funksioni i drejtorit (meqë u përmend) është fituar me konkurs e jo me emërim si të kohës së Kadri Hazbiut. Unë nuk kam lindur drejtor. Kam vite që studioj në arkiva në mënyrë të pandërprerë. Arkivat janë jeta ime. P.sh. në sallën e AQSH-së do jem nesër (e mërkurë). Sigurisht dihet nuk do ta shoh Demaliajn aty.
E dyta, legjislacioni i arkivave (që Demaliaj thotë se nuk e njeh) e ndalon anëtarësinë partiake të punonjësve të rrjetit arkivor. Në rastet kur vërehet se një punonjës i rrjetit arkivor është anëtar partie apo përzihet në aktivitete partiake, kjo është shkelje ligji. Unë nuk do t’i jap leksion falas Demalisë për legjislacionin për arkivat, por mund t’i them se në këtë fushë, jam ndër njohësit më të mirë në vend. Shfrytëzimi dokumentacionit nuk lidhet me funksionin, por me qëllimin e studimit. Shumica e dokumentacionit është lirisht e shfrytëzueshme.
Meqë më ka bërë “partiak”, do ishte mirë të më gjente edhe partinë. Ndoshta këtë punën e partisë e ka traditë familjare nga Partia e Punës dhe i sheh gjithmonë gjërat te ajo parti. E unë nuk jam as bir oficeri Sigurimi apo anëtari të Partisë së Punës, siç më rezulton Demaliaj. Nuk kam as të afërm që të kenë punuar në Sigurimi e as në burgjet e diktaturës. Për “fat të keq” më ka munguar tradita familjare e anëtarësimit në Partinë e Punës e në Sigurim, e si pasojë, nuk jam anëtarësuar kurrë në ndonjë parti.
Këshilltarët e Demaliajt, ose thënë ndryshe “porositësit” po e keqdrejtojnë edhe në tekstet e fundit. Unë nuk i kam thënë në asnjë rast që është “paguar” apo jo (sepse nuk kam si ta di këtë). Por i kam thënë qartë se këtë rast është vetëm një shpërndarës dokumenti. Në të gjitha postimet e tij, Demaliaj, ndërsa nuk i dinte as referencën arkivore dokumentit, nuk shpjegon asnjëherë mënyrën sesi u njoh me letrën, sepse nga pozita e shpërndarësit, e njeriut që mori përsipër veprimin, nuk ka çfarë të thotë. Ne studiuesit i njohim të gjithë personat që konsultojnë arkivat. I kuptojmë fare lehtë shpërndarësit apo plagjiatorët sepse nuk dinë as ta referojnë atë që u jepet e gatshme. Dallimi midis shpërndarësit dhe studiuesit është shumë i madh. Studiuesi është njeri që konsulton dokumentet me dhjetëra vite, ndërsa shpërndarësi është kalimtar, kureshtar, person i rastësishëm, që vihet në dispozicion të të tjerëve kur ata kanë frikë të përballën drejtpërdrejt me një dukuri apo person të caktuar.
Teknika e shkrimit të librave është e drejtë e kujtdo autori. Ajo i përmbahet karakterit që ka libri. Sigurisht nuk mund të bëj analizën e librave të autorëve të tjerë. Por i sugjeroj Demaliajt, meqë tani ka një letër dhe disa të tjera që ia kanë dhënë, të përgatisë një libër me ndonjë titull të egër.
Demaliaj shprehet se është për një ballafaqim të vërtetë me të kaluarën komuniste. Shumë mirë. Edhe unë jam i këtij mendimi dhe bie plotësisht dakord me të. Një gjë e tillë do të thotë një përballje e plotë (jo vetëm shkresërisht) dhe e gjithanshme me makinën shtetërore e partiake diktatoriale, duke filluar me punëtorët operativë të Sigurimit, hetuesit, prokurorët, sekretarët e parë, komandantët e komisarët e kampeve dhe burgjeve, e çfarë të duash tjetër. Nuk është ballafaqim me të kaluarën paraqitja si “prova” e kërkesave njerëzore për të mos u dënuar motra, apo të vesh në radhën e parë të krimit shkrimtarët e në bisht të lësh operativët e Sigurimit. 
Së fundi, po e mbyll këtë postim, me një fakt tjetër në lidhje me problemin e centralizuar “Shtrigat”. Demaliaj ka thënë disa herë se dosja e Kadrie Kadaresë është mbyllur pasi ajo është këshilluar. Mirëpo, pas këshillimit, ndjekja ka vazhduar. Ja cili është vlerësimi i organeve të punëve të brendshme për të: “Është për t’u theksuar se Kadria ia ka treguar (Asamble Hatibit-shënim) me imtësi faktin që është këshilluar nga ana jonë. Për Kadrien ka materiale edhe nga burime të tjera”.
Kjo do të thotë se pas këshillimit e deri në vitin 1980, Kadrie Kadare ka vijuar në mënyrën e saj agjitacionin e propagandën kundër regjimit, e si e tillë ka qenë sërish në përpunim. Logjikisht letra e Ismail Kadaresë është shkruar në kohën e duhur teksa arrestimi i saj ka qenë i sigurt.