• |
ide | kryesore

Masat e reja/ 10-15 mijë lekë gjobë për huliganët në stadium

I pakategorizuar



Policia do të nisë së shpejti ndëshkimin e tifozëve problematikë në stadiume apo aktivitete të tjera sportive.
Në bazë të ligjit të ri për sportet të vitit 2016, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako ka urdhëruar ngritjen e komisioneve pranë komisariateve që do të aplikojnë gjobat dhe përjashtimet nga stadiumet për tifozët që kryejnë shkelje. 
Në krye të këtij komisioni emërohet shefi i komisariatit. Masat parashikojnë gjoba nga 10 mijë deri në 50 mijë lekë si dhe heqje e të drejtës për të hyrë në stadium për një vit. Kur tifozi është përsëritës apo në rast diskriminimi për shkaqe të ndryshme, pezullimi parashikohet 2 vite. 
Sipas udhëzimit, në aktivitete nuk lejohet mbajtja dhe përdorimi i lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike, cënimi i përfaqësuesve të federatave, arbitrave dhe vëzhguesve. 
Të gjithë tifozët që do të kapen me këto shkelje do të  dërgohen në Komisionin e Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, i cili miraton masat. Kundërvajtësi mund t’i drejtohet Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, që drejtohet nga nëndrejtori i policisë vendore. 
Për të patur një evidencë të plotë për gjithë shkelësit në stadiume, Policia e Shtetit po ndërton edhe një regjistër elektronik me emrat e tyre. Kjo listë do i dërgohet FSHF-së dhe klubeve të futbollit, në rastet kur do t’u ndalohet hyrja në stadiume.