• |
ide | kryesore

Premiera/ Pse Panuçi po e fillon me dorë të fortë?

Arkiva, Sport
panuci.jpg



Megjithëse interesimi i tifozëve për premierën e Kristiano Panuçit në stolin e kombëtares duket i ulët (vetëm 10% të biletave të shitura), për ndeshjen kundër Litenshtejnit, kurioziteti për skuadrën që do të ngrejë pasardhësi i De Biasit mbetet i fortë. Dhe nga një hulumtim i detajuar që ka bërë Lapsi.al janë zbuluar detajet e para për për teknikun që edhe në Itali ka reputacionin e një njeriu që merr flakë me lehtësi.

Temperamentin e një trajneri që drejton me dorë të fortë italiani e ka demonstruar edhe në këtë grumbullim të tij të parë para ndeshjeve me të vegjlit e Litenshtejnit dhe rivalët maqedonas. Ashtu sikurse dihet ai tashmë ka vazhduar traditën e De Biasit për të lënë jashtë Taulant Xhakën. Fillimisht tekniku i ri i kombëtares tentoi ta shuajë konfliktin e hapur që në erën De Biasi dhe shkoi ta takoijë vetë në Zvicër Taulantin. Por, kur ky i fundit e la të priste tre orë dhe nuk iu përgjigj sms të tij, italiani e mori vendimin: “Xhaka jashtë”.

Dhe megjithëse Taulanti më pas kërkoi falje publike, madje vuri edhe avokatin e tij për të komunikuar me ish mbrojtësin e famshëm të Milanit dhe Romës, për të dera mbeti e mbyllur.

“Taulant Xhaka, gaboi. Më telefonoi avokati i tij më telefonoi dhe ai vetë, ja pranova faljen, e vlerësova faljen, për momentin kjo është thjesht çështje teknike, në një moment të dytë sigurisht që ai do të vijë”, tha Panuçi në konferencën për shtyp mbajtur për mediat. Por gjithësesi Xhaka mungon në këtë grumbullim, po ashtu sikurse dhe sulmuesi Cikalleshi, me të cilin trajneri u tregua po aq intranzigjent.

Pak orë përpara se tekniku i ri i Kombëtares shqiptare, të dilte para mediave për të komentuar listën e lojtarëve të grumbulluar në prag të ndeshjes me Lihtenshtjenin, ai pati një telefonatë me Sokol Cikalleshi. “Kam ndryshuar planin. Të lutem, do të vonohem pak, sepse jam në bisedime me një klub këtu në Turqi dhe më duhet të firmos patjetër këto momente. Më mirëkupto, thjesht do të vij pak më vonë se orari i caktuar në grumbullim”, mësohet se i ka thënë Cikalleshi trajnerit kuqezi.

Megjithëse kërkesa ishte disi e arsyetuar pasi sulmuesi firmosi dje me klubin e Superligës turke, Osmanlispor, italiani u tregua i hekurt. Përgjigjja e tij qe e prerë: “Jo, ti nuk mund të vonohesh. Kemi lënë një orar për grumbullimin dhe të gjithë duhet të jenë në hotel” i tha ai nga ana tjetër e telefonit, duke e lënë Cikalleshin jashtë grumbullimit.

Nga ato pak minuta që Lapsi.al ka arritur të ndjekë stërvitjen e parë të italianit (Pasi mediat u lejuan të ndiqnin vetëm 15 minuta) në pozita shumë të favorshme nuk duket as mbrojtësi i majtë dhe kapiteni i të kuqve, Ansi Agolli. Ndoshta mosha e tij e madhe, apo ngarkesa e tepërt që ka pasur për kualifikimin në grupet e ligës së kampioneve me skuadrën e Karabakut, e kanë bërë Panuçin të mendojë se ai mund të mos aktivizohet. Krahun e majtë të mbrojtjes sipas shumë gjasave mund ta zërë prurja më e re, lojtari i Hajdukut të Splitit, Hysen Memolla. Dhe këtë tekniku italian po e bën si një zgjedhje me autoritet të plotë.

Edhe në startin e stërvitjes, pavarësisht se ndeshja është kundër Litenshtejnit, Kristiano Panuçi u kërkoi lojtarëve të jepnin maksimumin në mënyrë që “ti’a bëni ferr fushën kundërshtarit”. Edhe kur u pyet për rastin Cikalleshi dhe për lënien e tij jashtë grumbullimit ai u përgjigj:“Nuk mund të vijmë në stërvitje sipas qefit, njëri në orën 3, tjetri në 5 e tjetri  në 7. Janë të justifikuar ata lojtarë të cilët nuk gjejnë linja avionësh në oraret që ne duam, por ama në stërvitjen e kombëtares të gjithë duhet të tregohen seriozë. Unë jam gati të çohem dhe në 2 të natës për ekipin,” vuri pikat mbi “i“ ai.

Kjo pra është me sa duket metoda Panuçi, autoritare, e pa kompromis dhe e rreptë. Në pamje të parë ajo duket disi e ndryshme nga linja e De Biasit që i jepte më shumë prioritet stimulimit dhe karikimit të lojtarëve, sesa kontrollit përmes autoritetit mbi ta.

Ende nuk dihet mirë nëse kjo metodë është e lidhur – ashtu siç shpjegon vetë tekniku në rrethe të ngushta, – me mësimet që ai ka marë nga mentori i tij Fabio Kapelo, nesë kjo dëshirë për të hequr vija të kuqe buron nga pasiguritë e eksperiencës së tij të vogël si trajner, apo nëse ajo lidhet me karakterin e tij të keq që e ka detyruar disa herë të largohet me përplasje nga skuarat që ka drejtuar. Kjo do të duket me kohë. Por ajo që vihet re, tani për tani, është fakti se tekniku i ri po e fillon punën me dorë të hekurt. (Lapsi.al)