• |
ide | kryesore

Çështja ‘Xhafaj-Babale’/ Prokuroria e merr për të pandehur, flet Salianji

Lajme, Të fundit



Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji do të jetë këtë të premte në Prokurori për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij për çështjen “Xhafaj-Babale”.

Organi i akuzës e ka marrë të pandehur ish-deputetin demokrat pasi e akuzon për kallëzim të rremë. 

I kontaktuar nga “Panorama lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria, Salianji deklaron se është asgjë më shumë dhe asgjë më pak se ç’pritej. Në reagimin e tij, ish-deputeti e cilëson çështjen “Babale” si më të rëndësishmin e implikimit të krimit me pushtetin.

Sipas tij, çështja u provua të ishte e vërtetë që në momentin që vëllai i ishministrit Xhafaj u vetëdorëzua dhe sot vuan dënimin në Itali dhe vetë ministri i Brendshëm dha dorëheqjen nga detyra.

“Jam plotësisht i vetëdijshëm dhe i qartë apo dhe i përgjegjshëm për peshën dhe rrezikun e këtij denoncimi dhe mbështetjen e plotë që i dhashë gazetarit, i cili vuri jetën në rrezik për të thënë të vërteten. Jam plotësisht i vetëdijshëm që politika e vërtetë në një vend pa asnjë institucion drejtësie të pakapur është një rrugëtim i vështirë.

Çështja “Babale” u provua e vërtetë që në çastin që vëllai i Fatmir Xhafajt u nis me urgjencë brenda 24 orëve në Itali dhe u vulos kur ministri Xhafaj dha dorëheqjen pa dhënë asnjë shpjegim askush për të. Ajo që ka mbetur të provohet ende është, a do ta fitojnë shqiptarët betejën e rëndësishme ku triumfon e vërteta pa u terrorizuar dhe pa u kërcënuar”, deklaron Salianji.

IMUNITETI

Ish-deputeti demokrat sqaron se ka qenë i gatshëm që nga koha kur organi i akuzës e mori në hetim të linte mandatin e deputetit për t’u hetuar si një qytetar i lirë. Salianji zotohet se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje për të treguar se padrejtësia nuk mund të kthehet në normë.

“Kam qenë i gatshëm të lë imunitetin që në momentin e parë që më keni pyetur për hetimin. Sot po e bëj këtë betejë me dinjitetin më të lartë: jashtë funksionit të deputetit, jashtë imunitetit, në një kohë kur shqiptarët kanë zgjedhur të protestojnë e kundërshtojnë këtë gjendje krize të një shoqërie që po kontrollohet vetëm nëpërmjet frikës. Nuk akuzohem as për korrupsion, as për lidhje me krimin, as për shpërdorim dhe as për abuzimin me funksionin tim publik.

Sot jam nën akuzë për denoncimin tim të faktuar ndaj qeverisë! Ky rast më bën të luftoj edhe më shumë që padrejtësia të mos kthehet normë në shoqëri dhe që ligji të jetë i barabartë për të gjithë dhe jo të përdoret si instrument për të kërcënuar denoncuesit.

Ndihem i vlerësuar për çdo përballje që kam në Prokurori dhe Gjykatë me qeverinë dhe përfaqësues të saj, për çështjen konkrete që akuzohem, trafikanti ndërkombëtar që më ka kallëzuar është në burg dhe vëllai i tij ministër është shkarkuar”, sqaron ish-deputeti.

MBROJTJA

Në mbrojtje të Salianjit doli edhe Partia Demokratike, e cila përmes një reagimi zyrtar e cilësoi politike marrjen të pandehur të ishdeputetit demokrat në Prokurori. “Vendimi politik i Prokurorisë është paralajmëruar nga Edi Rama që ditën e parë të zbulimit të skandalit nga Partia Demokratike.

Akti i sotëm dëshmoi edhe njëherë se, përsa kohë Edi Rama të jetë në Qeveri, drejtësia i ka duart e lidhura dhe krimi i organizuar do të jetë i paprekshëm. Edi Rama dhe Prokuroria e tij politike nuk do t’ia mbyllin dot gojën opozitës!

Partia Demokratike është e vendosur të denoncojë çdo aferë që provon se Qeveria Rama është produkt dhe peng i krimit të organizuar”, thuhet në reagimin zyrtar të PD-së. /panorama



2 Comments

  1. Nga ky eshte per te pas kujdes…. mbajeni mend nqs do i ngushtohet laku dhe pd nuk do e mbroj me vendosmeri sic bente sala me te vetet ky ka per te nxjerr ndonje nga kokat e pd sikur e ka urdheruar madje dhe vete lulen

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *