• |
ide | kryesore

Mbetet në fuqi vendimi, ish-prokurorja e Tiranës nuk e kalon vettingun

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish-prokuroren Anila Galanxhi (Pappa).

Galanxhit i ndalohet emërimi si gjyqtare ose prokurore i çdo niveli për një periudhë 15 vjeçare.

Me 13 korrik Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokuroren e Tiranës, Anila Galanxhi (Pappa), pas dorëheqjes së saj nga detyra dhe statusi i magjistratit.

Gjithashtu, Komisioni vendosi t’i ndalojë emërimin si gjyqtare ose prokurore, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhej se hetimi administrativ për prokuroren Galanxhi kishte filluar në janar 2019. Pas dorëheqjes së anëtares Firdes Shuli për arsye të lidhjeve familjare me prokuroren Galanxhi, kjo e fundit ka kërkuar edhe dorëheqjen e komisioneres zëvendësuese, Etleda Çiftja për konflikt interesi, por kjo kërkesë është rrëzuar nga KPK.

Në muajin prill 2021, Komisioni vendosi të mbyllë hetimin kryesisht për prokuroren Galanxhi për kriterin e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës dhe i ka njofuar asaj rezultatet. Galanxhi kërkoi më shumë se një muaj kohë për kthimin e përgjigjeve, por Komisioni i ofroi rreth 20 ditë.

Pasi subjekti njoftoi se ka dorëzuar kërkesa të reja për sigurimin e informacioneve, trupi gjykues i ka dhënë kohë shtesë dhe e ka ftuar në seancë dëgjimore që u planifikua për t’u zhvilluar më 21 maj 2021. Një ditë para seancës dëgjimore, Galanxhi njoftoi se ishte diagnostikuar me Covid-19 dhe kërkoi shtyrje të seancës.

Më vonë ajo depozitoi pranë Komisionit kërkesën për dorëheqje të dorëzuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP dhe kërkoi pezullimin e procesit, si dhe shtyrjen e seancës dëgjimore.

Pasi KLP njoftoi vendimin për përfundimin e statusit të magjistratit për prokuroren Galanxhi dhe u konfirmua marrja e formës së prerë së këtij vendimi, Komisioni thirri subjektin në seancë dëgjimore për t’u dëgjuar, por Galanxhi e refuzoi këtë të drejtë.

Në këto kushte, trupi gjykues i KPK, i kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Etleda Çiftjan ndërpreu procesin e rivlerësimit për Galanxhin dhe i ka hequr asaj të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15-viteve të ardhshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *